Presidenti: Qytetarë votoni në 8 Maj! Ju vendosni, jo partitë

Presidenti: Qytetarë votoni në 8 Maj! Ju vendosni, jo partitëTIRANE-Dy ditë larg zgjedhjeve vendore, Presidenti Bamir Topi ftoi dje shqiptarët që të marrin pjesë në zgjedhjet e 8 Maj me qëllim që të vendosin vetë për të ardhmen e tyre me anë të votës.
“Të nderuar qytetarë ju ftoj të merrni pjesë në zgjedhje, të jeni aty për t’i dhënë jetë e forcë demokracisë funksionale, - dhe kështu të ndihmoni që me zgjedhjen tuaj të lirë të shkurtojmë rrugën evropiane të Shqipërisë. Kjo është sfida jonë, është interesi ynë i përbashkët”, bëri thirrje sot presidenti i republikës në mesazhin drejtuar qytetarëve.
“Të dielën me 8 maj në mbarë vendin qytetarët janë të ftuar të votojnë për organet e reja drejtuese të pushtetit vendor. Për herë të gjashtë në 20 vjet ju keni të gjithë pushtetin dhe hapësirën e nevojshme për të vendosur me votën tuaj për qeverisjen lokale të katër viteve të ardhshme”.

Duke shprehur keqardhje për incidentet gjatë fushatës, Presidenti theksoi se vota e popullit është vendimtare dhe do përcaktojë cilësinë e zgjedhjeve.
“E di gjithashtu se administrimi zgjedhor në Shqipëri është atribut ligjor direkt i partive politike dhe se vullneti i partive është faktor përcaktues në cilësinë e zgjedhjeve. Gjithsesi as detajet teknike dhe as natyra partizane e procesit, nuk mund të zëvendësojnë peshën dhe rolin përcaktues që ka vota qytetare më 8 maj”.

Topi kërkoi që kjo ditë të mos kthehet në ditë militantësh, por të demonstrohet qytetari, kurse institucioneve ligjore (KQZ, polici, prokurori, gjykata) u kërkoi të jenë sa më aktive ndaj cdo lloj problematike që mund të haset gjatë procesit zgjedhor.

“Dita e zgjedhjeve është ditë e qytetarëve dhe jo e militantëve partiakë, ndaj pres e inkurajoj partitë politike ta përdorin natyrën bipartiake të procesit administrues në dobi të interesave qytetare e publike, siç edhe inkurajoj median të informojë dhe ndikojë pozitivisht në transparencën e procesit”.

“Zgjedhjet e 8 majit janë momente përgjegjësie për të gjitha institucionet e parashikuar me ligj në përgatitjen, mbarëvajtjen dhe administrimin e tyre. Bashkë me ju, të nderuar qytetarë, pres që dita e votimit të kalojë në atmosferë të qetë, që administrimi i votës të jetë korrekt dhe në kohë, që KQZ, komisionet e niveleve të dyta dhe grupet e numërimit të jenë zbatues të paanshëm të ligjit, që vëzhguesit vendorë e të huaj të ushtrojnë pa asnjë vështirësi funksionin e tyre” tha Topi duke shtuar se pret dhe kërkon nga institucionet e rendit dhe sigurisë, prokuroria, gjykatat dhe Kolegji Zgjedhor, - të jenë aktivë dhe tërësisht profesionalë në përmbushjen e misionit të tyre ligjor".
(BalkanWeb)

No comments:

Post a Comment