Provimet e maturës kusht edhe për studimet jashtë vendit

Nota kaluese në 4 provimet e maturës legjitimon mbarimin e shkollës së mesme.Ndryshimet e bëra në rregulloren e provimeve përcaktojnë se gjimnazistët duhet të klasifikohen kalues në të katër testimet e maturës edhe për rastet kur duan të vijojnë studimet e larta në universitet e huaja. Kjo pasi marrja e notave kaluese në provimet me zgjedhje dhe ato me detyrim kushtëzon lëshimin e diplomës, e cila fakton mbarimin e shkollës së mesme. Ndërkohë kjo diplomë klasifikohet edhe si një ndër dokumentet bazë në procedurën që duhet të ndjekin maturantët për të fituar një të drejtë studimi pranë universiteteve të huaja të kërkuara nga shqiptarët. Marrja e notës negative qoftë dhe vetëm në njërin nga provimet e penalizon maturantin me humbjen e një viti, pasi nuk do të ketë më sezon vjeshte. Kështu, ai humbet përfundimisht të drejtën e ndjekjes së studimeve të larta gjatë këtij viti. Njëkohësisht ky rregull do të shërbejë edhe për pranimet në universitet private që ushtrojnë aktivitet në vendin tonë. Këto të fundit, ndryshe nga sa ka ndodhur në vitet e shkuara, nuk mund të pranojnë asnjë maturant që nuk është pajisur me diplomën e shkollës së mesme, e cila jepet vetëm pasi të merren nota kaluese në të katër provimet. Provimi i parë i maturës do të zhvillohet më 1 qershor në lëndën e letërsisë dhe gjuhës shqipe. Teza e provimit do të përshtatet me drejtimin e gjimnazit apo llojin e shkollës së mesme, ndërsa pyetjet lidhen me fragmente veprash nga autorë të përcaktuar më parë. Testi do të jetë i ndarë në dy pjesë. Secila pjesë e testit do të përmbajë fragmente veprash ose pjesë letrare të periudhave dhe gjinive të ndryshme letrare, ku përfshihen pyetje bazuar në pjesën e tekstit, pyetje që kërkojnë shpjegime, zëvendësime, komente, krahasime, analiza, interpretime, perifrazime, pyetje që kërkojnë nxitjen e imagjinatës dhe fantazisë së nxënësit, si dhe pyetje që kërkojnë përgjigje krijuese. Vështirësia e pyetjeve do të jetë e përshtatur për të tria nivelet.
(gazetametropol.com)

No comments:

Post a Comment