“Maya”, mes 5 filmave më të mirë në “Swansea Bay”

Festivali

Për të dytën herë, regjisori Pluton Vasi merr pjesë në Festivalin e Filmit “Swansea Bay”, një ndër festivalet më të njohura të kinematografisë botërore. Filmi i tij i parë artistik me metrazh të gjatë, "Maya", është nominuar ndër pesë filmat më të mirë në edicionin VI të Festivalit të Filmit 'Swansea Bay' që do të zhvillohet nga datat 5-15 maj në Uells në Britaninë e Madhe, një festival që organizohet me mbështetjen e aktores hollivudiane, Catherine Zeta Jones dhe Michael Sheen OBE. Dy vjet më parë, Vasi ishte pjesëmarrës në të njëjtin festival me filmin me metrazh të shkurtër "Shqetësimet e një obezi". Në këtë festival, që do të kulmojë më 15 maj, me një mbrëmje Gala të shpërndarjes së çmimeve, organizatorët kanë menduar të paraqesin për publikun një numër sa më të madh filmash, që do të shfaqen ‘free’ në Dylan Thomas CentreDylan Thomas Centre. Konkurrentët në këtë festival janë jo vetëm regjisorë me emër, por dhe regjisorë të rinj dhe studentë, të cilët prezantohen me gjini të ndryshme filmash si dokumentarë, horrorë, të animuar, video etj. Festivali i dedikohet kryesisht filmit të pavarur dhe eksperimental dhe qëllimi i tij është të promovojë talentet ndërkombëtare në fushën e aktrimit dhe të filmbërjes (regjisorë, aktorë, skenaristë). Ky është një festival që premton të "respektojë zërin individual" dhe organizatorët presin edhe më shumë vizitorë se në edicionet e mëparshme. Qëllimi i tij është të paraqesë një forum publik të gjerë për prodhuesit e pavarur dhe eksperimentalë të filmit dhe të ofrojë një shtrirje edukative. Festivali i filmit "Swansea Bay" është një festival kualifikues për çmimin e filmave të pavarur britanikë. Filmi shqiptar “Maya", me regji të Pluton Vasit, që u shfaq premierë në tetor 2010 vetëm për një publik të zgjedhur, nisi të shfaqet këtë vit për publikun e gjerë në kinematë "Imperial" (Sheraton) dhe “Agimi”. "Maya", me skenar të Luljeta Lleshanakut dhe produksion të Vjollca Dedeit, trajton realitetin e jetës së njerëzve në thjeshtësinë e tyre, një realitet që mund të gjendet kudo në vendet më me traditë të Shqipërisë. Në filmin e tij të parë artistik me metrazh të gjatë, regjisori Vasi ka zgjedhur aktorët: Genti Kame, Rovena Lule, Alert Çeloaliaj, Myzafer Ziflaj, Xhevahir Zeneli, Mariana Kondi, Arben Derhemi, Zyliha Miloti. Maya, personazhi kryesor i filmit, është një grua e re, nënë e dy vajzave që bën një jetë rutinë në qytezën Gromas. Jeta e saj ndryshon rrjedhë kur në qytezë shkel Samiu, një djalë i ri i ardhur nga jashtë vendit për një amanet të të atit: ta varrosë në vendlindje. Samiut i pëlqen Gromasi dhe vendos të rrijë një kohë të gjatë aty, por kjo nuk është e lehtë për të. Filmi rrëfehet nëpërmjet zërit të narratorit dhe flashback-ut, ose thënë ndryshe, kthimit të copëzave të ngjarjes në memorien e njërit prej personazheve. Filmi “Maya”, realizimi më i fundit i Pluton Vasit, është një prodhim shqiptar me buxhet të vogël i “Art Film P&D”. “Maya” është i pari film artistik me metrazh të gjatë i regjisorit Pluton Vasi, i cili përgjithësisht ka krijuar në gjininë e dokumentarit. Vasi është autor edhe i filmave dokumentarë: “Lojë botësh”, “Mjekër e thinjur”, "Çdo të thotë", "Kënga", "Gjitoni". "Kënga" u nderua me çmim të parë në Festivalin Botëror të Arshivës për Filmin Dokumentar, zhvilluar në Badenbaden të Gjermanisë në korrik 1997.

No comments:

Post a Comment