Rama: Karta false për 8 maj, kushdo që i përdor do të kapet

Zoti Rama, duket se keni bërë një fushatë me dy pista paralele, në rang kombëtar dhe në Tiranë. Cilat janë përshtypjet tuaja kryesore, me të cilat ju vini në fund të kësaj fushate?

Fushata në vetvete ka qenë një fushatë e veçantë në historinë e fushatave, që kur jam angazhuar në procesin politik. Ka qenë një fushatë pa retorikën tradicionale të dhunës verbale dhe në një përpjekje nga ana e Saliut dhe oborrit të tij, për të ndërtuar një qasje pozitive me qytetarët. Por fatkeqësisht, kjo ka qenë ajo çka është ofruar vetëm në ekran, sepse kur janë fikur ekranet, ka pasur një fushatë më të tensionuar dhe agresive me shumë provokime dhe incidente në të gjithë territorin, që kontrollon pushteti administrativ i Saliut, duke vënë nën presion mësues, mjekë, policë, nxënës që votojnë për herë të parë, me manovra që janë dëshmi e frikës që ka Saliu nga 8 maji, nga vota që jam i bindur se do të jetë shprehje e vullnetit sovran të qytetarëve, për t’i thënë kurrë më një politike të mbrapshtë, të pabesë sa më s’bëhet me qytetet dhe komunat që janë qeverisur nga Saliu dhe për të hyrë në të vetmen rrugë, në rrugën e “Aleancës për të Ardhmen”.

Cili ka qenë impresioni juaj më i fortë nga kjo fushatë?

Impresioni im më i fortë ka qenë në të gjitha ato zona që janë qeverisur nga Saliu, në të gjitha ato qytete apo edhe komuna ku sundimi i hartbutllëkut dhe injorancës që e karakterizon qeverisjen e Saliut, në nivel qendror dhe vendor, ka ndrydhur ato vende, pasi kam parë një frymë shumë të qartë reagimi ndaj këtij sundimi, një frymë qartësisht të prekshme në çdo detaj dhe shkëmbim me njerëzit. Për sa i takon Kamzës, Kavajës e shumë territoreve të tjera të sunduara nga Saliu, ka një zgjim të ndërgjegjes qytetare, një bindje se është humbur shumë kohë me një rrugë pa krye dhe me besimin që këta njerëz ia kanë ofruar Saliut pa kushte.

Çfarë ka ndryshuar në këto zona perceptimi i njerëzve, kandidatët apo strategjia juaj?

Problemet kanë qenë gjithnjë në zonat e sunduara nga Saliu, aty ku e djathta ka qenë në shumicë. Kur themi e djathta, në fakt, është një eufemizëm, sepse sot është e qartë se PD-ja është marrë peng, nuk përfaqëson interesat e djathta, nuk ka një qasje ndaj vlerave dhe parimeve që e djathta mbron. Ka braktisur, pronarët dhe të përndjekurit dhe gjithë ata që tek e djathta kërkuan çlirimin e jetës së tyre nga të gjitha kushtëzimet e mëparshme. Le ta themi qartë sot nuk është thjesht PS, por Aleanca për të Ardhmen në një front qytetar, përtej të majtës dhe të djathtës. Është një forcë idealesh e idesh që janë shprehje e një vetëdije, se Shqipëria duhet të çlirohet nga trysnia e një qeverisje që grabiti votat për të grabitur vendin.

Vërtet shpresoni të fitoni në Kamzë, Bulqizë e Kavajë?

Ne kemi të gjitha arsyet, për shkak se njerëzve u ka ardhur shpirti në majë të hundës, me sundimin e Saliut dhe gjithë Salinjve gjetkë, por sepse ne, nga ana tjetër, ofrojmë një pakt qytetar, se për ne të gjithë janë njësoj, qytetarë të respektuar me të drejta të barabarta. Ata që përfaqësojnë Saliun, duhet të djersisin fort për të marrë një rezultat. Nuk do ketë historira dhune e frike në Kamëz apo Kavajë, apo kudo qoftë, sepse jemi të përgatitur fizikisht, mendërisht dhe shpirtërisht, për një proces elektoral që do na nxjerrë fitues.

