Qosja: E vërteta e naftës së Berishës për Millosheviçin

Kur Kuvendi s'është i popullit Sa janë të pavarur me mendimet, me vlerësimet dhe me sjelljet e tyre deputetët e Kuvendit të Shqipërisë? Përgjigjja e vetme e drejtë, objektive, është: aspak.
Sa janë të pavarur me mendimet, me vlerësimet dhe me sjelljet e tyre deputetët e Kuvendit të Kosovës?
Përgjigjja e vetme e drejtë, objektive, është: herë aspak e herë pak, por gjithsesi pak më të pavarur sesa deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Deputetët shqiptarë, ndoshta deputetët e vetëm në Evropën e sotme, për punën e tyre politike dhe shoqërore nuk u përgjigjen atyre që i kanë zgjedhur, por partive prej të cilave janë zgjedhur kandidatë për deputetë.
Në qoftë se është kështu, në qoftë se, pra, deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë e pjesërisht edhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për punën e tyre politike dhe shoqërore nuk u përgjigjen atyre prej të cilëve kanë marrë votat dhe janë zgjedhur deputetë, po partive prej të cilave janë kandiduar për të hyrë në zgjedhje për deputetë, atëherë mund të thuhet: në jetën politike, shoqërore dhe shtetërore të popullit shqiptar sot nuk kemi deputetë, që mund të quhen deputetë popullorë, po deputetë që duhet të quhen deputetë partiakë.
Teorikët e shtetit dhe të demokracisë, kuvendet e tilla, të cilat janë të përbëra prej deputetëve të quajtur deputetë partiakë e jo deputetë popullorë, i quajnë, po ashtu, kuvende partiake e jo popullore.
Rrjedhimisht: populli shqiptar në Shqipërinë shtetërore dhe, pjesërisht, në Republikën e Kosovës, sot është i përfaqësuar prej deputetëve që nuk janë deputetë popullorë po deputetë partiakë. Kjo është njëra prej arsyeve, natyrisht vetëm njëra prej arsyeve, pse në jetën politike, shoqërore dhe shtetërore shqiptare sot nuk mund të flasim për qeverisje demokratike moderne, por, në radhë të parë, për sundim partitokratik. Haraçin e këtij sundimi, natyrisht, e paguan populli.
Pse mund të thuhet kështu?
Mund të thuhet kështu sepse në demokraci sendërtohet qeverisje për të mirën e të gjithëve, kurse në partitokraci qeverisje për të mirën e pjesëtarëve të partive sunduese, në rastet më të shpeshta për të mirën e klasës sunduese partiake dhe poltronëve të saj.
Mund të thuhet kështu sepse në sundimin e partitokracisë sonë është bërë mënjanimi i plotë i qytetarëve prej vendimmarrjes demokratike për çështjet kryesore të jetës së tyre dhe prej çdo kontrolli ndaj pushtetit!
Sesa e vrazhdë dhe sesa e paskrupuj është kjo partitokraci në kushtet e shoqërisë sonë ende kryesisht të mbyllur, në kushtet e tribalizmit tonë ende kryesisht të patejkaluar, rrejshëm të mbuluar me nocionet demokraci, integrime evropiane, integrime evroatlantike, identitet evropian, vlera evropiane, kulturë evropiane dhe me emrin e përveçëm Nëna Terezë, para së gjithash tregojnë sjelljet e saj të përditshme - të partitokracisë, shkeljet e Kushtetutës dhe të ligjeve, gjuha fyese dhe kërcënuese e rrugaçërisë e përdorur edhe në Kuvend, uzurpimi i disa medieve dhe kërcënimet ndaj të pauzurpuarave, rrenat e padrejtësitë e përditshme, korrupsioni në të cilin noton, privilegjat e shumta që paturpshëm gëzon, numri i poltronëve intelektualë me të cilët është rrethuar, padrejtësia arrogante ndaj të vegjëlve e të varfërve dhe servilizmi i neveritshëm ndaj të huajve. E të tjera.
Të gjitha këto veçanësi dëshpëruese të partitokracisë sonë i dëshmojnë edhe reagimet keqardhëse ndaj tyre të ambasadorëve evropianë në Tiranë, në mënyrë të veçantë reagimi i ambasadorit të Danimarkës - para një kohe dhe reagimi i ambasadorit të Holandës - para pak ditësh.
