Rama premton 72 mijë vende pune

Kryetari i Bashkisë së Tiranës prezantoi dje strategjinë e tij të zhvillimit të kryeqytetit dhe luftën kundër papunësisë.Prezantimi u bë në sallën e Akademisë së Arteve, bashkë me nënkryetaren e bashkisë, Albana Dhimitri dhe administratorin Dritan Agolli. Dy zyrtarët e bashkisë deklaruar se përmes dhënies së lejeve të dhëna nga bashkia janë hapur 32 mijë vende pune në vit. Ndërsa bashkia parashikon që përmes projekteve të mëdha në Tiranë, si Programi i Zhvillimit të Lumit Tirana, Qendra e Re e Tiranës XXI dhe Kampusi Universitar, do të krijohen 72 mijë vende të reja pune.
Në fjalën e tij, kreu i bashkisë akuzoi qeverinë se nuk ka asnjë strategji për të hapur vende të reja pune. “Sot dëshiruam ta bëjmë këtë takim, sepse është një ditë ku do të flitet për punën dhe në Shqipëri janë 1 milion të papunë e të gjithë shqiptarët janë dëshmitarë të kuturisjes së çdo politikani tradicional për të premtuar sa mundet, duke filluar nga premtimet e papërmbajtura për punë. 160 mijë vende pune premtoi vjet Saliu dhe sot kjo shifër është rrumbullakosur në 1 milion. Mungon vizioni kombëtar i mishëruar mbi qeverisjen e vendit mbi zhvillimin rajonal dhe kombëtar. Ka vetëm një zhvillim kuturu, ‘ku rafsha, mos u vrafsha’, por ky nuk është zhvillimi që i duhet Shqipërisë, ky nuk është zhvillimi që sjell transformimin urban, por pasoja degraduese për mjedisin urban e ekonominë dhe këto që them janë dështime spektakolare në vendet e tjera, që popujt po i paguajnë, se janë detyruar që të rendin për një kohë të gjatë pas qeverive të njëjta me atë që ka sot Shqipëria”, theksoi Rama. Kreu aktual i Tiranës dhe njëkohësisht kandidati i ‘Aleanca për të Ardhmen’ për Bashkinë e kryeqytetit, tha se rruga e socialistëve për vendin është ajo e një zhvillimi të qëndrueshëm urban, social dhe ekonomik, ndërkohë që ka bërë premtimin e tij më të madh elektoral duke deklaruar se me largimin e qeverisë brenda një mandati e gjysmë do të përgjysmojë shifrën e papunësisë. Rama tha: “Është e kotë të flasësh për punësimin, në një kohë që nuk ka një administratë publike që t’u përgjigjet kërkesave të shoqërisë”. Po dje në mbrëmje, kryetari socialist në vijim të fushatës elektorale, u ndal në Vorë, ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkie të opozitës, Bashkim Haxhiu.
Rama ftoi shqiptarët që t’i bashkohen rrugës të së ardhmes, pavarësisht ndasive në bindje politike. “Ju tashmë jeni të vetëdijshëm se në rrugën e Saliut ka vetëm gënjeshtra, papunësi dhe varfëri. Më 8 maj ju do të votoni bashkë me qytetarët e qytetaret që kërkojnë punë, drejtësi, mirëqenie, të vetmen rrugë, rrugën që vret frikën, që lufton padrejtësinë, rrugën që krijon shpresë dhe hap horizontin tonë, rrugën tonë, rrugën e “Aleancës për të Ardhmen” përtej flamujve të partive, përtej çdo dallimi që na bën të ndryshëm, por në të njëjtën rrugë, në rrugën e së ardhmes. Ju, në 8 maj do të votoni për të larguar këtë qeveri kusarësh”, tha Rama.

Projektet e Bashkisë për zhvillim

Punësim do të thotë mirëqenie:

Projektet tona të ndërhyrjeve në infrastrukturë kanë gjeneruar mbi 10 miliardë lekë në ekonominë e qytetit

Janë punësuar mbi 22.000 punonjës në vit

Vetëm lejet e ndërtimit kanë kontribuar në qarkullimin e 56 miliardë lekëve për paga e sigurime

Janë punësuar mbi 32 mijë punonjës në vit

Programi i Zhvillimit të Lumit Tirana-50.000 vende pune

Qendra e Re e Tiranës XXI-16.800 vende pune

Kampusi i ri Universitar- 3.900 vende pune

Qeverisja komunitare është modeli ynë i qeverisjes

No comments:

Post a Comment