Berisha: Votoni kandidatët e “Aleancës për Qytetarin”

Sali Berisha, kryetari i Partisë Demokratike dhe kryeministër i Shqipërisë, ftoi të gjithë qytetarët e Shqipërisë të votojnë për kandidatët e “Aleancës për Qytetarin” më 8 maj.

“Sot, secili prej nesh ka vetëm një ëndërr: Tiranën e zhvilluar dhe europiane. Angazhohem solemnisht se vota e 8 Majit për Lulzim Bashën është votë për infrastrukturën më moderne europiane të Tiranës, është votë për rrugë, shkolla, kopshte të standarteve më të mira”, u shpreh Berisha duke folur nga sheshi Nënë Tereza.

“Vota për Bashën dhe të gjithë kandidatët e “Aleancës për Qytetarin” është votë për të shndërruar qytetet tona në qytete europiane; është votë për shkollimin e fëmijëve tuaj me standartet më të mira europiane; është votë për të shpalosur vlerat e mëdha të kombit tonë; është votë për të zhvilluar biznesin, për të ulur taksat; është votë për të shndërruar qytetet tona në qytetet më tërheqëse; është votë për të krijuar mijëra vende pune; është votë për të gjeneruar prosperitet; është votë për të ndërtuar Shqipërinë jeshile dhe të shëndetit; është votë për integrimin e Shqipërisë në Europë”, shtoi kreu i Partisë Demokratike.

Në fund të fjalës së tij, Berisha ftoi të gjithë qytetarët e Shqipërisë të votojnë për Lulzim Bashën në zgjedhjet e 8 Majit: “Le të shkojmë në këto zgjedhje duke nderuar miqtë tanë në Europë dhe Botë duke votuar njëlloj si ata: si qytetarë dhe të vendosur për të përcaktuar të ardhmen tonë europiane. Ju ftoj që më 8 Maj të votoni Lulzim Bashën dhe të gjithë kandidatët e tjerë të “Aleancës për Qytetarin”. Ju garantoj se çdo votë e juaja do të shndërrohet në sukses për ju.”

Për herë të parë, në fushatën e “Alenacës për Qytetarin”, ka qenë i pranishëm edhe Ilir Meta, kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim.


(top-channel.tv)

No comments:

Post a Comment