Associated Press: Shqipëria mban zgjedhjet lokale mes tensionit të lartë

Më pak se katër muaj pasi zemërimi i opozitës për zgjedhjet e kontestuara parlamentare provokoi përplasje vdekjeprurëse me policinë, shqiptarët votojnë për autoritetet lokale të dielën- në mbyllje të një fushate që u shoqërua nga bombat e dhuna politika.

Gjysma e një duzine kandidatësh kanë vuajtur dhunë fizike ose u kanë shpërthyer makinat dhe shtëpitë e tyre kanë qenë objekt eksplozivi, më i fundit i të cilëve la të plagosur një kandidat të opozitës. Rreth 400 vëzhgues ndërkombëtare do monitorojnë zgjedhjet e së dielës.

Rivalitetet politike në vendin e vogël ballkanik me 4.2 milion banorë kanë qenë të forta dhe katër mbështetës të opozitës socialiste u vranë kur një demonstratë masive u bë e dhunshme në fund të janarit.

Kryeministri Sali Berisha ka hedhur vazhdimisht poshtë kërkesat e opozitës për të dhënë dorëheqje pas pretendimeve për korrupsion dhe manipulim të votave në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009.

Fokusi kryesor i zgjedhjeve lokale do të jetë në kryeqytetin, Tiranë, vendi i protestës vdekjeprurëse, ku lideri socialist dhe tre herë kryebashkiak, Edi Rama, do garojë për rizgjedhjen kundër ish- ministrit të Brendshëm, Lulëzim Basha. Rreth 3.2 milion njerëz janë regjistruar për të votuar për përfaqësuesit e tyre në 383 njësi vendore urbane e rurale.

Dy kandidatët e partive kryesore ndryshojnë shumë pak në platformat e tyre, duke u angazhuar kryesisht për të luftuar varfërinë dhe papunësinë, përmirësuar infrastrukturën e shërbimet, ulur taksat vendore dhe ndërtuar shkolla e qendra shëndetësore.

Nuk ka pasur ndonjë sondazh të pavarur për këto zgjedhje, por dy partitë kryesore kanë bërë publike parashikime në favor të tyre me shanse të mëdha.

Nuk është e qartë nëse vota do ndihmojë për rikthimin e qetësisë politike në ish vendin e izoluar komunist, që mbetet një nga më të varfrit në Europë dhe ka shijuar shumë pak pastërti politike në këto 20 vite të qeverisjes demokratike.

Aleksandër Çipa, kryeredaktori i gazetës Shqip, është pesimist.

“Në këto zgjedhje nuk do të vijë një zgjidhje e krizës politike,” thotë Çipa.

“Opozita mund të rrisë luftën politike, duke përshpejtuar përpjekjet për zgjedhje të reja.”

Socialistët e Ramës në dy vitet e fundit kanë bojkotuar parlamentin, kanë hyrë në grevë urie e kanë bërë disa protesta në rrugë në disa nga qytetet kryesore, që kulmuan me vrasjet e janarit.

Që atëherë, dy partitë kryesore kanë ftohur retorikën dhe kanë pranuar të zbusin demonstrimet politike. Por kjo paqe e mbushur me ankth nuk ka lehtësuar pasionet mes radhëve të partive.

“Reduktimi i përdorimit të gjuhës së ashpër nga lidershipi nuk ka zbritur në nivelet e ulëta të strukturave politike,” thotë analisti i pavarur, Skënder Minxhozi.

Përveç tre shpërthimeve me bombë, policia ka raportuar raste të therjeve, rrahjeve dhe kërcënimeve rreth e qark vendit, që kanë çuar në arrestimi e dhjetëra personave gjatë fushatës elektorale njëmujore.

Organizata për Sigurinë e Bashkëpunimin në Europë, e cila do monitorojë zgjedhjet e së dielës, ka bërë thirrje për qetësi.

“Shqiptarët duhet të votojnë qetësisht e paqësisht e të kontribuojnë në nderimin e demokracisë,” tha ambasadori i OSBE, Eugen Volfart.

Rezultatet e para paraprake priten të hënën, sipas autoriteteve zgjedhore.



