Kjo bandë e ndyrë që ka kapur PS-në (Shkruar nga Arjan Cani)

Një person pa shtyllë kurrizore dhe me inteligjencë të mangët, që quhet Erjon Veliaj e që njihet nga publiku si ai që luan rolin e pordhës nëpër brekët e shefit të vet, në një "intervistë" të improvizuar me ngut e të botuar në gazeta vasale shefash, ka sulmuar, ndër të tjera, me argumente të një naiviteti qesharak edhe personin tim, duke kujtuar se në këtë mënyrë do arrijë të përbaltë figurën time dhe të shpëlajë të tijën. Ky thotë se Arian Çani drejton një emision ku promovohen videoklipe, balerina serbe dhe opozita e opozitës.
Mirëpo, publikut i kujtohet fare mirë se, jo shumë kohë më parë, vetë ky Erjoni është promovuar pikërisht në këtë emision. Për këtë promovim më vjen keq tani, por jo atëherë, sepse atëherë Erjonit nuk i ishte çjerrë akoma maska e tij e kalbur dhe akoma nuk ia njihnim fytyrën e vërtetë. Ja ç'thotë një personazh nga publiku, në një nga komentet që pasojnë "intervistën" e Erjonit: "Si nuk i vjen zor PS-së që mban në gjirin e saj njerëz si Veliaj dhe disa elementë të tjerë që kanë treguar se janë të paaftë në përballje dhe debate politike. Erioni gjasme kur krijoi "Mjaftin", na deklaronte se ishte në shërbim të qytetarëve dhe që s'do ishte pjesë e politikës dhe më vonë na krijon parti, ku nuk merr votat e duhura për deputet dhe ndërkohë Rama shet votat e tij dhe ia jep Erionit si skllav që e ka. Po përse nuk thotë Erioni që falë Çanit është aty ku është? Po ky është një ordiner mosmirënjohës, që mori në telefon familjen e Çanit dhe e kërcënoi me bombë..."

Natyrisht Erjoni nuk ka promovuar videoklipe, nuk është as balerinë serbe (ndonëse kam përshtypjen se nuk do t'i kish ardhur keq sikur të ishte një e tillë). Por në cilën nga këto tri kategori të emisionit e fut ky veten? Mbetet vetëm të përfshihet tek opozita e opozitës. Apo jo? Dhe kjo nuk është e pavërtetë. Ja një rast kur pavetëdija të tradhton. Erjoni, që tani është në PS dhe që pretendon t'i zërë vendin Gramoz Ruçit, me ndihmën financiare të disa dallavereve të huaja (duke e devijuar qëllimin e këtyre fondeve), si dhe i mbështetur nga një demagogji false, që zë fill nga shefi i vet aktual, nuk la gjë pa bërë kundër Partisë Socialiste, atëherë kur shefi i tij aktual ishte gjithmonë shef i tij, por ende jo shef i kësaj partie. Askush nuk mund ta harrojë zellin e tij të tepruar, që e bëri Erjonin një nga fytyrat më të urryera në gjirin e Partisë Socialiste dhe të simpatizantëve të saj e më gjerë.

Zelli i tij i tepruar u fashit pas dështimit spektakolar në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009, përkundër pompave zhurmuese që mëtonin ta paraqitnin atë dhe partinë e tij fantazmë G99 si e ardhmja e politikës shqiptare. I mbetur pa asgjë dhe duke patur nevojë jetike për një trup ku të hidhte helmin e tij prej mashtruesi ordiner, Erjon u katapultua nga shefi i tij i përhershëm drejt e në gjirin e PS-së, pa patur asnjë meritë reale në këtë parti, përveç rolit të pordhës që përmendëm më sipër. Sot, në prag të zgjedhjeve vendore, me të njëjtin zell, por kësaj here të qindfishuar, kjo pordhë mediatike na shfaqet nëpër ekrane dhe gazeta sa herë që shefit të tij nuk i intereson më të flasë me gojë por me bythë dhe sa herë që dikush nuk mendon dhe nuk dëshiron të mendojë si shefi i tij.

Kështu bën ky hipokrit i regjur edhe kur akuzon të tjerët për kidnapim dhe gjobvënie, duke bërë sikur harron se së bashku me sërën dhe shefin e tij (ai i gjobave të ndërtimit) kanë kidnapuar lidershipin e Partisë Socialiste, dhe duke mos e kuptuar se gjobvënia më e dëmshme është përpjekja e pandërprerë për manipulimin e mendjes së njerëzve me retorikën boshe e të molepsur që përdorin prej vitesh.

Në mënyrë njëherazi qesharake dhe të paturp, në fund të "intervistës", duke folur për njerëzit e medias, Erjoni i akuzon këta të fundit se s'do mund të jetonin dot pa kordën umbilike që i lidh me politikën. Dhe këtë e thotë një tip si ky, që ekziston vetëm në sajë të medias, vetëm në sajë të lidhjes me politikën, shkurt një sajesë artificiale mediatiko-politike, në dallim të qartë nga njerëzit e medias që jetojnë me penën, idetë dhe zërin e tyre.

Sot, në kushtet e mungesës së një shoqërie civile aktive, të pamundësisë së dëgjimit të atyre pak zërave të vlefshëm e racionalë në këtë qytet, në kushtet e mosekzistencës brenda të majtës të asnjë ideologjie, nuk është aspak e vështirë që sharlatanë të tillë si Erjon Veliaj të marrin flamurin e luftëtarit për drejtësi dhe pozën e shtirur dhe të neveritshme të atyre që u dhimbsen shqiptarët dhe Shqipëria…
(mapo.al)

No comments:

Post a Comment