Ju thoni e vetmja rrugë. Ju kanë akuzuar dhe për arrogancë për këtë shprehje…

Dy rrugë ka, rruga e Saliut, rruga qorre e papunësisë, varfërisë, thellimit të krizës dhe problemeve të shqiptarëve dhe rruga jonë e angazhimit, për të kujdesur, për të përkrahur familjen e zakonshme shqiptare. Është fyese për moralin dhe inteligjencën, që një personazh, që minimalisht duhej të kishte ikur nga skena politike për përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të vrasjes së qytetarëve. Nuk mund të pranohet që një injorant, që Saliu e kandidon në një qytet të lashtë si Durrësi, që premton kthimin e eshtrave të Ismail Qemalit dhe që betohet se do ndryshojë cilësinë e diellit, nuk mund të jetë një alternativë. Është fyese cinike, që një qoftexhi t’u ofrohet korçarëve si alternativë, një njeri që vlerën më të madhe e ka se i ka pjekur qofte Ridvan Bodes. Pushteti është duke u mbytur në dhjamin e kusarisë dhe matrapazllëkut. Janë fyerje dhe gjëra të papërfytyrueshme dhe shoqëria duhet të reagojë.

Zoti Rama, ju folët pak më parë sërish “përtej të majtës dhe të djathtës” dhe këtë gjë e keni bërë fakt të kryer me “Aleancën për të Ardhmen”, ku është PDK-ja, Partia e Ngjelës dhe Zogajt dhe le të themi që janë fraksione të djathta, që dikur ju kanë pasur kundërshtar ju. Por këtë herë, keni përballë jush shumë ish-aleatë të tuaj, ku nuk po flas për z. Meta, të cilin edhe në këtë fushatë e keni kundër, por po flas që ju përballë këtë herë keni PDIU, të kryesuar nga një ish-koleg i juaj, Shpëtim Idrizi. Nuk janë rreshtuar publikisht, por nga deklarimet e tyre, qoftë z.Islami, qoftë z. Harasani, janë shprehur tepër kritikë. Një koment i juaji për këtë gjë?

Le ta themi që janë rreshtuar në këtë fushatë përkrah Saliut. Unë besoj që e kanë shijuar pamjen e shqiptarëve, duke u bërë bashkë dhe duke treguar, flas për aleatët zyrtarë tashmë të Saliut, flas për Ilirin, flas për Fatosin, flas për gjithë këtë grup njerëzish, të cilët u kanë thënë shqiptarëve gjëra nga më të zezat për Saliun, e pastaj kanë gjetur vend në prehrin e tij.

Zoti Nano nuk ka folur në këtë fushatë...

Aty është dhe ai, në prehrin e tij është. Por gjëja që dua të them për këtë fushatë, ka një aspekt interesant. Ilir Meta nuk nxjerr dot fytyrën asgjëkundi, as nëpër postera, as nëpër spote, as nëpër takime nuk ka qenë aq i dukshëm, sepse fytyra e tij u kujton shqiptarëve bllokun dhe është përpjekur të maskohet duke vënë përpara një vajzë të re, e cila fatkeqësisht ka marrë edhe ajo trajtën e një “Eleonore çudibërëse”, për të bërë sa të mundet që të mbulojë atë pjesë të pambulueshme të LSI, por që në fakt është thjesht një parti e bllokut të zi të kusarisë. Ndërkohë që Saliu nuk nxjerr dot fytyrën nëpër Tiranë, sepse e dimë që Tirana ka një problem të madh dhe të hapur me Saliun, për të gjithë keqqeverisjen dhe paudhësitë. Ndërkohë që në krahun tjetër kemi këtë partinë e Shpëtim Idrizit, që endet nëpër Tiranë dhe u thotë njerëzve: Duam votën për Këshillin Bashkiak. Unë u them qytetarëve të Tiranës, që vota për mua dhe për kryetarin e Njësisë, është e barazvlefshme me votën për Këshillin Bashkiak. Na duhet ta çlirojmë Këshillin Bashkiak dhe kjo gjë bëhet vetëm duke votuar “Aleancën për të Ardhmen”. Na duhet një Këshill për të marrë vendime dhe jo një Këshill të marrë peng nga Saliu dhe Iliri.

