Kolegji Zgjedhor refuzon ankimimin e parë të opozitës

Ka përfunduar me “humbje” shpresa socialiste për një rihapje të çështjes elektorale të Tiranës në Kolegjin Zgjedhor.
I shumëpritur dhe i vënë në qendër të vëmendjes, shqyrtimi i kërkesës ankimore të Partisë Socialiste ku kërkohej gjykimi i çështjes dhe detyrimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i miratimit të tabelës Përmbledhëse të Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor nr. 49 dhe mandej i miratimit të tabelës përmbledhëse të zonës Zgjedhore Bashkia Tiranë, nisur nga tabelat e ardhura nga KZAZ-të, ka gjetur te vendimi i Kolegjit një refuzim gjithsesi jo përfundimtar. Ajo që gjykata vendosi nisur nga përmbajtja e kërkesës së PS-së, parashtresa e saj dhe interpretimi i KQZ-së, ka qenë thjesht pushimi i çështjes duke lënë kështu të hapura rrugët për çdo hamendësim politik. Juridikisht duhet thënë se Kolegji i ka dhënë të drejtë parashtrimit të KQZ-së, e cila e ka cilësuar kërkesën socialiste praktikisht pa objekt. Sipas përfaqësuesve të komisionit në këtë gjykim, KQZ-ja ka miratuar tabelën përmbledhëse të KZAZ nr. 49 pas hetimit administrativ të kryer, nisur nga fakti se ajo ishte e firmosur nga vetëm tre anëtarë të saj, pra pakica. Po në këtë frymë, edhe Partia Demokratike, si palë e interesuar në këtë çështje ka paraqitur një kërkesë konkrete përmes së cilës pretendonte të njëjtën gjë, duke u shtyrë më tutje për një rrëzim të kërkesës socialiste. Në të vërtetë, Kolegji Zgjedhor me relator Petraq Dhimitrin, me gjyqtarë Dhurata Haveri, Entela Prifti, Marie Qirjazi dhe Sashenka Jonuzi i ka dhënë më së shumti të drejtë kërkesës së KQZ-së për “pushimin e çështjes”, pasi aktualisht KQZ-ja ka kryer veprimet që janë objekt padie.
Argumenti i PS: Vendimi i KQZ-së, jashtë juridiksionit

JO-ja e Kolegjit Zgjedhor duket të ketë qenë një akt shumë reduktues për angazhimin e PS-së, qoftë edhe duke u nisur nga përgatitja e saj në këtë paraqitje para Gjykatës. Kështu në parashtresën e vet të hartuar nga deputeti Damian Gjiknuri dhe dy avokatët Eno Bushi dhe Arjan Salati, PS ka vendosur para Gjykatës dy argumente themelore; shkeljen e afateve nga KQZ në të gjithë veprimet e veta dhe për pasojë daljen e saj jashtë kompetencës ligjore për të vendosur. Me fjalë të thjeshta, ndërkohë që KQZ vendoste për tabelat përmbledhëse, ai ka shkelur ligjin pse kjo çështje, për shkak të padisë së PS-së ishte bërë objekt shqyrtimi nga Gjykata. Për të saktësuar këtë element teknik, parashtresa e selisë rozë nënvizon se “organi administrativ, (KQZ-ja) edhe në rast se vlerëson pas kalimit të këtij afati (ligjor) që të shqyrtojë këtë çështje, do të jetë në pamundësi ligjore për t’u marrë me të, për arsye të urdhërimit ndalues që parashikon neni 36 i Kodit të Procedurës Civile, sipas të cilit “asnjë institucion tjetër nuk ka të drejtë të pranojë për shqyrtim një mosmarrëveshje civile, që është duke u gjykuar nga gjykata”, thuhet në arsyetimin e PS-së, duke shtuar më poshtë edhe më qartë se “KQZ-ja duhet të ushtrojë brenda afateve ligjore funksionet e veta sipas kompetencave, që Kodi Zgjedhor i ka njohur, pa ndërhyrë në kompetencat e organeve të tjera të sistemit ekzekutiv, legjislativ apo gjyqësor”. Në vijimësinë e vet, parashtresa nënvizon me forcë se veprimet e KQZ-së në miratimin e tabelës së KZAZ nr. 49 është bërë jashtë afateve, duke llogaritur si të tillë edhe atë që fillon pas kërkesës së PS-së për këtë çështje. Me interes mbetet kërkesa e saj ndaj Kolegjit, çka me pushimin e çështjes mbetet pa përgjigje dhe madje në një pikë rinisjeje. PS kërkon trajtimin në themel të çështjes, duke nënkuptuar një anulim të të gjithë praktikës së KQZ-së për rivlerësimin e fletëve të hedhura në kutitë e gabuara, një përpjekje që dje mori një JO.

(gazeta-shqip.com)

No comments:

Post a Comment