Situata e sigurisë në Kosovë është stabile

Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman, Erhard Buehler ka thënë se nuk do të ketë një reduktim të ri të ushtarëve të KFOR-it gjatë vitit 2011.

“Ne tashmë e kemi pasur një reduktim të forcës tonë. Nga 1 marsi kemi marrë një strukturë tërësisht të re dhe mendoj se duhet mbajtur atë strukturë përmes së cilës mund të shohim se sa mund të jetë në gjendje që të përballet me obligimet që i ka. Për këtë arsye mendoj se gjatë vitit 2011 nuk do të ketë më shkurtim të fuqisë ushtarake. Ne duhet të kryejmë disa detyra para se të bëjmë reduktimin e ri”, ka thënë Buehler për agjencisë së lajmeve Beta.

Ai gjithashtu ka vlerësuar se situata e sigurisë është stabile dhe e qetë.

“Ky është mesazhi që ne duhet t’i dërgojmë botës pasi përshtypja që ekziston për Kosovën në botë është e keqe, pasi që Kosovën gjithmonë e lidhin me dhunën, trazirat. Për këtë arsye ne duhet të dërgojmë një mesazh tjetër”, ka thënë ai.

Gjenerali gjerman nuk ka dashur shumë të flas rreth kompetencave që pritet të ketë Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) pasi këtë e ka vlerësuar një pyetje politike. Për këtë, sipas Buehler, do të dihet më shumë në vitin 2013 kur edhe pritet të bëhet një rishikim i Planit të Ahtisaarit.

Komandanti i KFOR-it ka thënë se ka bashkëpunim të mirë me ushtrinë serbe me të cilën ka edhe takime. Ndërkohë, ai ka sqaruar edhe rreth përgjegjësive të misioneve ndërkombëtare në veriun e Kosovës, duke thënë se “nëse strukturat paralele mblidhen dhe duan të zgjedhin udhëheqësin e komunës, atëherë kjo nuk është përgjegjësi e KFOR-it”.

Sipas Buehlerit, nëse në veri raportohet se ka grup të armatosur atëherë “kjo do të jetë temë për KFOR-in”.

“Momentalisht nuk kam informacione të tilla”, ka thënë ai.

Po ashtu gjenerali gjerman e ka vlerësuar pozitive punën e policisë, ndërsa në përgjithësi ka thënë se është arritur përparim në marrëdhëniet mes popujve në Kosovë, por për shkak se në të kaluarën shumë gjëra të këqija kanë ndodhur, për të arritur nivelin e besimit duhet ende kohë.


 /Telegrafi/

No comments:

Post a Comment