“HIJA” ITALIANE E EDI RAMËS

Një zyrë e njohur konsulence italiane ka nisur të punojë për fushatën e kreut të opozitës. Luigi Crespi, njeriu i sondazheve të Berluskonit, së bashku me kolegët e tij, po kurojnë imazhin dhe aspektin publicitar të fushatës së Edi Ramës.
A keni parë ndonjë ndryshim në sjelljen elektorale të Edi Ramës në këto zgjedhje? Dikush mund të thotë “Jo”, dikush tjetër mund të ketë parë nuanca të ndryshme në ato që thotë dhe që bën politikani, i cili ndodhet praktikisht prej gjashtë vjetësh në fushatë permanente. Arsyeja e këtij ndryshimi, esencial për fatet e të majtës në zgjedhje, duket se qëndron edhe tek një element, deri tani i panjohur nga opinioni publik. Prej disa javësh, pranë Ramës është atashuar një ekip italian ekspertësh fushate. Luigi Crespi, i cili ka punuar për shtatë vjet pranë Berluskonit, duke u konsideruar si njeriu i sondazheve të Kavalierit, ka marrë përsipër, së bashku me vëllain, Ambrogio dhe kolegun e tyre Emanuele Floridi, që të organizojnë nga aspekti i imazhit, fushatën elektorale të liderit socialist.
Një detyrë komplekse në parim për çdo ekspert të huaj, por që nuk i tremb mesa duket aspak vëllezërit Crespi dhe kolegët e tjerë të tyre, që kanë zbarkuar në Tiranë, pranë shtabit elektoral të Edi Ramës.

Një “spin doctor” në Tiranë
Luigi Crespi është një figurë e njohur në Itali. I afishuar gjerësisht në mediat italiane dhe qarqet politike si njeriu që qëndroi për shtatë vjet pas sondazheve të Silvio Berluskonit, Crespi është një komentator i njohur politik në ekranet kryesore të vendit, si dhe një konsulent ndër më të njohurit në Itali për fushatat elektorale të personazheve të njohur apo forcave të ndryshme politike. Një spin doctor i vërtetë, nga ata që orientojnë strategjitë e marketingut të imazhit dhe që modelojnë shijet e publikut.
Mjafton të thuhet që ai, bashkë me kolegët e tij, kanë qenë ideatorët e fushatës së lançimit të FLI (partia e re Xhanfranko Finit, pas ndarjes nga Berluskoni), duke kuruar imazhin, mesazhet politike dhe spotet publicitare të kësaj force të re politike. Crespi ka qenë gjithashtu në disa fushata elektorale për qytetin e Milanos, konsulent i kandidatëve të ndryshëm, ndër të cilët edhe kryetarja aktuale e bashkisë Letizia Morati. Pa harruar se të njëjtin shërbim konsulence ai po ia ofron aktualisht edhe kryetarit të bashkisë së Romës, Xhani Alemano.
Përvoja elektorale e zyrës së konsulencës në fjalë, shtrihet edhe jashtë Italisë. Ekspertët italianë kanë punuar në republikën Çeke, Venezuelë e vende të tjera në Europë e jashtë saj. Në momentin kur u duhej të zgjidhnin për t’iu bashkuar fushatës së opozitës socialistë në Shqipëri, mësohet se kanë pasur oferta konkrete në Tunizi dhe Turqi. Siç shihet, një studio me përvojë për një situatë komplekse, si kjo e zgjedhjeve të 8 majit.

