Rama: Fushata, e karakterizuar nga dhuna ndaj PS-së

Kryetari i PS-së dhe kandidati për bashkinë e Tiranës, Edi Rama ka deklaruar në emisionin “Top Story” në Top Channel se kjo fushatë është karakterizuar nga dhuna ndaj kandidatëve dhe mbështetësve të PS-së.

“Fushata është karakterizuar nga kërcënime në të gjithë territorin që kontrollon pushteti duke vënë në presion mësues e nxënës që janë një dëshmi e frikës që ka Saliu nga 8 maji dhe vota”, tha Rama.

I pyetur se çfarë kishte vënë re gjatë rrugëtimit të tij në gjithë Shqipërinë, Rama tha se në zonat ku qeverisë mazhoranca ka një ngushtim të bashkëjetesës qytetare.

“Në të gjitha zonat e qeverisura nga Saliu, ku sundimi i harbutllëkut dhe inorancën që karakterizon qeverisjen e Saliut ka mbyllur njerëzit dhe ka ngushtuar hapësirën e bashkëjetesës qytetare”, theksoi Rama.

Kreu i PS-së ka theksuar se pakti me qytetarin është një nga arsyet se pse qytetarët duhet të votojnë për “Aleancën për të ardhmen”.

“Ne kemi të gjithë arsyet për të fituar se njerëzve u ka ardhur në maj të hundës me njerëz që qeverisnin si Saliu dhe nga ana tjetër ne ofrojmë një pakt qytetar që u ofron qytetarëve të drejta të barabarta”, tha ai.

Rama është shprehur optimist për fitore në zgjedhje.

“Nuk do ketë më historira grabitjesh, dhune dhe frike, në Kamëz apo Kavajë sepse jemi të bashkuar shumë fuqishëm për të përballuar një proçes elektoral që do na nxjerrë fitues në të gjithë Shqipërinë”, deklaroi ai.

I pyetur nëse po kërkon një mandat të plotë për bashkinë, Rama theksoi se Tirana ka nevojë për një politikë tjetër kombëtare.

“Këtë e vendos Tirana. Sot Tirana ka nevojë për një politikë tjetër kombëtare dhe një politikë zhvillimi ashtu si edhe gjithë Shqipëria”, tha Rama.

Ndërkohë pyetjes nëse do të jetë ai kryeministri i ardhshëm i vendit, nëse do fitojë zgjedhjet për pushtetin qendror, Rama tha se gjithçka është në dorën e qytetarëve.

“Këtë e vendosin qytetarët me votë”, theksoi Rama.


(top-channel.tv)

No comments:

Post a Comment