Pak orë nga hapja e qendrave të votimit

Mbi 3 milion 100 mijë shtetas shqiptarë më të drejtë vote do të kenë mundësinë të votojnë ditën e nesërme në 4882 qendra votimi në të gjithë vendin nga ora 07:00 deri në orën 19:00, për të zgjedhur udhëheqësit e tyre vendorë.
Infrastruktura zgjedhore është gati në të gjithë vendin, ndërsa Policia e Shtetit njofton se ka marrë të gjitha masat për vijimin e qetë dhe pa incidente të procesit zgjedhor gjatë gjithë ditës së nesërme në të gjithë vendin.

Procesi zgjedhor dhe mbarëvajtja e tij janë cilësuar si mjaft jetike për rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian nga përfaqësitë ndërkombëtare diplomatike në Tiranë. Në kuadër të monitorimit, vetë Parlamenti Europian është angazhuar duke dërguar në Tiranë një grup ekspertësh që do të monitorojnë të gjithë procesin.

Nesër shqiptarët do të vendosin për kryetarët e bashkive, komunave dhe të këshillave bashkiakë pas fushatës elektorale 1 mujore, një fushatë kjo e kritikuar nga dy raportet paraprake të OSBE/ODIHR dhe nga vëzhguesit vendorë, të cilët vlerësuan ndër të tjera edhe se premtimet e një pjese të kandidatëve shkojnë përtej kompetencave të një të zgjedhuri vendor.

Një fushatë e gjërë, me mbështetjen e organizmave ndërkombëtare, është ndërmarrë për të njoftuar votuesit për dokumentat që duhet të paraqesin para komisionerëve nëpër qendrat e votimit, mënyrën e votimit si dhe për të shmangur votimin familjar.

Zgjedhjet do të monitorohen nga rreth 500 vëzhgues të huaj dhe mbi 2 mijë vëzhgues vendas.
(top-channel.tv)

No comments:

Post a Comment