10 VIP-a , të martuar serialë nga Jennifer Lopez tek...

Kanë njohur shkëlqimin në jetën e tyre publike, por kanë "shkëlqyer" edhe në klasifikimet e njerëzve të pa stabilizuar në jetën martesore. Nuk dihet nëse po të kishin qenë njerëz të thjeshtë, do të kishin patur të njëjtin numër martesash, por në fund të fundit, edhe nëse do e kishin pasur, askujt nuk do t'i interesonte jeta e tyre.
"Të martuarit serialë" i ka cilësuar revista amerikane "Newsweek" personazhet e famshëm në kohëra të ndryshme, të cilëve famën ua ka shtuar edhe numri i madh i martesave të tyre. Rekordin në këtë listë e mban aktorja me origjinë hungareze, Sza Sza Gabor, me nëntë martesa, pothuajse të gjitha me personalitete të kohës dhe biznesmenë të pasur. Ajo ndiqet nga aktorja tjetër mjaft e famshme për bukurinë e saj, Elizabeth Taylor. Të dyja këto aktore kanë pasur si një ndër bashkëshortët e tyre të njëjtin person, trashëgimtarin e dinastisë së hoteleve në mbarë botën, Conrad Hilton. Kryesisht lista përbëhet nga aktore, këngëtare, prezentatorë radiofonikë apo televizivë, siç është Larry King, por përjashtim bën monarku i Anglisë, Henry VIII, i cili është martuar gjithsej gjashtë herë.

Jennifer Lopez, 3 herë

Aktorja, këngëtarja dhe së fundmi dhe krijuesja e një marke mode me emrin e saj, Jennifer Lopez është e famshme, përveç të tjerave, për marrëdhëniet e saj të shumta të numër. Ajo është martuar tri herë dhe ka pasur marrëdhënie me një numër meshkujsh gjatë karrierës së saj. Martesa e saj e parë e saj me kamerierin Ojani Noa ndodhi më 22 shkurt 1997. Ata u divorcuan në janar të 1998. Nga viti 1999 deri më 2001 ajo kishte një marrëdhënie me këngëtarin e rep-it, Sean Combs, i njohur atëherë si Puff Daddy. Martesa e saj e dytë ishte me Chris Judd, një prej kërcimtarëve të trupës së saj. Ata u martuan në shtator 2001 për t'u divorcuar një vit më pas, kohë në të cilën ajo filloi të shoqërohej me Ben Affleck. Ata e njoftuan fejesën e tyre më tetor 2002 për t'i dhënë fund në janar 2004. Më pas ajo u përfshi në një lidhje romantike me këngëtarin Marc Anthony, me të cilin u martua në një dasmë sekrete më 5 qershor 2004.

Rush Limbaugh, 3 herë

Rush Limbaugh është një prezentator radiofonik mjaft i njohur në SHBA. Në emisionet e tij "Rush Limbaugh Show" ai diskuton politikë dhe ngjarjet aktuale, duke përdorur një stil të cilësuar si komik therës. Revista amerikane "Newsweek" e ka përfshirë atë në listën e personaliteteve të martuar shumë herë. Fillimisht ai u martua në vitin 1977 me Roxy Maxine McNeely, një sekretare në një stacion radiofonik në Kanzas. Ata u divorcuan tre vjet më vonë, duke nxjerrë si arsye papajtueshmërinë e karaktereve. Tre vjet më vonë, Limbaugh u martua me Michelle Sixta, një studente universiteti në Kanzas. Ajo do ta linte atë pesë vjet më vonë, ndërsa divorci do të finalizohej në vitin 1990. Në vitin 1990 Limbaugh takoi Marta Fitzgerald, një instruktore aerobie, 35 vjeçare dhe e martuar. Pasi ajo u divorcua nga bashkëshorti i saj i tretë, të dy u martuan në vitin 1994 në ndërtesën e Gjykatës së Lartë të SHBA. Ata njoftuan divorcin më 11 qershor 2004.

