Kampioni quhet Manchester United

Manchester Unitedi është kampion i sezonit 2010/2011 në Angli, pasi me rezultat 2-1 e ka mposhtur rivalin e drejtpërdrejtë për titull, Chelsean, në derbin e javës së 36-të të Ligës Premier.

Në takimin e zhvilluar në Old Trafford, vendasit e dominuan tërësisht fraksionin e parë të lojës duke arritur të realizojnë dy gola.

Në sekondat e para të takimit, Javier 'Chicharito' Hernandez zhbllokoi rezultatin pas një pasimi të Ji-Sung Park për t’ua ofruar një kënaqësi të hershme tifozëve në Old Trafford.

Ryan Giggs gjeti për mrekulli mbrojtësin Nemanja Vidic, i cili shënoi me kokë për rezultatin 2-0 (23’), me të cilin u mbyll gjysma e parë.

Chelsea e nisi mirë gjysmën e dytë duke e diktuar lojën, mirëpo lojtarët me fanella blu vështirë gjenin hapësira kundrejt mbrojtjes vendase.

Një krosim i Ramires e gjeti Branislav Ivanovicin i cili goditi me kokë drejt portës, ndërsa Frank Lampard e plasoi topin në rrjet (69’) për t’u dhënë shpresa mysafirëve që të nxirrnin së paku një barazim.

Deri në fund të takimit, Blutë nuk arritën që së paku ta barazonin rezultatin, ashtu që Manchester United shpallet kampion me gjashtë pikë diferencë, dy javë pa përfunduar Liga Premier.

Megjithatë për t'u kurrërëzuar me titullin e 19-të dhe për të thyer rekordin, Djajtë e Kuq duhet ta fitojnë edhe një pikë në xhiron e radhës pasi nuk ka përfunduar gjithçka sa i përket golaverazhit (nëse Chelsea i fiton të dyja ndeshjet e radhës me epërsi të lartë dhe United i humb të dyja takimet e mbetura me epërsi të lartë, gjë që nuk mund të ndodhë).

 /Telegrafi/

No comments:

Post a Comment