Apolonia siguron superioren, Tërbuni në “play-out”

Barazimi në Pukë kënaq më shumë miqtë nga Fieri, ndërsa vendësit kanë një ndeshje shtesë për mbijetesën

Tërbuni - Apolonia 2-2
Tërbuni: Selimaj, Kaloshi, Meshi (Lushaj), Murati, Guri, Lifja, Lika, Gogaj, Pirani, Dibra, Rrustja. Trajner: A. Xhahysa
Apolonia: Haxho, Çarls (Jovani), Teqja, Da Silva, Çela, Gërxho, Ribaj (Cako), Jevdjeviç, Meto, Idrizaj (Nuhaj), Pepa.
Trajner: E.Memushi
Shënues: Murati 82′, Pirani 88′ / Meto 4′, Pepa 10′
Gjyqtarë: L.Jemini, G.Qirici, E.Barushi (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Meto, Teqja, Çarls,
Kartonë të kuq: Kaloshi

Apolonia përfundimisht do të jetë në superiore sezonin që vjen, ndërsa Tërbuni duhet të shtrëngojë dhëmbët edhe në një ndeshje, për t’i shpëtuar rënies në kategorinë e dytë. Ky ishte verdikti i kësaj ndeshjeje të fundit të kampionatit, që, në fakt, nuk i ka kënaqur vendësit, të cilët nuk mundën ta shmangnin ndeshjen shtesë.

E veçanta e këtij takimi ishte ardhja e shumë sportdashësve nga qyteti i Fierit në Pukë. Qysh para fillimit të ndeshjes (rreth 30 minuta më parë) filloi ritmi i daullës, që nuk pushoi as në përfundimin të ndeshjes. Madje festës fierake iu bashkua edhe tifozëria pukjane, që brohoriste “Apolonia, Apolonia!”

Ndeshja ishte me shumë ritëm qysh në minutat e para. Në të 4-ën Apolonia shënon me Meton, gjuajtja e të cilit, relativisht e lehtë, përplaset në gjoksin e portierit Selimaj dhe më pas topi përfundon në rrjetë. Pas 3 minutash ekipi vendas, pas një goditjeje nga këndi nga Gogaj, mund të barazonte.

Atë që nuk e bënë pukjanët e bëjnë sërish miqtë nga Fieri. Në një aksion me shumë forca të ekipit mik, Pepa, nga e majta, shënon golin e dytë me një goditje potente, duke e çuar rezultatin në 2-0.

U duk se ekipi pukjan do të gjente forca për ta shkurtuar rezultatin, por loja u zhvillua në sektorin e mesit të fushës me shumë faulla nga të dyja palët, çka u reflektua në kartonët e nxjerrë nga gjyqtari Jemini (4 të verdhë dhe 1 i kuq).

Pjesa e dytë nis me sulme të ekipit vendas, por pa kaluar 5 minuta nga kjo pjesë gjyqtari Jemini i nxjerr kartonin e dytë të verdhë Kaloshit, rrjedhimisht edhe kartonin e kuq. Tërbuni detyrohet të luajë gjatë pjesës së dytë me 10 futbollistë.

Loja e Tërbunit sa vjen e rritet. Duhet të vinte minutata e 82-të që pukjanët të shkurtonin diferencën dhe në të 88-ën të barazonin rezultatin. Të dyja skuadrat mbetën të kënaqura me këtë rezultat.

Duhet theksuar ekipi vendas shënoi edhe 3 gola të tjerë, por sipas gjyqtarit në pozicion jashtë loje. Treshja tiranase, më ne krye Jeminin, ishte mjaft kompetente dhe duhet vlerësuar si gjykimi më i mirë i 30 javëve të luajtura në këtë kategori.

Thanë pas ndeshjes

Altin Xhahysa, trajner i Tërbunit: “E kishim vlerësuar takimin, pasi përballë kishim një ndër ekipet më të mira të kategorisë së parë. Rezultati 2 2 na çon në “play-out”. Apolonisë i uroj suksese në superiore.”

Eqerem Memushi, trajner i Apolonisë: “Apolonia kishte ardhur me një objektiv të qartë, për të siguruar të paktën një pikë në fushën e vështirë të Pukës. Ia arritëm qëllimit, duke siguruar përfundimisht ngjitjen në superiore.

Me këtë rast dua të falënderoj edhe kryetarin e Bashkisë së Fierit, zotin Baftjar Zeqo, si edhe klubin sportiv të Apolonisë. Një falënderim të veçantë dua t’u jap pukjanëve për mikëpritjen që na bënë, duke treguar se janë dashamirës të sportit.”

(sportishqiptar.com.al)

No comments:

Post a Comment