Lisa Marie Presley, 4 herë

Vajza dhe fëmija i vetëm i legjendës së rok-ut' Elvis Presley ka një histori jo të suksesshme përsa iu përket martesave. Në repertorin e lidhjeve të saj të legalizuara përfshihen një numër personazhesh të famshëm. Ajo u martua me bashkëshortin e saj të parë, muzikantin Danny Keough, në tetor të vitit 1988. Ata patën dy fëmijë, Danielle Riley dhe Benjamin Storm. Lisa Marie i dha fund martesës së saj me Keough në 1994, por ata kanë mbetur akoma miq të mirë. Dy javë pas finalizimit të divorcit, ajo u martua me Michael Jackson më 18 maj 1994 në Republikën Domenikiane. Martesa e tyre zgjati vetëm njëzet muaj dhe kishte mjaft spekulime se Jackson u martua me Presley për arsye publiciteti. Në vitin 2002 Lisa u martua me Nicolas Cage, i cili njihet për adhurimin e tij për Elvis Presley. Ata u divorcuan pas dy muajsh, ndërkohë që në janar të vitit 2006 ajo u martua me kitaristin e grupit të saj muzikor, Michael Lockwood.

Ronald Perelman, 4 herë

Një prej njerëzve më të pasur në Amerikë, në vendin e 34 të klasifikimeve të revistës amerikane "Forbes", Ronald Perelman është martuar katër herë. Mediat amerikane kanë shkruar për të se martesat po i shkojnë mjaft shtrenjtë, kur vetëm para disa kohësh ai njoftoi se do të divorcohej nga gruaja e tij e katërt, Ellen Barkin, së cilës duhej t'i paguante 20 milionë dollarë të përcaktuara në kontratën paramartesore. Ronald Owen Perelman, i lindur në vitin 1943, është një investitor amerikan i pasur, i cili në rang botëror është njeriu i 94 më i pasur. Sipas revistës "Forbes" ai ka një shumë prej 6.1 miliardë dollarësh. Nëpërmjet aksioneve të tij në kompaninë "MacAndrews & Forbes", aksionet e tij përfshinë edhe "Revlon", "Marvel Comics", "Panavision", "Deluxe Laboratories", "Meridian Sports", "New World" "Communications", "Mafco Worldwide". Ai u diplomua në Universitetin e Pensilvanisë, ku një prej qendrave të jetës studentore mori më pas emrin e tij.

Danielle Steel, 5 herë

Një prej autoreve më të shitura në botë, shkrimtarja e romaneve rozë, Danielle Steel mban mbi supe pesë martesa, prej të cilave ka nëntë fëmijë. Pesë ish-bashkëshortët e saj janë Clauede-Eric Lazard, Danny Zugelder, William Toth, John Traina dhe Tom Perkins. Ajo u martua për herë të parë në moshën 18 vjeçare, martesë nga e cila ajo pati një vajzë. Menjëherë pas kësaj, ajo u martua me një ish-të dënuar për përdhunim dhe shumë shpejt ajo mbeti shtatzënë jashtë martese me William Toth, një person i varur nga heroina. Ajo u martua me të pak përpara se të sillte në jetë djalin e tyre, të cilin e quajti Nicholas, por kjo martesë përfundoi shumë shpejt. Ajo u martua për herë të katërt me John Traina, i cili në atë kohë kishte dy djem nga një martesë e mëparshme. Me John-in ajo pati dhe pesë fëmijë të tjerë, katër vajza dhe një djalë, por martesa përfundoi me divorc. Martesa e saj e pestë me financierin Tom Perkins zgjati më pak se dy vjet dhe tani është "single".

Henry VIII, 6 herë

Mbret i Anglisë dhe i Irlandës, që jetoi në vitet 1491-1547, përveç të tjerave është i njohur pasi është martuar gjashtë herë, çka nuk është shumë e zakonshme për një monark. Gjashtë femrat me të cilat ai është lidhur në martesë janë Catherine of Aragon, Anne Boleyn, Jane Seymour, Anne of Cleves, Catherine Howard dhe Catherine Parr. Henry VIII ishte monarku i dytë i dinastisë së Tudorëve, erdhi në fron pas babait të tij, Henry VII. Përveç martesave të tij, ai ka mbetur në histori edhe për zotërimin e fuqisë më të madhe që ka pasur ndonjëherë ndonjë monark anglez. Ngjarjet e rëndësishme gjatë mbretërimit të tij përfshinin prishjen e marrëdhënieve me Romën dhe themelimin e Kishës së pavarur të Anglisë, shpërbërjen e manastireve dhe bashkimin e Anglisë me Wellsin. Njëkohësisht gjatë mbretërisë së tij u futën në fuqi pjesë legjislacione mjaft të rëndësishme që, pa dyshim, shërbyen në rritjen e fuqisë së tij.