Busek: Zgjedhjet të arrijnë standardet, po ju vëzhgojmë

Parlamenti Evropian pret nga Shqipëria të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme, për këtë shkak kanë dërguar dhe ekipin e vëzhguesve. Duke iu dhënë rëndësi të veçantë zgjedhjeve të 8 majit, Presidenti i Parlamentit Europian, Jersy Busek, ka përcjellë mesazhin se ato duhet të plotësojnë standardet dhe se PE po i vëzhgon ato. Presidenti i PE-së, së bashku me Komisionerin Europian për Zgjerimin e BE-së. Stefan Fule kanë qenë të pranishëm në një konferencë për median që është mbajtur sot në Bruksel. Në këtë konferencë kanë qenë të pranishëm dhe gazetarë shqiptarë. Ndërsa Fule pothuajse nuk ka dashur të komentojë fare situatën në Shqipëri, presidenti i PE-së nëpërmjet gazetarëve shqiptarë ka përcjellë këtë mesazh: “Unë uroj që zgjedhjet të shkojnë shumë mirë. Por zgjedhjet janë në dorën e qytetarëve të Shqipërisë. Ne do të mundohemi sigurisht t’ju ndihmojmë, se kjo duhet bërë. Unë ju uroj që të bëni progres të madh duke zgjidhur problemet që ka demokracia. Sigurisht, kjo nuk është e lehtë dhe të mos mendohet se me vendosjen e demokracisë çdo gjë zgjidhet vetë. Kjo nuk ndodh askund. Edhe në vendet e Bashkimit Evropian duhen përmirësuar vazhdimisht rregullat e demokracisë. Liria e medias duhet përmirësuar edhe në vendet që konsiderohen demokratike. Demokracia ka nevojë për reforma të ndryshme që duhen bërë patjetë”- tha Buzek. “Duhet të shpresojmë se gjithcka do shkojë mirë ditën e zgjedhjeve dhe që zgjedhjet t’i arrijnë të plotësojnë të gjithë detyrimet e tyre. Ne nuk mund të bëjmë gjithçka. Ne do ta shohim nga afër situatën. Por duhet të dini që në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe Shqipërinë ka shumë punë për të bërë”, ka shtuar më tej Busek. Ai foli dje për lirinë e mediave në Ballkanin Perëndimor



Ambasadori i BE-së: Zgjedhjet të jenë të lira

Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi i ka përcjellë dje Presidentit Bamir Topi apelin e Brukselit për zgjedhje te lira. Ambasadori i BE-së nënvizoi në takimin me kreun e shtetit “rëndësinë e jashtëzakonshme që kanë zgjedhjet vendore të 8 majit për ecurinë e ardhshme integruese evropiane të vendit tonë”, informon zyra e shtypit e presidencës. Qëndrimi i Bashkimit Europian mbështetet fort dhe nga presidenti Topi i cili nga ana e tij theksoi “domosdoshmërinë e zhvillimit dhe administrimit me sukses të zgjedhjeve vendore të lira, të ndershme dhe sipas standardeve më demokratike në mënyrë që të shënojmë një hap tjetër cilësor përpara në rrugëtimin tonë integrues.”Takimi i sotëm i ambasadorit Sequi nuk është i pari, por është në vazhdën e takimeve intensive që ambasadori i BE.së, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu dhe ambasadori i OSBE-së, Eugen Ëollfarth ka zhvilluar gjatë këtyre ditëve me krerët më të lartë të shtetit. Ata kanë përcjellë mesazhin që zgjedhjet e 8 majit të jenë të lira dhe sipas standardeve europiane. Në këtë kuadër të tre ambasadorët kanë mbështetur rolin e presidentit Bamir Topi.



McIlwham: Zgjedhjet lokale, tepër të rëndësishme

Ambasadorja Britanike në Tiranë, Fiona McIlwham deklaroi se realizimi i zgjedhjeve të suksesshme lokale në Shqipëri, kalimi i tyre me profesionalizëm dhe integritet janë jetike për të ecur në mënyrë të vendosur drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në një njoftim për mediat në prag të zgjedhjeve vendore të 8 majit, diplomatja theksoi se votimet janë mundësi e rëndësishme për shqiptarët që zëri i tyre të dëgjohet dhe ata të vendosin për politikat vendore. “Zgjedhjet janë një mundësi për zyrtarët, politikanët, komisionerët dhe policinë që të punojnë së bashku për të mbështetur qytetarët e tyre dhe një proces pozitiv e transparent. Këto zgjedhje janë edhe një mundësi për Shqipërinë për të forcuar më tej përparimin e saj si një komb demokratik evropian. Unë shpresoj se Shqipëria dhe shqiptarët do ta shfrytëzojnë këtë mundësi”, thuhet në njoftimin e ambasadores.

(www.gazetatema.net/web/?p=20758)

No comments:

Post a Comment