Fatkeqësisht, ndaj këtyre veçanësive, sjelljeve e veprimeve të partitokracisë sonë nuk po reagon as si duhet, as kur duhet edhe ambasadori i ri i SHBA-së në Shqipëri, Aleksandër Arvizu. Ndryshe prej paraardhësit të tij shumë të nderuar në shoqërinë shqiptare, Xhon Uidhers, ambasadorit Arvizu po i ndodh të përkrah kur e kur edhe të paligjshmen, kur e kur edhe të padrejtën, kur e kur edhe dhunëtarët e më së shpeshti djallin dhe të birin e tij.
Dëshpërimi im ndaj tij është aq i madh saqë ishte adhurimi im ndaj paraardhësit të tij.
Si është e mundshme të ndodhë kjo sot, njëzet vjet pas rënies së komunizmit? Si është e mundshme që populli shqiptar, i cili dyzet e pesë vjet ishte i sunduar prej totalitarizmit njëpartiak komunist që ishte shumë shtypës e i dhunshëm, por jo shfrytëzues dhe degjenerues si i sotmi - tani, njëzet vjet pas rënies së komunizmit, të jetë prapë i sunduar prej totalitarizmit, por tani prej një totalitarizmi tjetër: prej totalitarizmit shumëpartiak? Ja që është e mundshme?
Është çudi e Zotit se si dhe pse populli shqiptar, pas përvojës me totalitarizmin njëpartiak komunist, po sillet me mënjanëri (indiferencë) ndaj totalitarizmit të sotëm shumëpartiak shumanshëm të padurueshëm.
Deri kur?
Gënjeshtra e përsëritur
Siç dihet, mashtrimet dhe gënjeshtrat mund të jenë të llojllojshme dhe mund të jenë të llojllojshme sepse edhe motivet pse bëhen mund të jenë të ndryshme. Autorët e mashtrimeve dhe të gënjeshtrave ndonjëherë rrejnë për shkak të leverdive materiale, ndonjëherë për shkak të leverdive politike e, ndonjëherë, thjesht për qejf, sepse mashtrimi dhe gënjeshtra janë qenia e tyre.
Pavarësisht prej motiveve për shkak të të cilave bëhen, mashtrimet dhe gënjeshtrat herë tregohen shumë serioze e herë shumë qesharake.
Më nxiti që t'i harxhoj këto fjalë, një gënjeshtër që para pak ditësh, në njërin prej televizioneve të Tiranës, jo, më falni, në disa televizione të Tiranës, bëri kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Ishte kjo një gënjeshtër e tij e radhës, aq e nëpërdukshme, aq foshnjërake, aq qesharake, saqë, ata që e dinë të vërtetën, nuk do të mund ta dëgjonin pa qeshur të madhe dhe pa pyetur veten: a është në vete ky njeri?
Megjithëse ashtu e nëpërdukshme, ashtu foshnjërake, ashtu qesharake kjo gënjeshtër mbështetej në një paramendim larghedhës: me atdhetarizmin e gënjeshtërt, të mbajtur në përmbajtjen e saj, ajo u qitej përpara si karrem dëgjuesve shqiptarë, në mënyrë të veçantë dëgjuesve shqiptarë në Kosovë! Dhe, pikërisht ky atdhetarizëm mashtrues, ky atdhetarizëm karrem, e bënte këtë gënjeshtër më të padurueshme, në të vërtetë më fyese për disa nga dëgjuesit, por më të shijshme për disa nga dëgjuesit e tjerë, sidomos, në Kosovë.
Cila është kjo gënjeshtër e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, ç'është e vërteta, e shqiptuar prej tij jo për herë të parë?
E paraqitur pa thonjëza, gënjeshtra ka këtë përmbajtje:
Duke e ditur se Serbia, e vënë nën bllokadë ekonomike me vendimin e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, megjithatë, po furnizohej me naftë përmes Danubit prej anës së Rumanisë, unë kisha vendosur të furnizoj Kosovën dhe Malin e Zi me naftë.
Në shpjegimin pasues kryeministri do që t'ua mbushë mendjen dëgjuesve dhe shikuesve të tij se sa dhe pse ishte i vendosur që t'i ndihmonte Malin e Zi dhe Kosovën: Malin e Zi për arsye të fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve miqësore, kurse Kosovën për arsye të atdhetarizmit!
