“Gërdeci”, prokuroria kërkon kohë për pyetjen e të pandehurve

Procesi nisi me një orë vonesë, pasi u pritën të vinin avokatët e të pandehurve.Prokuroria ishte ajo që kësaj radhe kërkoi shtyrjen e seancës së 132 të procesit më të rëndësishëm të drejtësisë shqiptare. Procesi nisi me një orë vonesë, pasi u pritën të vinin avokatët e të pandehurve. Më pas trupi gjykues i përbërë nga kryetari Ridvan Hado, anëtarë, Shefkie Demiraj dhe Fatmira Hajdari, bazuar në nenin 342/2 K.Pr.P vendosi të pranonte kërkesën e organit të akuzës për t’u përgatitur për pyetjen e të pandehurve.

Edhe seanca e kaluar u shty pas dëshmisë së Ylli Pinarit, i cili e ktheu sërish ish-kreun e kompanisë amerikane ‘SAC’, Patrik Henri, në një ndër personat më të kërkuar në procesin “Gërdeci”. Sikurse për disa muaj me radhë, prokuroria e kërkoi dhe e priti sërish, por Patrik Henri refuzoi të vinte nga Shtetet e Bashkuara, dhe në seancën e radhës së këtij procesi ai vazhdon të konsiderohet si pikë kyçe. Pak ditë pasi Dritan Minxolli i shpjegoi gjykatës domosdoshmërinë se përse amerikani Henri duhet të vijë në gjykatë, Ylli Pinari iu kthye kësaj çështjeje seancën e kaluar, duke numëruar 10 arsyet për paraqitjen e Henrit. Sipas Ylli Pinarit, Patrik Henri nuk ka zbatuar detyrimet e tij kontraktuale, duke sjellë pasojat e rënda të tragjedisë së Gërdecit dhe ai nuk duhet të justifikohet e t’i ikë përgjegjësisë me deklarime në korrespondencë, por duhet të vijë t’i përgjigjet në gjykatë. “Patrik Henri duhet të vijë të sqarojë deklaratat që ka dhënë, sepse ai nuk thotë të vërtetën dhe gënjen, duke rënë në kundërshtim me dokumentet që ai ka lëshuar e firmosur me MEICO”. Ylli Pinari shtoi se, “Patriku do të krijojë profilin e një personi të paditur dhe që nuk kishte informacion për aktivitetin që zhvillonte në Shqipëri”. “Por Patrik Henri, - tha Pinari, - ka qenë në vendin tonë tetë herë dhe pjesën më të madhe të kohës e kalonte me takime me persona në zyra, ku informohej për investimin e tij, mes të cilave dy takime i ka pasur në Dhomën e Tregtisë në Tiranë. Patriku gënjen, sepse në fashikuj ka fakse e kontrata të firmosura nga vetë ai dhe për çdonjërën prej tyre është përgjegjësi e tij”.

No comments:

Post a Comment