Pato si Maldini

Alexandre Pato përveç se dëshiron të mbetet në Milan, synon që një ditë të fitojë statusin e ikonës së klubit, sikurse ish kapiteni legjendar, Paolo Maldini. Sulmuesi i ri brazilian është i lumtur me Scudetton e fituar këtë sezon, por nuk planifikon të ndalet me kaq. Në edicionin e ardhshëm kërkon Ligën e Kampionëve.

Shkurtë dhe qartë, Alexandre Pato nuk dëshiron të largohet nga Milan. Ylli i ri brazilian, i cili këtë sezon fitoi Scudetton e tij të parë, ka konfirmuar besnikërinë e tij ndaj Rossonerëve, duke u shprehur i gatshëm të mbetet në klub për të ardhmen afatgjate.

Nuk merr fund me kaq. Pato synon të fitojë statusin e simbolit, sikurse ish kapiteni legjendar i Milanit, Paolo Maldini.

“Nuk i shikoj gjërat si Zlatan Ibrahimoviç (i cili kishte thënë se preferon të ndërrojë klube). Dua të mbetem këtu dhe të bëhem ikonë e këtij klubi si Paolo Maldini. Mirëpo, për t’u bërë simbol i një ekipi duhet të fitoni shumë”, tha Pato gjatë një interviste me të përditshmen sportive italiane Gazetta dello Sport të enjten.

Pato preku Scudetton këtë sezon pasi golat e tij i ndihmuan Milanit të sigurojë titullin e parë në Serie A pas shtatë viteve.

“Ishte gëzim i papërshkrueshëm. Nuk e kam vërejtur aq shumë në Romë, por në ditën e nesërme, kur kam lexuar të gjitha gazetat dhe kuptova se çka kemi arritur. Ronaldo më telefonoi para ndeshjes me Romën dhe më uroi fat.

Ky Scudetto i takon edhe atij”, shtoi Pato. Pavarësisht suksesit në fushë, ky sezon nuk kaloi pa probleme për brazilianin, i cili kaloi një periudhë në dhomën e tretmanit.

“Jam i hidhëruar pak që nuk kam luajtur më tepër. Isha i lënduar për gjashtë muajt e parë dhe kam luajtur vetëm në gjysmën e ndeshjeve, për dallim nga të gjitha që do të kisha dashur. Më duhet të pranoj se fillova të brengosem, por janë periudha kur ju pësoni lëndime. Po, më ka ndihmuar të kuptoj se më duhet të punoj më tepër rreth muskujve për të gjetur balancën fizike. Tani punoj shumë për të mos u lënduar dhe jam i sigurt se sezonin e ardhshëm do të jem më mirë”, u shpreh ai.

Pasi shikoi suksesin në Serie A, sulmuesi është i uritur për më tepër më 2011 e tutje.

“Kam fituar Scudetton, por nuk dua të ndalem me kaq. Më pret Copa Amerika dhe Superkupa e Italisë. Pastaj, vitin e ardhshëm, dua të përqendrohem në Ligën e Kampionëve. Me ekipin që kemi nuk duhet të kemi frikë prej askujt. Ishim të pafat kundër Tottenhamit këtë sezon, por morëm mësim dhe nuk do të përsërisim gabimet e njëjta”, përfundoi Pato.

21 vjeçari u transferua në Milan më 2007 nga klubi brazilian Internacional. Në të kaluarën ai është kërkuar me ngulm nga Chelsea, por u ka rezistuar përpjekjeve të gjigantit londinez për transferimin e tij në Stamford Bridge. Së fundmi, Pato ka filluar një lidhje dashurie me Barbara Berlusconi, vajzën e pronarit të Milanit, Silvio Berlusconi.
(www.gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment