PS çon në kolegj padi më të plotë. PD në KQZ: Të hapen dhe 26 kuti

PS riformulon padinë për rivlerësimin e votave.
Partia Socialiste u tërhoq dje nga kërkesa e saj e dytë në kolegjin zgjedhor duke pohuar se do të riformulojë akt padinë në mënyrë më të plotë. Ky veprim i opozitës erdhi pas "zbulimit" se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hapur kutitë e votimit dhe ka rivlerësuar votat pa marrë një vendim për këtë fakt. Tërheqja e PS-së ka bërë që Kolegji ta shtyjë seancën për në datën 3 qershor, ora 10.00. Kjo do të thotë që, të paktën deri në këtë datë, Tirana nuk do të ketë një kryetar bashkie.

Mëngjesin e djeshëm Kolegji Zgjedhor u mblodh për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Socialiste për "Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit të KQZ datë 18 maj për vlerësimin e fletëve të votimit të hedhura në kutinë e gabuar". Por në fillim të seancës, avokati i opozitës kërkoi bashkimin e kësaj çështjeje me një tjetër kërkesë të dorëzuar po dje në Kolegj. "Konstatimin si absolutisht të pavlefshëm të vendimit të KQZ-së nr. 709, dt 23.05.2011: Për vlerësimin e fletëve të votimit të pavlerësuara dhe të pa numëruara për kryetarin, Këshillin e Bashkisë Tiranë, kryetarin e njësisë bashkiake dhe këshillin e njësisë bashkiake, të cilat aksidentalisht nuk janë hedhur në kutitë respektive të votimit të së njëjtës qendër votimit në zgjedhjet e Bashkisë Tiranë të datës 8 maj 2011", thuhet në objektin e kërkesë padisë së selisë rozë.


Për shkak të objektit të njëjtë, avokat Eno Bushi kërkoi prej gjykatës bashkimin e kërkesave si një çështje të vetme. "Meqë nga ana e Partisë Socialiste është paraqitur një kërkesë padi pranë Kolegjit zgjedhor dhe është regjistruar me objekt të njëjtë me këtë që është për shqyrtim nga ju, të miratuar në parim nga KQZ dhe anulimin e të gjithave veprimeve administrative të kryera nga KQZ si rivlerësimin, rinumërimin dhe ndryshimin e tabelës në aneksin bashkëngjitur vendimit, ne kërkojmë bashkimin",- tha Bushi.


Ndërsa pala e paditur që në rastin konkret ishte Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nëpërmjet drejtoreshës juridike, Dëshira Pasku deklaroi se vendimi që ankimojnë socialistët për aktin e miratuar vetëm në parim në datë 18 maj nuk ekziston! "Vendimi që ankimohet sot është vendim që në KQZ nuk ekziston, pa numër dhe datë 18.5.2011. Është një vendim i datës 23.5.2011 ndërsa në datën 18 është miratuar çështja vetëm në parim", theksoi Pasku.


Në të njëjtën linjë u shpreh edhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike Ivi Kaso i cili u shpreh kundër bashkimit të çështjeve. "Ne tani po vihemi në dijeni të kësaj kërkesë padie të Kolegjit Zgjedhor. S'kemi asnjë fakt përveç që morën nga pala paditëse. Mendimi ynë është që s'dimë as objektin as datën. Lidhur me këtë kërkesë nëse është ky objekt. Nuk janë kërkesa të njëjta pasi i pari është një vendim që nuk ekziston, s'mund të gjykohet një çështje që nuk ekziston, duhet të pushohet kjo çështje dhe duhet të hidhet short tjetër",- tha avokati i Partisë Demokratike.


Në këto kushte Kolegji Zgjedhor vendosi të mos bashkohen kërkesat ndërsa socialistët që të tërhiqen nga kërkesa e parë. Rreth orës 12 u hodh edhe shorti i kërkesës së re ku u zgjodh trupa gjykuese e kryesuar nga Tom Ndreca dhe Entela Prifti, Sashenka Jonuzi, Astrit Kalaja dhe Petraq Dhimitri që do të vendosë edhe fatet e garës ndërmjet Ramës dhe Bashës.


Jaho: Veprimet e KQZ-së janë nul


Disa ditë më parë "Shekulli" i kishte paraprirë kësaj çëshjtje. Në një intervistë konstitucionalisti Niazi Jaho shpjegonte veprimet e KQZ-së dhe deklaroi se rivlerësimi i fletëve të votimit u krye pa asnjë vendim. Në momentin kur nuk ka asnjë vendim, Kolegji Zgjedhor nuk ka çfarë të shfuqizojë.


"Fillimisht duhet thënë se ky veprim (rivlerësimi i fletëve të votimit) u ndërmor pa asnjë vendim. Si rrjedhojë, veprimi është arbitrar. E them këtë sepse po të ekzistonte një vendim i tillë, do të ishte bërë i njohur, do të zbardhej dhe publikohej. Ky qëndrim, përmendet edhe në raportin paraprak të fundit të OSBE/ODIHR-it. Por, çfarë vendimi mund të merrte KQZ-ja, kur asnjë dispozitë e Kodit Zgjedhor dhe asnjë akt nënligjor nuk e autorizonte atë të hapte kutitë e votimit në fazën kur duhej miratuar tabela përmbledhëse!


