Më shume se 10 mijë familje shqiptare kanë aplikuar për përfituar kompensim financiar për tokën që iu është shpronësuar nga shteti. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka mbyllur dje procesin e pranimit të aplikimeve për kompensim në të holla, nga fondi i vitit 2011 dhe, sipas kreut të këtij institucioni, janë regjistruar në total 1012 kërkesa për kompensim prone.
Procesi kishte nisur një muaj më parë dhe të gjithë pronarët e shpronësuar kanë pasur mundësi të dërgojnë dokumentacionin përkatës. Të gjitha aplikuesit, apo përfaqësuesit me prokurë, kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën prej dymijë lekë dhe gjithashtu të hapin në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë, në të cilën në rast përfitimi do të depozitohet shuma që përfitohet.
Nga pagesa e tarifës dymijë lekë janë përjashtuar vetëm subjektet e shpronësuar, të cilët kanë depozituar kërkesën e tyre për kompensim në vitet 2006, 2007, 2008 dhe 2009, dhe që vërtetojnë kryerjen e pagesës. Përveç kësaj, pronarët kanë dorëzuar një listë të gjatë dokumentesh. Tashmë të gjitha dosjet i kanë kaluar për shqyrtim administrativ zyrtarëve të AKKP-së, të cilët do të shpallin më pas edhe subjektet fituese.
Por pronarët nuk do të kompensohen për të gjitha sipërfaqen e tokës. Skema e hartuar nga qeveria parashikon një kompensim nga 200 deri në 600 metra katrorë.
Kompensimi bëhet për pronën e llojit truall në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet. Masa e kompensimit është sipas skemës së mëposhtme:

a) Për pronat e njohura për kompensim deri në 1 500 (njëmijë e pesëqind) m2, masa e kompensimit është 200 (dyqind) m2.

b) Për pronat e njohura për kompensim mbi 1 500 (njëmijë e pesëqind) m2 deri në 3 000 (tre mijë) m2, masa e kompensimit është 300 (treqind) m2.

c) Për pronat e njohura për kompensim mbi 3 000 (tre mijë) m2 deri 5 000 (pesë mijë) m2, masa e kompensimit është 400 (katërqind) m2.

d) Për pronat e njohura për kompensim mbi 5 000 (pesë mijë) m2 deri në 10 000 (dhjetë mijë) m2, masa e kompensimit është 500 (pesëqind) m2.

e) Për pronat e njohura për kompensim mbi 10 000 (dhjetë mijë) m2, masa e kompensimit është 600 (gjashtëqind) m2.

No comments:

Post a Comment