Filmimet e 21 janarit nga kamerat e Kryeministrisë janë kopjuar dhe fshirë

Kryeministria ka dorëzuar serverin e kamerave të sigurisë brenda saj në Prokurorinë e Tiranës, tre muaj pas demonstratës së 21 janarit 2011. Pas dorëzimit të këtij serveri, konstatimi i parë është dramatik: pamjet filmike të datës së 21 janarit ishin kopjuar dhe fshirë nga serveri qendror. Është konstatuar se në memorien e këtij serveri regjistrimi i ditës së demonstratës është kopjuar i gjithi dhe një ditë më pas, serveri është riformatuar.
Sipas përgjigjes së ekspertëve që tashmë i është dorëzuar prokurorisë, serveri qendror i kamerave të sigurisë që ndodhet në ndërtesën e kryeministrisë, ka kapacitetin e ruajtjes së pamjeve filmike vetëm brenda 48 orëve, më pas ata fshihen automatikisht. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, edhe pas dorëzimit të serverit që është bërë me ndërmjetësimin e prokurorit amerikan, në memorien e tij nuk janë gjetur pamje të 21 janarit, por sistemi dikton që pamjet e kësaj date janë kopjuar dhe më pas janë fshirë.
Sipas burimeve zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, mësohet se ky server po përgatitet të dërgohet për ekspertim në laboratorët e Byrosë Federale të Hetimit (FBI-së), për të vërtetuar raportin përfundimtar të ekspertëve shqiptare, apo për tu rikapur ndonjë sekuencë filmike e fshirë e datës 21 janar 2011.
Serveri qendror i kamerave të sigurisë që ndodhen në ndërtesën e kryeministrisë, ishte premtuar nga vetë kryeministri Sali Berisha si pjesë e asaj që ai e quajti "transparencë maksimale" se do i vihej në dispozicion organeve hetimore, realisht kjo nuk ka ndodhur.
Në mbrëmjen e datës 21 janar 2011 kur prokurorët dhe hetuesit e çështjes, i kërkuan zyrtarëve të Këshillit të Ministrave që në bazë të urdhrit të sekuestrimit t'i vënë në dispozicion serverin qendror të kamerave të sigurisë që ndodhen në pjesë të ndryshme të ndërtesës së kryeministrisë (tarracë, pjesën ballore të kryeministrisë dhe pjesën veriore të ndërtesës), zyrtarët ishin përgjigjur se "nuk punon, pasi është i prishur".
Të ndodhur në këto kushte, prokuroria në ditët në vazhdim ka arritur të provoj nëpërmjet burimeve të ndryshme, se serveri jo vetëm që punon por edhe ruan pamjet filmike brenda 48 orëve nga regjistrimi"- thuhet nga të dhënat zyrtarë të institucionit qendror të akuzës. Zyrtarët e Këshillit të Ministrave kishin refuzuar t'ia jepnin prokurorisë me justifikimin se nuk punojnë. Kjo zgjati rreth tre muaj. Ka qenë prokurori amerikan pjesë e grupit hetimor, që me kërkesë të këtij të fundit kërkoi që Këshilli i Ministrave të verë në dispozicion të hetimit serverin, qoftë i prishur apo jo. "Në momentin që hetuesit kanë shkuar për të marrë serverin, ata jo vetëm që kanë konstatuar se kamerat e sigurisë punojnë, por edhe që kapacitetin e ruajtjes e ka 48 orë" - thuhet nga Prokuroria e Përgjithshme. Me të marr serverin, është dërguar për ekspertim, ku është konstatuar se ditën e demonstratës së 21 janarit, nga serveri janë kopjuar të gjitha pamjet filmike dhe më pas sistemi ka vazhduar të filmoi me kapacitetin e memories 48 orë, çka më pas i ka fshirë automatikisht. Të ndodhur në këto kushte, prokuroria mësohet se po bënë gati letër-porosinë për ta dërguar këtë server pranë zyrave të FBI-së me ndihmën e prokurorit amerikan për të zbardhur filmimet që ndodhen brenda tij.


Ndërkohë, deri më tani grupi hetimor i ngjarjes së 21 janarit ka arritur të sigurojë nga policia, mediat dhe nga persona privatë, filmime për vrasjen e tre personave gjatë demonstratës që u zhvillua më 21 janar. Veç pamjeve filmike në dosje janë dhe një set prej 15 fotografish të njëpasnjëshme, ku tregohet moment i vrasjes së Hekuran Dedës, parë nga këndi i "Kullave Binjake". Po kështu, prokuroria posedon edhe videon, në të cilën duket momenti i vrasjes së Ziver Veizit. Pamjet tregojnë momentin kur Ziver Veizi lëkundet nga goditja e plumbit e më pas rrëzohet në krah të djathtë para portës metalike të Kryeministrisë në anën e Piramidës. Pak kohë më parë me ndihmën e familjarëve, grupi i hetimit në Prokurorinë e Tiranës identifikoi edhe videon ku duket vrasja e Aleks Nikës, demonstruesit nga Lezha që gjeti vdekjen në një spital në Turqi, dy javë pas 21 janarit. E vetmja vrasje e pafilmuar vizualisht është ajo e Faik Myrtos.


Ekzistencën e kamerave të sigurisë në ambientet e kryeministrisë e ka përmendur edhe komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, në dëshminë e dhënë para Komisionit Hetimor Parlamentar i ngritur për të hetuar ngjarjen e 21 janarit. "Bulevardi është një territor që quhet zonë e sigurisë së lartë për vetë pozicionin, ku ndodhen Presidenca, Kryesia e Parlamentit, Kryeministria dhe objekte të tjera. Si zonë e sigurisë së lartë, kjo zonë monitorohet nga kamerat e institucioneve, por edhe nga shërbimet e Gardës, në bashkëpunim me policinë", - ka deklaruar Ndrea Prendi.

No comments:

Post a Comment