Raporti paraprak i OSBE/ODIHR: Administrata votoi nën presion

Raporti paraprak i OSBE/ODIHR i bërë publik vetëm pak minuta më parë tregon se zgjedhjet e 8 majit nuk u zhvilluan pa probleme. Raporti tregon se dy prej problemeve kryesore është presioni ndaj administratës publike dhe procesi i administrimit të votimit.

"Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR dhe delegacionit të Kongresit iu raportuan një sërë ankesash në shumë qarqe të vendit se ndaj administratës shtetërore, përfshirë mësuesit dhe punonjësit e shëndetësisë si edhe nxënësit, është ushtruar presion ose për të marrë pjesë në aktivitetet e fushatës të PD-së, ose për të mos shkuar në aktivitetet e opozitës. Presione të tilla përfshinin kërcënime për humbjen e vendit të punës ose nota të ulëta për nxënësit", theksohet në raport.


Drejtori i misionit të OSBE/ODIHR-it, Jonathan Stonestreet në fjalën e tij u shpreh se dy partitë e mëdha ashtu si edhe në zgjedhjet e mëparshme nuk e kryer rolin e tyre me përgjegjshmëri. "PD dhe PS nuk i caktuan në kohë anëtarët e qendrave të votimit dhe të numërimit kjo ka çuar dhe në faktin që kishte vështirësi në procese", Stonestreet. Sa i takon procesit të numërimit Stonestreet tha se "procesi po ecën në mënyrë të ngadaltë" dhe se "vlerësimi përfundimtar i zgjedhjeve do të varet pjesërisht nga administrimi i fazave të mbetura të procesit zgjedhor".


Lidhur me funksionimin e KQZ u tha se ky institucion ka funksionuar në mënyrë transparente por ka pasur ndarje të qartë politike. "KQZ funksionoi në mënyrë transparente dhe, pavarësisht ndarjes së dukshme, i përfundoi përgatitjet teknike për zgjedhjet. Megjithatë, polarizimi pati ndikim në punën e KQZ-së, ku hera-herës diskutimet kishin natyre të ashpër dhe politike. Vendimet lidhur me çështjet e debatuara mes dy partive kryesore u trajtuan me tone partiake dhe jo në kolegjialitet. Disa prej këtyre vendimeve nuk ishin të bazuara në Kodin Zgjedhor dhe u rrëzuan pas ankimimit në Kolegjin Zgjedhor", thuhet në raport. Raporti nënvizon se aspekte pozitive ishin përmirësimi i lista të zgjedhësve dhe puna e Kolegjit Zgjedhor.

(shekulli.com.al)

No comments:

Post a Comment