Pala e interesuar mund të ankohet në Kolegj (neni 145/2 e Kodit Zgjedhor). Edhe pse nuk ka vendim, ankimi mund të bëhej ndaj veprimit për hapjen e kutive. Edhe sikur të ishte marrë një vendim i tillë, ai do të ishte absolutisht i pavlefshëm. Madje duhet thënë se, në raste të tilla, gjykata s'ka çfarë të anulojë, sepse qysh në fillim ai do të ishte nul. Prandaj mendoj se gjykata do të konstatonte vetëm pavlefshmërinë e tij. Akte apo veprime të tilla nuk kanë fuqi juridike",- tha konstitucionalisti Niazi Jaho për "Shekullin".


Eno Bushi: Padia e re më e plotë


Pas përfundimit të seancës gjyqësore, avokati i Partisë Socialiste, Eno Bushi shpjegoi edhe arsyet e veprimit të papritur për tërheqjen e padisë. Sipas Bushit, PS hoqi dorë nga kërkesë padia për të vazhduar me gjykimin e kërkesës tjetër, e cila, sipas tij, ka një objekt padie më të plotë. "Jo nuk ishte një lëvizje taktike kjo e jona, thjesht paraqitën para Kolegjit kërkesë tjetër që është hedhur në short aktualisht, që ishte më e plotë nga objekti i gjykimit. Ne i kërkuam që t'ia bashkëngjisnim me këtë aktpadi që ishte sot për shqyrtim. View image


Duke qenë se nga ana e trupit gjykues nuk u çmua që ajo padi të bashkohet, dhe në kushtet që ne kemi një padi edhe më të plotë që është për shqyrtim, e vendosëm që më mirë të ishte dhe kjo e sotmja brenda gjykimit që do zhvillohet në seancën e ardhshme", tha Bushi. Avokati sqaroi se padia e paraqitur dje është më e plotë, ku përfshin edhe aktin normativ, si dhe është futur edhe një vendim nga KQZ-ja.


"Në lidhje me vendimin e një dite më para, trupi gjykues e çmoi që çështja duhet të pushojë, por arsye nuk na kanë dhënë akoma. Thjesht na kanë vënë në dispozicion vetëm dispozitivin. Dhe vetëm kur të njihemi me mendimin e gjykatës do ishte më mirë të flisnim. Argumenti kryesor është pavlefshmëria e akteve të miratuara nga KQZ-ja, të cilat janë veprime krejtësisht kundra ligjit, pra janë akte të paligjshme. Gjithsesi, unë mund të t'ju them që të gjitha shkeljet e kryera nga KQZ-ja janë paraqitur në akt-padinë e dorëzuar sot", theksoi Bushi.


Zbulohet ankesa e re e PD: Të rinumërohen edhe 403 vota


TIRANË- Procesi i rinumërimit dhe rivlerësimit të votave në Tiranë mund të vazhdojë deri në mes të muajit qershor duke mbajtur pezull çdo veprimtari tjetër. Partia Demokratike ka dorëzuar një material në KQZ ku kërkon rihapjen e 26 kutive të votimit dhe rivlerësimin e më shumë se 400 votave. Këto fletë janë kontestuar nga anëtarët e PD-së në grupet e numërimit.


Sipas burimeve të KQZ-së, ky ankimim është dorëzuar në orën 23.45 të ditës së enjte, vetëm 15 minuta përpara mbylljes së afatit zyrtar.
Kjo lëvizje taktike e demokratëve ka ardhur menjëherë pas animimit të PS-së për tabelat përmbledhëse të bashkisë Tiranë. Sipas materialet që ka depozituar PD në KQZ, bëhet fjalë për 26 qendra votimi të katër minibashkive të Tiranës, asaj nr.3, njësisë 5, njësisë 8 dhe 9.


PD ka bazuar shpresën më të madhe në njësinë 8, e cila njihet si një bastion i demokratëve. Vetëm në këtë njësi janë 213 fletë votimit të kontestuara nga grupet e numërimit, për të cilat do të kërkohet rivlerësimi.


Një tjetër njësi e kryeqytetit e cila ka një numër tepër të konsiderueshëm votash të kontestuara është ajo nr.9. Kjo zonë ka 138 fletë të kontestuara pasi numëruesit nuk kanë rënë dakord për t'i përfshirë në rezultatin përfundimtar. Në listë ndodhen edhe 73 fletë votimi të njësisë 5. Njësia me më pak fletë të kontestuara është ajo me numër tre, ku gjenden vetëm dy fletë.




"Këto vota janë në cilësinë "Vota të cilat mbartin mëdyshje", pavarësisht se ato i janë nënshtruar vendimmarrjes respektove të KZAZ-ve të njësive bashkiake të Tiranës dhe rezultati i vlerësimit të tyre është përfshirë në tabelë", thuhet në argumentet e paraqitura në kërkesën ankimore të demokratëve.
(shekulli.com.al)

No comments:

Post a Comment