Dje, Lulzim Basha deklaroi që është me origjinë nga Tirana...

Ky hija e Saliut, që është kandidat për Bashkinë e Tiranës, ky mund të bëhet gjithçka, ky mund të jetë nga Tirana, kur i duhet të jetë nga Tirana; mund të jetë holandez, kur i duhet të jetë nga Holanda; mund të shfaqet kosovar, kur i duhet të jetë kosovar; ky mund të kthehet menjëherë në grek, kur i duhet të jetë i tillë. Ky mund të bëhet gjithçka, ashtu sikundër mund të thotë gjithçka dhe të bëjë të kundërtën e gjithçkaje. Në fund të fundit, ky është Saliu. Kush mendon se voton për dikë tjetër, e ka gabim: ky është Saliu. Është thjesht Saliu i fotokopjuar, i rinuar, i ambalazhuar në një formë të caktuar, për të ardhur vërdallë në Tiranë. Është imazhi më i rrezikshëm për PD-në, për shkakun e thjeshtë sepse është Saliu, por në përpjekjen e dëshpëruar për t’i dhënë vijimësi vetvetes dhe për ta trashëguar PD-në, duke vazhduar e duke thelluar kalbëzimin total të PD-së përmes kapjes prej fyti të asaj partie dhe kthimit përfundimtar të saj në një mekanizëm që punon për një familje të ngushtë interesash dhe që flet për lirinë e demokracinë.

Le t’i kthehemi pak zgjedhjeve. Pse pranuat ju si Parti Socialiste dhe si opozitë, me gjithë kërkesat e vazhdueshme për garanci. Pse pranuat të hynit në këto zgjedhje pa garanci ekstra?

Sepse ne kemi qenë të qartë, që në krye të herës që çdo fushëbetejë, ne nuk do ta lëmë kurrë bosh dhe në çdo fushëbetejë, ne do të përballemi me fuqinë e të vërtetave tona, me pasionin e madh politik për të ndryshuar Shqipërinë dhe me bindjet tona të thella demokratike dhe zgjedhjet janë fusha më e madhe e kësaj beteje. Unë dua ta bëj shumë të qartë që çdo përgjegjësi që do të cenonte standardet e zgjedhjeve, është e Saliut. Unë dua t’ia bëjë shumë të qartë atij drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, drejtorit të Policisë së Tiranës, por edhe të disa qyteteve të tjera, që të kenë shumë kujdes. Informacionet që policia ka një qasje jo të drejtë ligjore, por të prirur nga politika, kanë qenë insistuese. Unë kam shumë respekt për Policinë e Shtetit dhe unë nuk e shoh atë si emra njerëzish, por e shoh si uniformën e shtetit dhe nuk kam dashur asnjëherë që të godas individë të caktuar, për shkak të respektit që kam për uniformën. Unë u them atyre që janë të monitoruar në çdo çast dhe ne dimë çdo lëvizje të tyre.

Edhe nga këto fjalë që ju thoni, ekziston përshtypja se në dallim nga fushatat e tjera, Partia Socialiste nuk po i lë gjë mangut palës tjetër dhe po i përgjigjet “dhëmb për dhëmb”. Si mund të përkthehet kjo në datë 8 maj dhe më pas?

Ne më 8 maj kemi dy detyra: të nxjerrim sa më shumë njerëz në votim dhe të jemi sa më të efektshëm në procesin e administrimit zgjedhor në Komision. Ne kemi bërë një proces të posaçëm trajnimi për të gjithë komisionerët. Ata janë të përgatitur për të identifikuar kartat false. Kemi zbuluar edhe se ku bëhen kartat edhe pse bëhen, por njëkohësisht me ekzemplarë të kartave false, kemi bërë trajnime me komisionerët që të arrijnë t’i identifikojnë ato, pasi ato janë të dallueshme me pak vëmendje. Kushdo që guxon të vijë në datën 8 maj në qendrat e votimit me kartë false, duhet të mendohet 7 herë, sepse nuk do ta ketë të lehtë ta kalojë, si ai që paraqitet me emrin e një tjetri. Sikundër dua t’u them edhe atyre që janë regjistruar në Tiranë apo gjetkë, që nuk e kanë vendbanimin këtu, me kontrata false dhe në bashkëpunim me disa kandidatë dhe kryetarë të Njësive Bashkiake, si me kryetaren e Njësisë së Kombinatit, kryetarin e Njësisë 3, por edhe të kryetarit të Njësisë 10, që ta mendojnë përpara se të votojnë. Ata mund të votojnë, por në Prokurori është regjistruar procesi penal. Prokuroria, herët ose vonë do të hetojë dhe ashtu siç do të hetojë Luzhiana Abazin, Ilir Kokonën dhe Bledar Fugën, ashtu do të hetojë edhe të gjithë ata që do të votojnë më 8 maj, sepse janë të listuar nga ne, që nuk banojnë në Tiranë dhe që kanë emrat në këto njësi. Ata mund të votojnë, do të duhet të shkojnë përballë me ligjin.

