Thaçi nesër përballet me Vetëvendosjen

Thaçi nesër përballet me VetëvendosjenPRISHTINË-Kryeministri Hashim Thaçi do të përballet nesër me deputetët e lëvizjes Vetëvendosje për çështjen e bisedimeve teknike, që janë duke u zhvilluar në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Sipas mediave vendase të cilat bëjnë publik lajmin deputetët e Vetëvendosjes e kanë kundërshtuar vazhdimisht hyrjen në bisedime me Serbinë, të bindur se nga këto bisedime Kosova nuk do të përfitojë asgjë, ndërsa Serbisë do t’i mundësohet integrimi në BE.

Udhëheqësi i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti në cilësinë e kryetarit të Komisionit parlamentar për punë të jashtme, ditë më parë ka polemizuar edhe me udhëheqësen e delegacionit të Kosovës në këto bisedime Edita Tahiri. Mësohet se Kurti madje kishte kërkuar prej negociatores edhe procesverbalet dhe transkriptet e bisedimeve të deritashme.

Bisedimet me Serbinë në muajin mars janë mbështetur me Rezolutë të veçantë të Kuvendit të Kosovës, ndonëse ajo nuk i ka marrë votat e tri partive opozitare: LDK-së, AAK-së dhe të Vetëvendosjes.

Në rezolutë saktësohet se axhenda e dialogut me Beogradin do të përfshijë vetëm çështjet teknike të interesit të përbashkët, pa prekur në asnjë rast sovranitetin e Kosovës, subjektivitetin, integritetin territorial dhe rregullimin e brendshëm kushtetues të Kosovës.

Shefja e delegacionit të Kosovës për dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, është ngarkuar që të informojë në baza të rregullta Komisionin për politikë të jashtme dhe komisionet e tjera përkatëse të Kuvendit të Kosovës. Ndërkohë që duhet të raportojë edhe në Kuvendin e Kosovës rjedhën e bisedimeve.

Mediat vendase bëjnë me dije se në seancën e nesërme do të debatohet lidhur me gjendjen e sigurisë dhe sundimin e ligjit në Kosovë, sipas kërkesës së deputetit Nait Hasani, mbështetur edhe nga deputetë të tjerë.

http://www.balkanweb.com

No comments:

Post a Comment