Festivali i Kanes Uma Thurman e Jude Law ne juri

Festivali i Kanes Uma Thurman e Jude Law ne juriPARIS- Jude Law, Uma Thurman dhe Olivier Assayas janë pjesë e tetë personaliteteve që përbëjnë jurinë e Festivalit të 64-të të Kanës e kryesuar nga aktori amerikan, Robert De Niro. Më poshtë vijon përbërja e plotë e jurisë:


- Robert de Niro, 67 vjeç, ka qënë pjesë e disa kryeveprave të kinemasë amerikane të dekadave të fundit, nga "Udhëtim në fund të ferrit" i Michael Cimino (1978) tek "Heat" i Michael Mann (1995) duke kaluar nga "Kumbari, pjesa 2" (1974) i Francis Ford Coppola. Karriera e tij është e lidhur ngushtë me atë të Martin Scorsese i cili e ka drejtuar në tetë filma ndër të cilët "Mean Streets" (1973), "Taxi Driver" (Palma e Artë 1976) dhe "Raging Bull" (1980) ku mori çmimin Oscar si aktori më i mirë.

Njëherazi regjisor ("Na ishte një herë Bronx" dhe "Arsye shtetërore"), Robert De Niro është amerikani i tretë nga katër të tillë që kanë kryesuar jurinë e Festivalit të Kanës pas Tim Burton në vitin 2010 dhe Sean Penn në vitin 2008.

- Olivier Assayas, 56 vjeç, është autori i afro 15 filmave. Filmi i tij i parë me metrazh të gjatë "Rrëmujë", u shfaq në Venecia (1986). Ai ishte në garë në Kanë me "Les Destinées sentimentales", "Demonlover" dhe "Clean", një vepër që i dha Maggie Cheung çmimin për aktoren më të mirë. Edhe realizimet e tij të fundi, "Ora e verës" dhe "Carlos", kanë njohur një sukses të gjerë publik.

- Martina Gusman, 32 vjeçe, është producente dhe aktore argjentinase. Në 2002, ajo bashkëthemeloi shoqërinë Matanza Ciné dhe mori pjesë në produksionin e filmave të Pablo Trapero ("El Bonaerense", "Udhëtim në familje"). Ajo ka luajtur në dy filma me metrazh të gjatë të këtij kineasti, "Leonera" dhe "Carancho".


- Mahamat-Saleh Harun, 50 vjeç, është regjisor nga Çadi, autor i katër filmave me metrazh të gjatë: në 1999, vepra e tij e parë "Bye-bye Africa" merr çmimin Filmi i parë më i mirë në Festivalin e Venecias. Në 2006, merr çmimin special të jurisë së Venecias për "Daratt" dhe në 2010, filmi i katërt me metrazh të gjatë, "Një burrë që çirret", merr çmimin e Jurisë në Kanë.

- Jude Law, aktor britanik 38 vjeç, u dallua në "Talenti M. Ripley" i Anthony Minghella. Ai luajti në "AI Intelligence artificielle" (Steven Spielberg), "eXistenZ" (David Cronenberg) dhe "Sherlock Holmes". Ai vazhdon karrierën e tij edhe në teatrin në Nju Jork dhe Londër.

- Nansun Shi është një producente nga Hong Kongu që themeloi në vitin 1984 shoqërinë Film Workshop Co, me bashkëshortin, regjisorin Tsui Hark. Ai prodhoi serinë e "Na ishte njëherë në Kinë", "Peking Opera Blues", "Black Mask 1 dhe 2", si dhe "Infernal Affairs", e ripunuar nga Martin Scorsese me titull "Të infiltruarit".


- Uma Thurman, 41 vjeçe, u bë e famshme me "Lidhjet e rrezikshme" të Stephen Frears. Me origjinë nga Bostoni, karriera e saj është e lidhur me atë të Quentin Tarantino : ajo u nominua në çmimet Oscar për rolin e saj në "Pulp Fiction" 1996, dhe në Golden Globes për dy episodet e "Kill Bill". Uma Thurman ka luajtur gjithashtu në "Even Cowgirls get the Blues" e Gus van Sant, "Batman & Robin" dhe "Marrëveshje dhe Mosmarrëveshje" e Woody Allen.

- Johnnie To Kei-Fung, 56 vjeç, regjisor dhe producent nga Hong Kongu i njjohur për filmat me aksion dhe policeskë. Është regjisori i ndër të tjerave "Sparrow" (2008), "Hakmarrje"(2009) dhe "Don’t Go Breaking My Heart" (2011).

- Linn Ullman, 44 vjeçe, është shkrimtare, autore e katër romaneve, ndër të cilët "Jam një ëngjëll i ardhur nga Veriu" (Actes Sud, 2010), i zgjedhur si romani më i mirë i huaj nga e përditshmja britanike "The Independent". I lindur në Norvegji, është vajza e Ingmar Bergman dhe aktores Liv Ullman.
(Balkanweb.com)

No comments:

Post a Comment