Raporti i Europol: Grupet e krimit shqiptar aktivë në drogë e armë

Zyra e policisë evropiane Europol në një raport të fundit të publikuar mbi krimin e organizuar në BE përmend Shqipërinë si një vend ku grupet kriminale janë shumë të rrezikshme dhe aktive, kryesisht në trafikun e drogës dhe atë të armëve. Përvec Shqipërisë edhe vende të tjera të rajonit si Kosovë, Maqedoni, Bosnje, Serbi, Mal të Zi e Kroaci mbeten problematike.Në paragrafin për trafikun e drogës, dokumenti thekson: “Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova janë vende të rëndësishme për magazinimin dhe ripaketimin e heroinës. Ndërsa grupet shqipfolëse dhe turke mbeten më të spikaturat për trafikun e heroinës drejt dhe brenda BE-së. Grupet shqipfolëse luajnë një rol të rëndësishëm në furnizimin e Evropës Juglindore me kanabisin që kultivohet në Shqipëri dhe Kosovë.”

Në këtë dokument Shqipëria përmendet 26 herë dhe në asnjë rast për mirë dhe theksohet, se grupet me më shumë resurse, që veprojnë në union janë shqip-folëse dhe lituaneze. Raporti e konsideron Shqipërinë një vendburim të rëndësishëm për trafikun e armëve.
“Ballkani perëndimor pritet të mbetet burimi kryesor për armët e rënda të trafikuara në BE, për shkak të stoqeve të mëdha ilegale në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Bosnje, Serbi, Mal të Zi e Kroaci. Mafia italiane e Ndragetes dhe grupet shqipfolëse janë përfshirë tradicionalisht në një trafik të tillë.”

Europol thekson se grupet kriminale me kombësi shqiptare, janë të njohura për përdorimin ekstrem të dhunës, përfshirë këtu rastet e vjedhjeve.

No comments:

Post a Comment