Këngëtaret nga Kosova “Mbushen me mend”, fillojnë të paguajnë tatimet….

Për dallim nga vitet e kaluara, ku pjesa dërmuese e këngëtarëve nuk kanë paguar tatim, këtë vit numri i tatimpaguesve është rritur dukshëm. Masat e rrepta të ATK-së kanë ndikuar që estrada të nisë me procedurat e tatimeve. Mirëpo sipas ATK-së çështja qëndron në faktin se nuk janë të mjaftueshme shifrat që paguajnë disa këngëtarë që vlerësohen si këngëtarët që fitojnë më së shumti nga koncertet dhe mbrëmjet muzikore.
“Ne kemi pasur disa komunikime me këngëtarë të ndryshëm dhe siç edhe ju e dini ata në përgjithësi i nënshtrohen detyrimeve tatimore. Mirëpo, çështja është se a paguajnë shumën e duhur apo jo? Pas disa komunikimeve të vazhdueshme që kemi pasur, disa nga ta kanë paguar tatimin në baza vullnetare, kurse te disa jemi obliguar që të ushtrojmë kontroll, si dhe kemi marrë masa të mbledhjes së detyrueshme në mënyrë që t’i mbledhim tatimet e pa-paguara”, është shprehur Ruzhdi Zenelaj, menaxher për edukim të tatimpaguesve.

Dani e Xeni e paguajnë rregullisht

Disa nga këngëtarët që paguajnë rregullisht janë Ramadan Krasniqi-Dani, i cili tash e 9 vjet paguan tatim. “Jam i rregullt në pagesa të tatimit, në çdo 3 muaj paguaj nga 940 euro”, thotë ai. Pas Danit është edhe Shkëlzen Jetishi-Xeni, i cili thotë se që nga viti 2002 paguan tatim.

“Tatim paguaj sipas fitimeve që i kam nëpër mbrëmjet e mia muzikore, kontabilisti im merret me pagesat dhe nuk e di saktësisht se çfarë shume paguan ai në çdo 3 muaj”, thekson ai.

S’mund të dalin jashtë Kosove

Sipas ATK-së një nga masat që shumicën e tyre i ka obliguar të paguajnë borxhin ndaj ATK-së, ka qenë edhe ndalesa për largim nga Kosova. Pasi që në aeroport apo në pika kufitare ata nuk janë lejuar që të largohen nga Kosova, janë detyruar që të vijnë në ATK dhe të paguajnë borxhet e tyre.

Ndër të shumtët e këngëtarëve që i kryejnë obligimet ndaj shtetit janë edhe Sabri Fejzullahu bashkë me Ermalin të cilët thonë se pagesat i bëjnë në bazë të paraqitjeve që kanë në ATK. “Paguajmë në çdo 3 muaj sipas të dhënave që i kemi në ATK, shuma varet prej fitimeve që i kemi në çdo paraqitje tonën”, kanë pohuar familja Fejzullahu.

Labi vjet i pagoi 7 mijë euro

Në bazë të fitimeve që ka në koncerte dhe mbrëmje muzikore paguan edhe Labinot Tahiri, i cili thotë se vitin e kaluar ka paguar 7 mijë euro. “Ndonjëherë paguaj çdo 3 muaj e ndonjëherë në çdo 6 muaj, vetëm vitin e kaluar kam paguar 7 mijë euro”, shprehet Labi.

Edhe këngëtarja Shkurte Fejza, Shkumbin Kryeziu, Mimoza Mustafa bëjnë pjesë në listën e tatim paguesve. Sipas z. Zenalaj ATK-ja, për çdo vit ka disa plane operative, të cilat ndërmerren nëpër terren në mënyrë që të sigurojë dëshmi të ndryshme në lidhje me të hyrat që realizojnë këngëtarët. Ata janë në vëzhgime të vazhdueshme sidomos gjatë sezonit të verës kur edhe realizojnë më shumë të hyra.

“Bazuar në dëshmitë që krijohen gjatë këtyre periudhave si dhe bazuar në faktet e tjera që gjenden në mënyra të ndryshme, ATK-ja, e bën vlerësimin e këngëtarëve dhe i ngarkon me tatim shtesë, duke vendosur edhe ndëshkimet e parapara me legjislacion, nëse ata nuk kanë paguar shumën e nevojshme të tatimit duke u bazuar në të ardhurat e tyre që realizojnë”, pohon ai.

Plotësona kushtet, e paguajmë tatimin

Në Kosovë kemi edhe shumë këngëtarë të tjerë që nuk i kryejnë obligimet tatimore. Por paralajmërimi i ATK-së duket që nuk e shqetëson edhe aq estradën kosovare, shumë prej të cilëve as nuk janë të regjistruar në Agjencinë Tatimore.

Disa prej tyre thonë se nuk e kanë ndërmend të paguajnë, para se shteti t’u krijojë kushte që ata të regjistrohen si këngëtarë. Njëra ndër to është Zanfina Ismaili, e cila ende nuk është e regjistruar në Agjencinë Tatimore.

“Ne këngëtarët nuk kemi kushte, ne nuk kemi ligj për të drejtat e autorit, nuk mbrohemi nga askush. Nëse rregullohen të gjitha këto mangësi, atëherë edhe unë do të paguaj tatim. Tatimin në fitim nuk e paguan as këngëtarja Arta Bajrami, e cila përveç që nuk është e kënaqur me përkushtimin e shtetit ndaj këngëtarëve, ajo tashmë është shtetase e Gjermanisë dhe thotë se nuk i takon të paguaj.

“Unë nuk mund të paguaj për një shtet që mua nuk më siguron asgjë, madje ne këngëtarët nuk kemi në dorë asgjë. Mirëpo përveç saj unë tashmë jam bërë shtetase e Gjermanisë dhe nuk kam obligim të paguaj”, shton ajo.

Listës së këngëtarëve që nuk paguajnë i prijnë edhe shumë të tjerë, madje disa prej tyre nuk duan të flasin për këtë temë.

(vipat.info)

No comments:

Post a Comment