PE: Votimi i rregullt dhe i qetë por ka vend për përmirësime

PE: Votimi i rregullt  dhe i qetë por ka vend  për përmirësimeTIRANË-Në një deklaratë të delegacionit të Parlamentit Evropian, të publikuar për mediat nga delegacion i BE-së në Tiranë, procesi i votimit më 8 maj vlerësohet “në përgjithësi i rregullt dhe i administruar në mënyrë paqësore”.

Por delegacioni i PE-së konstaton në deklaratën e tij, mangësi të tilla si votimet familjare, vonesat në hapjen e qendrave të votimit, konfuzionin në kohën e mbylljes së një sërë qendrash votimi dhe vonesa në procedurat e numërimit.
Delegacioni i deputetëve të Parlamentit Evropian mendon që ndonëse votimi u krye në mënyrë të rregullt dhe të qetë, një sërë përmirësimesh do të rrisnin integritetin e procesit zgjedhor.
Ai u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira në procesin zgjedhor, të veprojnë me përgjegjësi dhe të mundësojnë pas zgjedhjeve rifillimin e reformave demokratike.
Delegacioni i deputetëve të PE-së zhvilloi takime me aktorët e përfshirë në procesin zgjedhor, kreun e Delegacionit të BE në Tiranë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri përfaqësues të shoqërisë civile dhe të medias. Nga këto takime delegacioni krijoi përshtypjen se skena politike në Shqipëri mbetet tejet e polarizuar, thekson deklarata. 

(BalkanWeb.com)

No comments:

Post a Comment