Rajan Gigs: Tituj? Kurrë nuk prisja të kaloja Liverpulin

Mesfushori i Mançester Junajtidit, Rajan Gigs ka pranuar se kurrë nuk e kishte pritur që një ditë do të arrinte të thyente rekordin e Liverpulit prej 18-të titujve në ligë, kur ai e fitoi të parin dhe të tetin për “Djajtë e Kuq” në vitin 1993. Vetëm një pikë i nevojitet Mançester Junajtidit nga dy ndeshjet e fundit kundër Blekbërn Rovers dhe Blekpul, pas fitores 2-1 ndaj Çelsit në “Old Trafford” të dielën, për të siguruar titullin e 19-të në histori të klubit.
Gigs ka qenë pjesë e të gjitha skuadrave që përfunduan në krye nën drejtimin e Sër Aleks Fergusonit, pas debutimit në moshën 17-vjeçare më 1990. Uellsiani, i cili shfaqi një tjetër paraqitje prej lideri në “Old Trafford” dhe theksoi se titulli “nuk është caktuar matematikisht”, por është jashtëzakonisht i lumtur me mundësinë e tejkalimit të Liverpulit. “Pesëmbëdhjetë ose 20 vite më parë kurrë nuk e kemi imagjinuar. Është arritje e madhe nga ky klub dhe menaxheri të tejkalojmë rivalin tonë më të madh nga vitet e 70-të e këtej”, tha Gigs për mediet angleze të hënën. Edhe pse titulli ende nuk është fituar, Gigs pranoi se fitorja ndaj Çelsit ishte “një hap i madh para”. “Tani duhet vetëm të përfundojmë punën, shpresojmë fundjavën e ardhshme. Na duhet të marrim një pikë nga dy ndeshjet e ardhshme. Është një mundësi e mirë për ne dhe do të mundohemi ta realizojmë sa më parë që të jetë e mundur. Blekbërn është një fushë e vështirë, por jam i sigurt se shumë tifozë do të vijnë për të na përkrahur në këtë transfertë. Do të jetë një atmosferë e mirë, gjithmonë është e tillë. Dhe, si zakonisht, ne nuk do të shkojmë për barazim, do të mundohemi të fitojmë”, shtoi ai. Titulli ende nuk është fituar, por festa në fund, përfshirë përkuljen e Fergusonit para “Stretford End”, nuk la askënd në dyshim. “Duke njohur futbollistët, ata nuk do të gabojnë. Ata do ta marrin edhe atë pikë. Nuk kam dyshim rreth kësaj”, tha Ferguson. “Prej kur fituam titullin e parë më 1993, dera u hap për ne. Të jemi të përfshirë çdo vit prej atëherë është arritje e jashtëzakonshme”, shtoi ai. Blekbërn ishte fusha ku e gjithë shpresa ishte shuar sezonin e kaluar, prandaj “Djajtë e Kuq” kanë rastin për hakmarrje. Gjithashtu Roversat të udhëhequr asokohe nga Alan Shirer, fituan titullin e tyre të tretë në vitin 1993 pikërisht kundër skuadrës së Fergusonit. “Do të tregojmë respekt për Blekbërnin dhe Blekpulin, sepse ato janë skuadra lokale për ne. Janë klube të mira të futbollit dhe duhet të kujdesemi që të mos i nënvlerësojmë”, përfundoi Ferguson.
(mapo.al)

No comments:

Post a Comment