Helikopteri “Stealth” i padiktueshëm nga radarët

Sipas televizionit amerikan ABC, forcat speciale amerikane Seals që ndërmorën operacionin kundër kompleksit të bin Ladenit në Abotabad të Pakistanit, përdorën një armë supersekrete – helikopterin e parë në botë të tipit Stealth, të padiktueshëm nga radarët. Por ç’mund të jenë këta helikopterë, njëri prej të cilëve mori flakë gjatë operacionit në Abotabad?
Zjarri në kompleksin e bin Ladenit duket se kishte për qëllim të shkatërronte provat e ekzistencës së këtij helikopteri të padiktueshëm, një sekret i ushtrisë amerikane.

“Ky lloj helikopteri ishte i domosdoshëm që forcat speciale të mos diktoheshin nga ushtria pakistaneze”, thotë Riçard Klark, ish shefi i antiterrorizmit në Shtëpinë e Bardhë.

Por disa pjesë të helikopterit mbetën dhe analistët thonë se ato janë provë e ekzistencës së helikopterit të padiktueshëm, për të cilin më parë vetëm flitej.

Është hera e parë që shikojmë një helikopter të tipit Stealth në veprim, thotë analisti Bill Suitman.

Analistët vunë re menjëherë disa modifikime që i ishin bërë helikopterit Blackhaëk.

Një nga gjërat që duket qartë është disku mbi motorët që shërben për të mbytur zhurmën dhe që helikopteri të mos kapet nga radarët.

Banorët në Abotabad thonë se nuk e kishin dëgjuar zhurmën e helikopterëve para se ata të qendronin pezull mbi kompleksin e bin Ladenit.

Sekreti është ndoshta një material i përdorur nga ky helikopter që i ngjan një pëlhure dhe që fëmijët po mblidhnin nga vendi i ngjarjes.

Disa në Pentagon, tha zoti Klark, duhet të jenë shumë të shqetësuar se mos disa pjesë të atij helikopteri janë tani duke udhëtuar drejt Kinës sepse ne e dimë se Kina po përpiqet të prodhojë helikopterë të tillë të padiktueshëm.

Ushtria kineze ka marrëdhënie të ngushta me Pakistanin. Disa copa të mëdha nga mbeturinat e helikopterit u panë të merreshin me kamionë nga zyrtarët pakistanezë dhe të çoheshin në një destinacion të panjohur.

No comments:

Post a Comment