Nuk ka dyshim se kjo gënjeshtër e kryeministrit Sali Berisha do të mund të pranohej si e vërtetë prej ndonjë afrikani, aziatiku a australiani, që nuk ishin të interesuar të dinë se çka po ndodhte në ish Jugosllavinë në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të njëzet dhe që nuk kishin ditur se Kosova do të jetë nën sovranitetin e Republikës së Serbisë e të Jugosllavisë së mbetur (Serbia dhe Mali i Zi) deri më 12 qershore 1999, kurse Mali i Zi deri në vitin 2006 kur me referendum del prej asaj Jugosllavie. Duke mos qenë sovrane, në të vërtetë duke qenë e pushtuar prej Republikës së Serbisë dhe prej Jugosllavisë së mbetur, pas viteve të nëntëdhjeta duke qenë e shkelur prej një numri të shtuar njësishë policore dhe ushtarake serbe (dhe malaziase) Kosova në atë kohë nuk mund ta dispononte lirshëm asnjë pasuri të veten e aq më pak mund ta dispononte naftën që gjoja i dërgohej , e cila aq shumë i nevojitej Serbisë dhe Jugosllavisë së mbetur për luftën në të cilën ishte e zënë në Kroaci, në Bosnje e Hercegovinë dhe do të jetë e zënë shpejt edhe në Kosovë. Në shërbim të luftërave në të cilat Serbia dhe Jugosllavia e mbetur ishin të zëna në Kroaci e në Bosnje e Hercegovinë ishin të vëna edhe pasuritë e Malit të Zi. Nuk është e çuditshme, prandaj, pse cisternat e mbushura me naftën e çuar prej Republikës së Shqipërisë, në të vërtetë prej Sali Berishës, që krijonin kolona të gjata në Shtoj të Malit të Zi, nuk do të vazhdojnë për Kosovë po për Kralevë, Kragujevc, Nish e Beograd, kurse vetëm, një numër i vogël i tyre do të ndalet në Podgoricë (atëherë Titograd) për nevojat e vetë Malit të Zi. Në këtë mënyrë kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Sali Berisha, atëherë kryetari i Shqipërisë, Sali Berisha, deshi s'deshi po e furnizonte makinerinë ushtarake të Millosheviqit me naftë shqiptare dhe po i bënte të mundshme asaj të jetë edhe më vrastare në Kroaci, në Bosne dhe së shpejti në Kosovë. Unë, sot, nuk mund ta di saktë sa djali dhe sa vajza kosovare janë vrarë nga xhipat plot policë serbë e malazias, nga autoblindat dhe tanket e policisë e ushtrisë së Sllobodan Millosheviqit, por unë e di se shumë djem e vajza kosovare janë vrarë me armët e policëve, ushtarëve dhe paraushtarakëve të Sllobodan Millosheviqit, makineria vrastare me të cilën lëviznin ata ishte ushqyer me naftën që u çonte kryetari i Shqipërisë, Sali Berisha!
Po nuk është ky i vetmi fryt i zi i politikës së kryetarit të atëhershëm të Shqipërisë, Sali Berisha. Fryte të zeza të politikës së tij, që dëshmojnë tepër qartë se çka krejt ishte në gjendje të bënte kryetari i Shqipërisë, Sali Berisha, vetëm e vetëm për t'u mbajtur në pushtet, duke ia dhuruar Kosovën Serbisë, ka shumë, shumë më tepër. Për disa prej këtyre fryteve të zeza kam shkruar më herët unë, por më gjerësisht kanë shkruar edhe të tjerë.
Dhe, do të shkruhet më shumë, më gjatë dhe me dëshmi konkrete mbasi Shqipëria të çlirohet prej autoritarizmit despotik dhe prej gënjeshtrave dhe mashtrimeve si kjo që u trajtua në këtë mes të kryeministrit të sotëm të Shqipërisë, Sali Berisha.
Dhe, kjo ditë është gjithnjë e më e afërtë.
Bisedimet shqiptare-serbe
Po vazhdojnë bisedimet midis përfaqësuesve të Kosovës dhe përfaqësuesve të Serbisë.
Dhe, po vazhdojnë po thuaj sipas itinerarit që ishte caktuar para se të fillonin.
Bisedimet po vazhdojnë ndërsa reagimet partiake dhe vetjake ndaj tyre janë rralluar.
Dhe, kryesisht, janë paqesuar.
