Ish-shefi i SHISH Klosi: Si asgjësuam celulën e Bin Ladenit

TIRANE- Ish-shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, në një intervistë të dhënë dje për “Gazeta Shqiptare, ka komentuar vrasjen e kreut të organizatës terroriste Al Kaeda, Osama Bin Laden si dhe ka sqaruar disa nga operacionet e përbashkëta mes SHISH-it dhe CIA-s për asgjësimin e celulave të terrorizmit në Shqipëri.Udhëheqësi i rrjetit terrorist të Al Kaeda është vrarë në një operacion të forcave amerikane në Pakistan. Çfarë do të thotë ky lajm për një ish-shef të Shërbimeve Inteligjente shqiptare, i cili ka pasur një bashkëpunim të ngushtë institucional në luftën kundër terrorizmit, qoftë me CIA-n ashtu edhe me shërbimet sekrete të vendeve anëtare të NATO-s?
Padyshim është një lajm i rëndësishëm. Drejtësia u vu në vend dhe amerikanët e bënë detyrën e tyre. Nuk besoj se ka qenë punë e kollajshme vrasja e tij. Atje ku ka ndodhur kjo ngjarje, është një zonë e vështirë qoftë për nga natyra qoftë për mentalitetin e atyre njerëzve. Prandaj, kjo ishte një sfidë shumë e madhe jo vetëm e SHBA-së, por e gjithë botës për ta kapur. Kjo që ndodhi mendoj se është një mesazh shumë i fortë për të gjithë terroristët, të cilët sado të vështirë në dukje për t’u kapur, sado të mbrojtur apo të sofistikuar të jenë nuk do t’i shmangen dot hakmarrjes së gjithë njerëzimit.
Në gjykimin tuaj, sa vendimtar është eliminimi i kreut të Al Kaedas, në luftën kundër terrorizmit?
Nuk besoj se është vendimtar, por sigurisht që është shumë i rëndësishëm. Bin Laden nuk ishte vetëm kreu që administronte këtë organizatë, ishte në njëfarë mënyrë, një hero, një idhull i saj. Nga kjo pikëpamje kjo organizatë është dëmtuar shumë. Por nuk e besoj që një organizatë e shtrirë kaq gjerë, në të gjithë botën, të jetë e drejtuar thjesht dhe vetëm personalisht prej tij. Sigurisht që ka një strukturë të zhvilluar, ka shtabet e saj etj. Do ishte shumë e pamençur që kjo organizatë të mendohet se varet vetëm nga dora e një njeriu. Kjo që ndodhi ishte hapi i parë, shumë i rëndësishëm për luftën kundër kësaj organizate, por mos harrojë që është një organizatë shumë e sofistikuar dhe kjo e bën atë ende shumë të rrezikshme. Nuk besoj se do të jetë shumë e lehtë shkatërrimi përfundimtar i saj. Do kërkoj shumë punë qoftë të karakterit ushtarak dhe policesk ashtu edhe ideologjik.
SHISH-i ka luajtur një rol të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit. Në periudhën kur ju keni qenë shef i Shërbimeve Inteligjente, në vitin 1998, në bashkëpunim me CIA-n ju arritët të godisni në Tiranë një celulë të Xhihadit Islamik, që ishte nën komandën e Osama Bin Laden. Mund të na thoni si arritët të identifikonit këtë grup terrorist?
Po është e vërtetë që këtu tek ne ka pasur një celulë të terroristëve. Asgjësimi i saj është bërë në periudhën, së cilës ju i referoheni. Informacioni se 4 të dyshuarit për terrorizëm ndodheshin në Shqipëri na erdhën nga shërbimet sekrete të huaja.
Nga cili shërbim konkretisht?
Nga shërbimet inteligjente amerikane, të cilat na informuan se katër persona ndodheshin në territorin tonë.
Cili ishte roli i SHISH-it në këtë operacion?
Ne arritëm të zbulonin vendndodhjen e tyre, pasi të katër personat, të cilët akuzoheshin në vendet e tyre për terrorizëm, fshiheshin me identitete të rreme.
Si ishin kamufluar në Shqipëri?
Prezantoheshin si punonjës të organizatave bamirëse të ndryshme, të cilat shpërndanin ndihma në Shqipëri.
Mund të na thoni ndonjë detaj konkret lidhur me këto operacione?
Ju lutem kuptoni pozitën time. Në cilësinë e ish-shefit të Shërbimeve Inteligjente, nuk me lejohet, të paktën as moralisht, që të flas për detaje konkrete të këtyre operacioneve, pra të nxjerr në publik sekrete. Ajo që mund t’ju them është se pas identifikimit, ndalimi i disa prej tyre u bë në rrugë apo në vendet ku ushtronin këto aktivitete. Pastaj i dorëzuam tek shërbimet partnere inteligjente. Ky ka qenë një ndër sukseset e mëdha të SHISH-it, për të cilën kemi marrë vlerësime edhe nga SHBA-ja.
Si arritën këta terroristë të depërtonin në Shqipëri?
E kam thënë dhe njëherë në një intervistë të dhënë për ju se petku i maskimit ka qenë kryesisht pas gjoja organizatave bamirëse, që vetëm të tilla s’mund të ishin pasi nuk grumbullonin para për bamirësi, por për kryerje të akteve terroriste në botë. Në atë periudhë, pra mes viteve ’92-’97, kanë depërtuar plot nga këta ekstremistë në vendin tonë. Tani terroristët e dinë shumë mirë që Shqipëria nuk është më një vend i qetë për ta, ku mund të “pushojnë” qetësisht pa i trazuar kush. Gjithashtu dua të theksoj se islamizmi jonë gjithmonë ka qenë shumë i butë dhe njerëzor dhe nuk ka lidhje me këta elementë.
http://www.balkanweb.com/intervista/2688/ish-shefi-i-shish-klosi-si-asgjesuam-celulen-e-bin-ladenit-61318.html

No comments:

Post a Comment