Në fushatë me Edi Ramën
Nëse interesohesh për rolin që ekspertët italianë kanë luajtur deri tani në fushatën e liderit socialist, do të mësosh patjetër diçka. Ata kanë qenë me kreun e opozitës në disa prej mitingjeve që ai ka zhvilluar, si në Kamëz apo Shkodër, duke ofruar një asistencë të një lloji të veçantë, e cila ka të bëjë me korrektimin e sjelljes publike të vetë liderit të PS, mënyrën sesi ai e komunikon mesazhin e tij tek publiku i pranishëm, por pa harruar edhe detaje konkrete që lidhen me publicitetin elektoral, gamën e botimeve në kuadër të fushatës, publikime të të gjitha llojeve. Asistenca e këtij stafi ekspertësh ka përcaktuar jo pak në sjelljen elektorale të kreut të opozitës, i cili duket më i fokusuar në mesazhin politik konkret. Nga ana tjetër, ky spostim taktik ishte mëse i nevojshëm, po të kujtosh faktin e thjeshtë se Rama ka përdorur, që nga viti 2005, kur është në kontakt të pandërprerë me publikun dhe zgjedhësit, shumicën e tezave dhe ideve të tij në përballje me Berishën.
Pranë PS sqarojnë, në këtë pikë, se roli i ekspertëve italianë do të jetë komplementar me atë të konsulentit “të përjetshëm” politik të Ramës, Artur Falkenstein, i cili kuron që nga viti 2000 strategjinë politike të liderit Rama. Është menduar që strategjia politike që do të ofrojë Falkenstein, të ndërthuret me ekspertizën në aspektin e marrëdhënieve publike që ofrojnë Crespi dhe kolegët e tij. Një përzierje që kërkon të maksimizojë dhe të fuqizojë impaktin e fushatës që po bën opozita, me anë të liderit të saj, në pritje të 8 majit.

Një histori me këshilltarë e lobues
Partia Socialiste e ka përdorur, ashtu si edhe PD e LSI nga ana e tyre, konsulencën e huaj para, gjatë dhe pas fushatave zgjedhore. Në vitin 2009-2010 opozita kontraktoi një kompani të njohur amerikane, “Rasky Baerlein Communications”, për të lobuar në SHBA, kryesisht në qarqet e politikbërjes, në favor të kauzës së transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Informimi i politikanëve të lartë amerikanë dhe dalja në mediat e fuqishme vendase e eksponentëve të lartë socialistë, ishte qëllimi i kësaj kontrate e cila nuk është më në fuqi.
Në të kundërt, bashkëpunimi në distancë me Artur Falkenstein vijon të mbetet i palëvizur që nga viti 2000, kur Falkenstein nisi këshillimin e kreut të opozitës, asokohe vetëm kryetar bashkie e kryeqytetit.


Crespi: Edi Ramën duhet ta marrim për kryetar bashkie në Napoli!
Luigi Crespi ka treguar në blogun e tij (http://luigicrespi.clandestinoweb.com/), eksperiencën e parë pas kthimit nga Tirana. Ai u shpjegon lexuesve të tij italianë përshtypjet nga Tirana, një qytet që e ka habitur, duke u ndalur tek impresioni që ka për Edi Ramën si kryebashkiak. Ja si e përshkruan Luigi Crespi udhëtimin e tij në Tiranë:

“Edi Rama ka lënë një shenjë të pashlyeshme në vendin e tij. Tirana është një qytet i pabesueshëm. Është e habitshme se çfarë ka arritur të bëjë ky njeri në atë qytet, në aq pak kohë. Tirana është një qytet jashtëzakonisht i pastër, në zhvillim të plotë dhe në rritje të vazhdueshme. Madje deri në atë pikë, saqë më ka ardhur ndërmend pyetja, nëse është e udhës, ashtu siç bëjmë me të huajt në kampionatin tonë të futbollit, që Edi Rama të merrej dhe të caktohej kryetar i bashkisë së Napolit. Ndoshta një kryetar bashkie si Edi Rama do të bënte që Napoli të evitonte atë figurë që po na turpëron në sytë e botës.
Më ka pëlqyer ky udhëtim në Shqipëri dhe do të kthehem sërish atje, sepse ky vend më kujton në fund të fundit Italinë, epokën kur kam lindur, në vitet 60-70. Uroj që të njohë të njëjtin proces zhvillimi pozitiv, si vendi ynë. Më në fund dua të them se në Shqipëri, ne italianët respektohemi shumë më tepër sesa në Gjermani ose Francë.

No comments:

Post a Comment