Nuk dihet sigurt se sa do të zgjasë vetëpërmbajtja e reaguesve qoftë në Prishtinë, qoftë në Beograd.
Para se të fillonin bisedimet, reagimet ndaj tyre përmbanin shumë çka: refuzimin e tyre të plotë prej shumicës së partive tona parlamentare; refuzimin e tyre prej shumicës së vetjeve që e quanin të nevojshme dhe të arsyeshme të reagojnë; refuzimin e tyre për shkak të bindjes se prej tyre vetëm Serbia përfiton dhe përfiton, në radhë të parë, për integrimin më të shpejtë në Bashkimin Evropian; refuzimin e tyre për shkak të mosbesimit të reaguesve ndaj qeverisë së Kosovës; refuzimin e tyre për shkak të mosbesimit ndaj përfaqësueses sonë në këto bisedime; refuzimin për shkak të mosbesimit në sinqeritetin e faktorëve ndërkombëtarë, që ishin paracaktuesit e këtyre bisedimeve.
Kishte në këto reagime edhe sinqeritet, edhe dyfytyrësi, edhe atdhetarizëm të përkushtuar, por edhe atdhetarizëm të shtirë.
Shpejt gati të gjithë reaguesit e kuptuan se bisedimet duhet të mbahen dhe duhet të mbahen, para së gjithash, për arsye se mbajtja e tyre është kërkuar prej faktorëve ndërkombëtarë,në radhë të parë prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj të cilave jo vetëm institucionet politike e shtetërore të Kosovës, por edhe çdo shqiptar i Kosovës duhet të jetë i perkushtuar dhe të mos harrojë kurrë se ato kanë bërë për ne çka nuk ka bërë, kurrë, asnjë shtet në botë. Dhe, jo vetëm për këtë arsye shqiptarët nuk mund t'ia lejojnë vetes luksin që të refuzojnë rendin e ditës të veprimtarisë politike të mikut të vet më të dëshmuar në histori.
Shpejt gati të gjithë e kuptuan se bisedimet duhet të mbahen edhe për arsye se Kosova dhe Serbia janë dhe do të jenë gjithmonë fqinjë. Gjeografia dhe historia janë përcaktuese të fqinjësisë së tyre. As Kosova nuk mund ta çojë Serbinë diku në Azi, por as Serbia nuk mund ta çojë Kosovën afër Rumanisë apo diku në Australi! Me fqinjët, zakonisht, është e nevojshme të bisedohet edhe kur nuk të bisedohet, edhe kur me ta nuk je ende i pajtuar siç nuk jemi ne ende të pajtuar me Serbinë për shkak të krimeve të shumta e të rënda që ka bërë regjimi i saj në Kosovë në luftën e fundit.
Shpejt gati të gjithë reaguesit u liruan prej mosbesimit ndaj qeverisë së Kosovës, por edhe rej mosbesimit ndaj përfaqësueses së Kosovës në bisedime. E kuptuan, megjithëse mund të besojmë se e dinin edhe më parë, se Kosovën nuk mund ta duan më shumë se Hashim Thaçin e Jakup Krasniqi dhe nuk mund ta duan më shumë se ata qoftë edhe pse nuk kanë luftuar si ata për lirinë dhe pavarësinë e saj qoftë pse, disa prej tyre, nuk kanë luftuar fare për lirinë dhe pavarësinë e saj, qoftë pse disa prej tyre ishin kundër luftës çlirimtare! Dhe, e kuptuan se përfaqësuesja shqiptare në bisedime, Edita Tahiri, është vetja, për një varg arsyesh, me mend e përzgjedhur për të kryesuar grupin tonë në këto bisedime.
Mbeti vetëm një reagues i papajtuar me bisedimet shqiptare-serbe. Ai vazhdon të kërkojë ndërprerjen e bisedimeve. Nuk e di a mendon se ajo që kërkon ai - ndërprerja e bisedimeve nga ana jonë, do të cenonte marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian, domethënë me dorëzanët tonë edhe në këto bisedime. Argumentet e tij janë lehtë të përmbysshme, por, megjithatë,edhe për një mospajtues të tillë duhet të ketë jo vetëm vend, që ia ka siguruar populli me vota, por edhe tolerancë në Kuvendin e Kosovës.
