Kreu i FMN-së, nën akuzë për abuzim seksual

Shtraus Kan, nën hetim për akte të dhunshme seksuale ndaj një punonjëseje në hotelin ku qëndronte.
Drejtori i përgjithshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominik Shtraus Kan, u arrestua një ditë më parë në Nju Jork, me akuzën e ngacmimeve seksuale ndaj një punonjëseje shërbimi në hotelin ku ai qëndronte. Akuzat e ngritura nga prokurorët në Nju Jork kundër udhëheqësit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominik Shtraus Kan, janë sekuestrim, agresion seksual dhe tentativë për përdhunim. Lajmi është publikuar nga “New York Times”, që në faqen e internetit shpjegoi se ngjarja është konfirmuar nga policia e metropolit amerikan. Shtraus Kan, 62 vjeç, është duke u marrë në pyetje, shtoi zëdhënësi, për shkak të një tentative përdhunimi ndaj një punonjëse shërbimi 32-vjeçare që menjëherë pas kësaj ngjarjeje u largua nga dhoma e “Sofitel Hotel” në Nju Jork afër “Times Square”. Shtraus Kan, kandidati i mundshëm socialist francez për zgjedhjet presidenciale të vitit 2012, menjëherë pas kësaj ngjarjeje u largua nga hoteli, duke iu drejtuar një avioni të “Air France” me destinacion Parisin në Aeroportin JFK. Por shefi i FMN nuk ka mundur dot të largohet nga aeroporti, pasi agjentët e policisë aeroportuale arritën ta ndalonin në kohë për ta dorëzuar më Departamentin e Policisë së Nju Jorkut. Paul Browne, zëdhënësi i policisë njujorkeze, tregoi se kamerierja ka rrëfyer se hyri në suitën e drejtorit të FMN-së rreth orës një pasditen e së shtunës. Kan kishte dalë i zhveshur nga dhoma e tij e gjumit, e kishte shtrirë përtokë dhe ishte përpjekur ta përdhunonte. Vajza kishte arritur në njëfarë mënyre të lirohej dhe të largohej nga dhoma, duke treguar gjithçka kishte ndodhur te drejtuesit e hotelit që më vonë kishin bërë denoncimin në polici. Kur mbërriti policia, ai ishte larguar nga dhoma e hotelit, duke lënë aty telefonin celular dhe sende të tjera personale. “E gjitha kjo të bënte të kuptoje se ishte larguar me shpejtësi të madhe”, tha Browne. Në të vërtetë, Shtraus Kan duhej të linte Nju Jorkun për t’u rikthyer në Europë, ku do të takohej me Angela Merkel, e do të merrte vendime të rëndësishme për takimin e ministrave të Financave të BE-së, mbi mbështetjen dhe ndërhyrjen në ekonomitë e Greqisë dhe Portugalisë. Arrestimi i tij ka përhapur panikun se do të ketë ndikime në ekonominë europiane, në veçanti sot në mëngjes me rihapjen e bursave. Shpejtësia me të cilën është larguar nga hoteli – nuk dihet ende nëse ka kapur avionin e prenotuar apo ndonjë tjetër - është përshkruar nga policia si tentativë për t’u larguar sa më parë të ishte e mundur nga qyteti.

Në momentin që ka zbritur nga avioni, sipas “New York Post”, Shtraus Kan ishte befasuar duke thënë: “Çfarë po ndodh?”. Gruaja, që kishte qenë pre e një tentative përdhunimi u dërgua në spital. Një zëdhënës i FMN-së në Uashington nuk ka dashur të bëjë komente për këtë ngjarje. Shtraus Kan, anëtar i Partisë Socialiste franceze që prej vitit 1976, u emërua drejtor i FMN-së në nëntor të vitit 2007. Para kësaj detyre kishte qenë deputet në Asamblenë Kombëtare Franceze, profesor ekonomie në Institutin e Studimeve Politike në Paris dhe ministër i Financave në periudhën 1997-‘99. Mbi të ishin kthyer sytë e një pjese të mirë të Partisë Socialiste, që e shihnin si kundërshtar të Sarkozi në garën për Elizeun. Sipas medias në Paris, ky skandal shënon fundin e karrierës politike për kreun e FMN-së si kandidati socialist për presidencialet e 2012-s. Në tetor të vitit 2008, ai ishte përfshirë në një skandal për një lidhje me një vartësen e tij, punonjëse të FMN-së, për të cilën i kishte kërkuar falje publikisht vajzës, Piroska Nagy, dhe gruas së tij të tretë Anne Sinclair, një personazh i njohur i televizionit francez. Gjithsesi në atë rast kishte mohuar se kishte abuzuar me pushtetin që përfshinte një ish të dashurën e tij të paguar më tepër se sa i takonte. Incidenti i ndodhur në Nju Jork vjen në një moment kur Shtraus Kan është në qendër të mediave franceze për stilin tij të jetës shumë të shthurur.
(gazeta-shqip.com)

No comments:

Post a Comment