Larry King, 7 herë

I mirënjohuri i kanalit televiziv CNN, i cili transmeton çdo natë programin intervistues "Larry King Live" përgjatë jetës së tij ka kaluar në shtatë martesa, pa përmendur ndonjë fejesë të pakurorëzuar përfundimisht dhe marrëdhëniet e tij të shumta. Numri i martesave të tij është dhe numri i fëmijëve që këto lidhje i kanë dhuruar. Bashkëshortja e tij e parë ishte Frada Miller, me të cilën u martua menjëherë pas mbarimit të shkollës së mesme në vitin 1952, martesë e cila u anulua. Më pas ai u martua në vitin 1959 me Shawn Southwic, me të cilën pati dy djem. Martesa e tij e dytë me Julie Alexandër në 1989, përfundoi pas tre vjetësh, pasi ajo e akuzoi atë për shpifje. Në kalvarin e martesave të tij përfshihen Sharon Lepore, me të cilën qëndroi tetë vjet i martuar. Gjithashtu më parë ai ishte i martuar me një prej modeleve të "Playboy", Alene Atkins, me të cilin qëndroi dy vjet i martuar dhe pati një vajzë.

Richard Pryor, 7 herë

Richard Pryor, i cili u nda nga jeta para një viti, më 10 dhjetor 2005, ka qenë një komedian, aktor dhe shkrimtar amerikan mjaft i njohur. Numri i martesave të tij është i njëjtë me atë të veteranit të CNN, Larry King. Njëkohësisht këto shtatë martesa i kanë dhënë atij edhe shtatë fëmijë. Ai martua shtatë herë me pesë gra të ndryshme. Ajo çka është karakteristikë e martesave të Pryor, është se në secilën prej tyre ka pasur akuza për dhunë brenda familjes dhe abuzim ndaj bashkëshortes. Një prej bashkëshorteve të tij, Deborah McGurie e akuzoi atë se Pryor kishte qëlluar ndaj makinës së saj me një "Magnum 357", por i tërhoqi më pas akuzat. Një tjetër ish-bashkëshorte e tij, Jennifer Lee e ka akuzuar atë për rrahje dhe se ai kishte tentuar ta mbyste gjatë martesës së tyre të parë. Kështu, pasi pranoi të rimartohej sërish me Pryer ajo nuk pranonte të jetonte në shtëpinë e tij.

Elizabeth Taylor, 8 herë

Aktorja me sy ngjyrë vjollcë, e cilësuar si një ndër femrat më të bukura të të gjitha kohërave dhe aktorja më e paguar në vitin 1963, përveç karrierës së ndritur, shquhet dhe për numrin e lartë të martesave, që arrin në tetë. Martesa e saj e parë ka qenë me trashëgimtarin e dinastisë së hoteleve, Conrad Hilton, në vitin 1950, dhe ka zgjatur vetëm një vit. Më pas ajo është martuar me Michael Wilding, një vit më pas, martesë kjo që ka zgjatur pesë vjet, për të përfunduar në vitin 1957. Bashkëshorti i saj i tretë ka qenë producenti Mike Todd, i cili humbi jetën vetëm një vit më pas. Duket se Liz Taylor nuk e ka pasur zakon të mbante gjatë zi për martesat e saj të dështuara apo të humbura, duke qenë se vetëm një vit më pas u martua sërish për të vazhduar një gjë të tillë deri sa numri të arrinte në tetë. Mendohet se dashuria e saj më e madhe ka qenë Richard Burton, me të cilin u njoh në xhirimet e filmit "Kleopatra" dhe me të cilin u martua e divorcua dy herë.

Zsa Zsa Gabor, 9 herë

Zsa Zsa Gabor mban rekordin në listën e përpiluar nga revista amerikane "Newsweek" me nëntë martesa. Aktorja, ashtu si dhe dy motrat e saj, njihet për bukurinë dhe mënyrën e jetesës së pasur. Zsa Zsa njihet për dashurinë e saj për gurët e çmuar dhe për mençurinë e saj, por më shumë famë ajo ka fituar prej numrit nëntë të martesave të saj. Bashkëshortët e saj kanë qenë përgjithësisht personazhe të shquar dhe ndër ta përfshihej edhe ish-bashkëshorti i Liz Taylor, Conrad Hilton. Bashkëshorti i saj i parë ishte Burhan Belge, drejtor shtypi në Ministrinë e Jashtme të Turqisë. Lista vijon me Herbert Hutner, konsulent financiar, Joshua S. Cosden, trashëgimtar i një familjeje që merrej me industrinë e naftës dhe biznesmen, Jack Ryan, shpikësi i kukullave "Barbie" dhe Chatty Cathy, Michael O'Hara, Frederick Prinz von Anhalt e Felipe de Alba.
(tiranaobserver.com.al)

No comments:

Post a Comment