Pike: Te Junajtid, u bëra burrë!

Mbrojtësi i Barcelonës tregon për periudhën kur ishte pjesë e “djajve”
Mbrojtësi i Barcelonës, Xherrard Pike, ka pohuar se e ka pasur të vështirë të ambientohej me jetën në Angli dhe se do ta përdorë atë që ka mësuar te Mançester Junajtid kundër ish-skuadrës së tij në finalen e Ligës së Kampioneve.

Lojtari spanjoll luajti katër vjet në “Old Traford”, ku u përball me një lojë të fortë fizikisht, por nuk ishte zgjedhja e parë e Sër Aleks Fergusonit kur bëhej fjalë për formacionin titullar. “Kur shkova në Mançester, klubi më vendosi të qëndroja me një familje. Pas disa ditësh e kisha idenë se çfarë më rezervohej: kek ose peshk dhe patate.

Një herë nxorrën në tavolinë një kek të ngrohtë limoni - e shpifur. Megjithatë, nuk u bëra pishan për zgjedhjen time sepse ajo kohë që kalova në Angli më bëri ky që jam sot. Ishte një lloj tjetër loje, më fizike dhe e drejtpërdrejtë.

Unë mësova si të përdor trupin tim për të mbrojtur portën sepse shpesh lojtarët të vijnë nga pas. Atëherë kam punuar shumë dhe shtova nëntë kilogram në peshë vetëm muskuj. Në Mançester u bëra burrë”, ka thënë Pike.

Lojtari 24-vjeçar nuk qe i pranishëm në finalen e Ligës së Kampioneve kundër Çelsit në 2008-ën, por një vit më vonë ai e ngriti atë trofe me katalanët duke mundur pikërisht ish-klubin e tij 2 0 në Romë. Para ndeshjes në “Uembli”, ai ka krahasuar stilin e lojës së trajnerit Pep Guardiola me atë të Fergusonit.

“Ata që të dy kanë aftësinë të motivojnë skuadrat. Guardiola flet më me qetësi, kurse Ferguson synon t’i karikojë të tijtë me më shumë agresivitet.”

Barcelona merr Hoze Angelin

Hose Angel do të jetë lojtar i Barcelonës. Ky vjen nga Sporting Gijoni, pasi të mbarojë vizitat mjekësore, sipas mediave spanjolle. Klubi kampion i Spanjës do të paguajë rreth 4 milionë euro për lojtarin që luan në krah të majtë të mbrojtjes në një transferim që ka lënë pa fjalë kampionatin spanjoll.

Barça flitet se ishte e interesuar për këtë lojtar prej disa kohësh dhe tani është më pranë se kurrë blerjes së tij. Presidenti i klubit të Gijonit, Manuel Vega Arango, ka qenë dje në Katalonjë për të finalizuar transferimin.

Lojtari 21 vjeçar është produkt i akademisë së Sporting Gijonit dhe është bërë një lojtar i rëndësishëm i skuadrës së parë që prej debutimit të tij në shkurt 2009, madje ka luajtur edhe për Spanjën Under 21.

Gjigandët e “Kamp Nou” do t’i ofrojnë lojtarit një kontratë katërvjeçare pas përfundimit të vizitave mjekësore, që do të bëhen këtë javë. Me kthimin e Erik Abidal në aksion, e ardhmja e dyshes Maksuell-Adriano vihet në dyshim.

Marselo Bielsa shkon drejt Seviljes

Skuadra e Seviljes e sheh trajnerin Marcelo Bielsa si zgjedhjen perfekte për të zëvendësuar trajnerin Gregorio Manzano këtë verë. Andaluzianët nuk janë të kënaqur me lojën e skuadrës këtë vit dhe duan të emërojnë një trajner të ri.

Ata flitet se do të marrin Hoakin Kaparros nga Atletik Bilbao ose Marcelino Garcia Toral të Santanderit, por tashmë është përmendur edhe emri i 55-vjeçarit Bielsa. Sevilja i ka bërë një ofertë Bielsës që të marrë drejtimin e skuadrës dhe kanë shpresë që ish-trajneri i Argjentinës do të përgjigjet së shpejti. Por ata kanë edhe konkurrencën e Romës nga Seria A, siç thonë mediat italiane.

(sportishqiptar.com.al)

No comments:

Post a Comment