Zoti Rama, a do t’i bojkotoni zgjedhjet e 8 majit? A ekziston një mundësi për bojkotimin e zgjedhjeve?

Kurrë. Nëse ka një ngjashmëri me ’96, të cilën Berisha e përmendi një ditë më parë në një intervistë, është kjo strategjia e tensionit, janë këto historitë me kërcënime me shantazhe, ky presioni mafioz mbi nëpunësit e mësuesit e të gjithë rrogëtarët e shtetit. Por ajo që është shqetësuese, është pse ky vazhdon e thotë? Mos vallë ky dëshiron apo projekton ndonjë presion të atillë më 8 maj mbi komisionerët, të atilla që mund të krijojë konfuzion tek njerëzit. Unë i them të mos goxojë ta bëjë. Është momenti që Saliu nuk mund më të përsërisë jo 1996, por as 2009. Ai duhet të bëjë në 8 maj Kryeministrin e vendit dhe duke i lënë të gjithë të bëjnë punën e tyre dhe të heqë dorë ky me gjithë klanin e tij nga negociatat me lloj-lloj njerëzish të botës të errët, sepse nuk funksionojnë. Në 8 maj, njerëzit duhet të shkojnë në votime dhe të kemi pjesmarrjen më të madhe dhe të kemi zgjedhjet më demokratike që janë bërë ndonjëherë. Të gjitha këto janë presione, janë shantazhe që synojnë t’i vënë qytetarët në situata që të thënë: Ç’më duhet mua të votoj. Ndërkohë që çdo qytetari i duhet. Në Shqipëri, për 50 vjet të regjimit të Saliut, bashkë me Enverin dhe me të tjerët, njerëzit u ndaluan të votojnë dhe vota për ne është edhe një detyrim për ata që u larguan nga kjo jetë pa votuar një herë.

Zoti Rama, sapo më solli Tom Doshi disa karta, të cilat thotë se janë false. Si do ta mbroni votën tuaj, nëse edhe këto karta janë false?

Ne kemi dijeni të plotë, lidhur me ekzistencën e këtij aktiviteti kriminal dhe ky lidhet me PD-në dhe këtu, të më falin të gjithë demokratët e ndershëm, pasi kam parasysh uzurpatorët e PD-së. Kemi dijeni të plotë për të gjitha dallimet që ka kjo lloj vepre kriminale me kartat e identitetit. Dhe unë u them atyre që i kanë porositur këto karta të ndalojnë këtë plan, sepse ky plan nuk mund të funksionojë, sepse ëndrrat dhe shpresat e këtij populli nuk mund të merren peng, duke marrë peng identitetet e emigrantëve. Kjo nuk mund të ndodhë më, sepse nuk mund të merren peng identitetet e atyre burrave dhe grave që punojnë 24 orë dhe të huaj dhe që kanë 20 vjet që e mbajnë në këmbë ekonominë e këtij vendi, që Saliu, Fatosi e të gjithë me radhë e kanë lënë në batakun e varfërisë. Shikoni çipin e telefonit celular e marrin dhe e inkoporojnë këtu. Mjafton të prekësh cipin dhe e kupton që ajo është false, gjithashtu s’ka asnjë refleks që ka karta origjinale dhe mjafton ta pozicionosh pak në kënd dhe e kupton që ajo është false. Cilido që vjen dhe paraqitet me fytyrën e vet dhe me emrin e një emigranti do të kapet. Do të vazhdojmë dhe procesin e denoncimeve dhe i bëj thirrje Saliut që të ndalë këtë plan. Ne në Tiranë kemi një avantazh, që ata nuk e kapin dot me asnjë lloj forme.