Bisedimet do të zgjasin më shumë se ç'mendohej në fillim, natyrisht, në qoftë se nuk i ndërpret ndonjë e papritur. E të papriturat në bisedimet shqiptaro-serbe kurrë nuk mund të jenë plotësisht të parashikueshme.
Një prej këtyre të papriturave u shfaq këto ditë.
Përfaqësuesi i Serbisë në bisedime tha, papritmas, se Serbia nuk e përjashton mundësinë e bisedimeve për, si u shpreh ai, ndarje të Kosovës, që ne në Prishtinë i themi: lëvizje e një pjese të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë.
Reagimet e përfaqësueses sonë dhe, në përgjithësi të institucioneve tona, ishin shumë të prera: nuk mund të ketë ndarje të Kosovës. Domethënë: nuk mund të ketë lëvizje të një pjese të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë.
Unë, ndërkaq, shtroj pyetjen: po përse të mos ketë jo ndarje, po lëvizje të një pjese të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë? Po të isha përfaqësues i Kosovës në këto bisedime unë do t'u thosha përfaqësuesve të Serbisë: po, zotërinj, edhe ne e pranojmë idenë e lëvizjes së kufirit në dy pika midis Kosovës dhe Serbisë. Ju kërkoni që Mitrovicën Veriore me zgjatimin e saj gjeografik verior t'ia bashkoni Serbisë, sepse do të thoni, serbët janë shumicë atje. Ne kërkojmë që t'ia bashkojmë Kosovës Luginën e Preshevës sepse shumica e popullsisë së kësaj Lugine janë shqiptarë. Ne, madje, propozojmë që vullnetin e popullsisë në Mitrovicën Veriore dhe në Luginën e Preshevës ta provojmë me referendum.
Mund ta marrim me mend se cili do të ishte reagimi i përfaqësuesve serb ndaj këtij propozimi të përfaqësuesve shqiptarë.
Në bisedimet shqiptaro-serb, tani, mund të paraqitet edhe ndonjë e papritur tjetër, dikush mund të thotë edhe më e rëndë se e papritura e parë, kurse unë do të përgjigjesha: aspak e rëndë. Përfaqësuesit serbë mund të ngrenë çështje të paqena më çështje. Por përfaqësuesit tonë në bisedime, në vend se t'i lëshojnë bisedimet, siç ua këshillojnë disa reagues në Kuvendin e Kosovës, do të duhej t'u përgjigjen gjakftohtë, qetë, buzëqeshur, duke ua përkujtuar thënien amerikane për Kosovën: rrëfimi për Kosovën është i kryer.
Tani e tre vjet të shkuara ka filluar një histori tjetër e Kosovës: ka filluar historia e Kosovës Shtet i lirë, demokratik, i pavarur dhe sovran, i njohur prej rreth 80 vendeve në botë në mesin e te cilave edhe prej fuqive më të mëdha politike ekonomike e ushtarake - prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe prej Bashkimit Evropian dhe i shpallur i ligjshëm prej Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ne dëshirojmë që Serbia ta njohë Kosovën shtet dhe ta njohë për të mirën e saj, të Serbisë, dhe për të mirën e Kosovës. Në qoftë se e njeh ajo Kosovën edhe Kosova do ta njohë Serbinë dhe do ta njohë për të mirën e vet dhe për të mirën e Serbisë.
Në qoftë se për shkak të kësaj çështjeje do të ndërpriteshin bisedimet, atëherë le t'i ndërpresë Serbia e jo ne - le t'i ndërpresë Serbia dhe le të paguajë çmim siç ka paguar edhe për shkak të refuzimit që të nënshkruajë Marrëveshjen e Rambujesë.
Pavarësisht prej të priturave e të papriturave që mund të shfaqen në to, bisedimet shqiptare - serbe do të sjellin pak fryte. Mjerisht. Për të sjellë fryte që u shërbejnë qytetarëve të Kosovës të të gjitha perkatësive etnike, në këto bisedime do të duhej të ishte një Serbi e liruar prej mitologjisë mesjetare per Kosovën dhe per popullin qiellor serb. Por kjo nuk është punë e lehtë sepse serbët ishin shumë gjatë, me shekuj, të pushtuar prej kësaj mitologjije.
Ne prandaj duhet të jemi të durueshëm dhe të vetëdijshëm se pas fitoreve punët e mira bëhen ngadalë.

No comments:

Post a Comment