Policia:Faji i portierit të Flamurtarit që rri pranë portës!

Vazhdon tragji-komedia e kampionatit shqiptar, policia e Laçit deklaratë skandaloze, FSHF hesht për dhunën.

Shefi i komisariatit të Kurbinit ka fajësuar portierin e Flamurtarit, Shpëtim Moçka, për dëmtimin që ky pësoi në kokë në takimin e javës 30-të të Superligës midis Laçit dhe Flamurtarit.Sipas zyrtarit të policisë ishte vetë lojtari, i cili ka provokuar tifozët laçianë, të cilët të indinjuar, kanë reaguar duke hedhur sende në fushë. Zyrtari i lartë i policisë, foli edhe sa i përket incidenteve pas përfundimit të ndeshjes të përfunduar në barazim, ku tifozët e Laçit qëlluan me gurë e leva autobusin e ekipit kuqezi, duke thyer xhamat, por pa pasur dëmtime në njerëz.
Gafa
E duke mos u ndalur me deklaratën skandaloze ndaj portierit, shefi i policisë së Kurbinit deklaroi se nuk është marrë asnjë veprim hetimor, pasi nga klubi i Flamurtarit, nuk është kryer denoncim në komisariatin e Laçit në lidhje me këtë ngjarje. Por në bazë të legjislacionit shqiptar, një nga detyrat kryesore të Policisë së Shtetit është parandalimi i veprave penale, si edhe mbrojtja e jetës së individit. Në këtë ngjarje, kemi dëmtim të Shpëtim Moçkës, portieri i skuadrës së Flamurtarit, i cili sipas mjekëve, ka hematoma në kokë, dhe ka vështirësi në dëgjim. Lojtari u qëllua me mjete të forta dhe iu hodhën dy kapsolla. Ndërkohë që në situatën e dytë, si pasojë e sulmit nga një grup tifozësh, kemi kryerjen e veprës penale të dëmtimit të “pronës private”. Në të dyja rastet, policia e Kurbinit duhet që të kishte ndërhyrë dhe të shmangte këto situata. Këto janë edhe udhëzimet e Policisë së Shtetit, që i kushton një vëmendje të veçantë parandalimit të situatave të pakëndshme. Nisur nga mënyra se si rrodhën ngjarjet, Policia e rrethit Kurbin ka treguar mungesë profesionalizmi, duke mos arritur që të zbatojë detyrën e saj, në funksion të qytetarit. Për më tepër, që me pamjet filmime të vëna në dispozicion dhe me praninë e saj ën terren, duhet që të kishte nisur vetë hetimin, në lidhje me këtë ngjarje.
Gjendja e Moçkës
Portieri i Flamurtarit, Shpëtim Moçka, që u dëmtua pas hedhjes së sendeve të forta në stadiumin e Laçit, ndodhet i shtruar në spitalin e qytetit të Vlorës. Lojtari mbahet nën vëzhgimin e mjekëve, të cilët po kontrollojnë vazhdimisht gjendjen e tij.
Sipas mjekut të ekipit kuqezi, portieri ‘ka një plagë në kokë me një hematomë. Hemorragjia është pushuar, por i sëmuri nuk mban mend rrethanat e ngjarjes. Ka ende probleme, sepse ka një ulje të dëgjimit në veshin e djathtë’. Ndërkohë sipas mjekëve të spitalit të qytetit bregdetar, lojtari ka një hematomë në kokë, të ardhur si pasojë e goditjes me mjete të forta, si edhe probleme me dëgjimin në veshin e majtë. Lojtari mbahet në kontroll, pasi bluzat e bardha kanë frikë për hemorragji në pjesën e plagës.
Gjika
Presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika ka vizituar ditën e djeshme futbollistin në spital. Ai në një deklaratë për mediat, është shprehur se duhet të nisin menjëherë hetimet në lidhje me këtë ngjarje. “është fatkeqësi, që çdo gjë po politizohet ën vend. Këto janë akte kriminale të një qeverie në ikje. Duhet të hapen hetimet për këtë ngjarje, ndërsa organet kompetente duhet të marrin masa”, - tha Gjika.

Policia
Në lidhje me këtë ngjaje, ka reaguar edhe shefi i komisariatit të Kurbinit. Ai për dëmtimin e lojtarit, nuk ka fajësuar aspak tifozët e Laçit, por vetë Moçkën, që mori një plagë në kokë.
Sipas tij, ishte vetë lojtari që provokoi tifozët. Ai shtoi se policia ka arritur të neutralizojë një konflikt që mund të kishte rezultuar sipas tij fatal. Kështu, dëmtimi në kokë i një futbollisti dhe thyerja e autobusit të ekipit, nuk përbëjnë fatalitet në vitin 2011 në vend. Sipas shefit të komisariatit, edhe pse është identifikuar autori i thyerjes se xhamit te autobusit te ekipit te Vlorës, nuk është i ndaluar. Pyetja është, përse kjo nuk ndodh, ku uniformat blu kanë provat, për ta vënë atë në pranga, pasi një prej veprave penale është ajo e dëmtimit të pronës private?

Xhafaj: Shyqyr që dolëm gjallë
I dhunuar psikologjikisht ka qenë edhe sulmuesi i Flamurtarit, Daniel Xhafaj, i cili pas ndeshjes ka deklaruar: “Shyqyr që dolëm gjallë nga ajo ndeshja. Vetëm përqendrim s’mund të kishte në atë ndeshje pas gjithë asaj që ndodhi. Kur kërcënohemi ashtu, nuk mundesh dot të luash futboll. Kjo na ndodhi sërish neve, nuk di ç’të them më shumë, nuk mund të vazhdojmë në këtë mënyrë të luajmë futboll”.

Gjika: Presim Disiplinën, pastaj do të veprojmë
Tej mase i zhgënjyer ka qenë edhe presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, pas goditjes së portierit të ekipit vlonjat dhe ngjarjeve në Laç. Ai ka ndërhyrë jo pak që situata të qetësohej, por tifozët kurbinasit nuk janë bindur. Kur e pyet Gjikën për këto ngjarje, ai përgjigjet: “Më vjen keq për të gjitha këto që ndodhën, por më shumë për portierin tonë, sepse jeta e njeriut vlen shumë më shumë, por si duket për disa qenka ndryshe.Unë do të pres vendimin e Komisionit të Disiplinës, pamjet filmike janë, ashtu siç jemi dënuar edhe ne me të tilla. Nëse nuk do të gjykohet drejt dhe ashtu siç parashikon rregullorja, atëherë do të marrim një vendim tonën për garën në vijim.”

No comments:

Post a Comment