A është prishja e zgjedhjeve një opsion për PS-në?

Prishja e zgjedhjeve nuk është opsion. Zgjedhjet mund t’i prishë vetëm Saliu. Dhe këto karta provojnë këtë. Saliu e di mirë se është në disavantazh të madh.

Kolegu im Henri Çili thotë që ….

Ka dalë një shprehje, për pak humor, që e vetmja rrugë është e Edi Ramës dhe Partisë Socialiste, sepse të gjitha rrugët e tjera i ka zënë Henri Çili.

Nëse do ishit 11 vjet më parë me këto ide, do kishit bërë diçka ndryshe?

Natyrisht po të ishte mundësia do kisha bërë gjëra ndryshe.

Ju tërhoqi rivali juaj në këtë lloj fushate?

Cili? Saliu?

Jo, Lulzim Basha, ai është kandidati juaj…

Kandidati nuk ekziston, është Saliu. Ai është Saliu, nuk ka zotëri tjetër, zotëria tjetër është një hije që vjen vërdallë nëpër Tiranë.

Ama projekte ai kishte dhe i prezantoj, si ai tramit që më pas e nxorët dhe ju.

Jo më vjen keq, se projektin e tramit, Bashkia e Tiranës e ka të vizatuar në materplanin e qendrës qysh në vitin 2003.

Pse një tufë e madhe, një numër i madh intelektualësh, apo shoqëria civile këtë radhë dolën përkrah zotit Basha?

Fatkeqësisht, Shqipëria e ka pasur një problem të tillë, ka pasur gjithmonë një tufë që quheshin intelektualë, që kanë dalë gjithmonë në krah të regjimeve. Gjithmonë. Janë historira që kanë ndodhur në kohën e Enverit, kanë ndodhur pastaj më pas në kohën e Saliut të parë, pastaj i kam parë këta që t’i lëpihen Fatosit, pastaj t’i lëpihen Ilir Metës, pastaj i shoh bashkë me ju t’i rilëpihen Saliun dhe pastaj t’i lëpihen dhe atij që Saliu u thotë që nuk është ai, por është Saliu. Këta janë po ata që ishin. Nuk kanë asnjë lloj lidhje me atë quhet intelektualë në një shoqëri. Ju e dini mirë që kam një pozicion të caktuar, ku shumë gjëra më ndajnë nga mënyra sesi i sheh gjërat Fatos Lubonja. Por Fatos Lubonja është intelektual. E pëlqejmë apo se pëlqejmë për ato që thotë, është intelektual për një arsye shumë të thjeshtë, sepse intelektuali është një natyrë që nuk pajtohet me statuskuonë dhe nuk i rri në krah as regjimit dhe as qeverisë. Intelektualët që i rrinë në krah qeverisë vetëm në Shqipëri dhe në këto vendet pa intelektualë të vërtetë ka. Nuk ka intelektualë që i rrinë në krah qeverisë në Francë apo në vendet e tjera demokratike.

Zoti Islami që ju e keni de jure sekretar për çështjet zgjedhore ka parashikuar se ju, jo thjesht rrezikoni të humbisni Tiranën, por edhe në shkallë vendi…
Unë as e lexoj dhe as e komentoj Kastriotin. Unë thjesht e pranoj në vend të një hudhre që rri varur në një shipë, për të mos marrë mësysh. Kështu e kemi në mendje dhe në familjen tonë të madhe politike, që të qëndrojë atje si hudhër, për të mos marrë mësysh. Më shumë se kaq, unë s’kam për të komentuar për Kastriotin dhe më vjen shumë keq që ka dalë kundër historisë së tij.



(www.mapo.al/index.php?z=lexo&category=20&id=11676&titulli=rama-karta-false-per-8-maj-kushdo-qe-i-perdor-do-te-kapet)

No comments:

Post a Comment