ÇFARË KLIKOJNË SHQIPTARËT

Udhëtim në preferencat e frekuentuesve shqiptarë të internetit. Faqet më të shikuara, temat më të debatuara dhe interesat e popullit të madh të rrjetit botëror.
Tashmë na kanë pushtuar. Rrjetet sociale, forumet, sfera e blogjeve, faqet e pafundme online të lajmeve e aktiviteteve nga të gjitha fushat. Një univers i tërë, që edhe pse nuk është më një gjë e re në jetën e secilit prej nesh, është padyshim gjithmonë e më në modë. Madje e ka kapërcyer edhe nocionin e kësaj të fundit, duke u kthyer gati gati në domosdoshmëri. Sepse çdo lëvizje e të përditshmes tonë, në punë, apo edhe jashtë saj, për informim, kërkim, përfaqësim apo edhe argëtim, çdo veprim në platformën e pafundme Ueb është e lidhur domosdoshmërisht me ta.
Kanë ndryshuar mënyrën tonë të të njohurit dhe të prezantuarit me të tjerët. Qysh prej shpërthimit të tyre, nocioni kohë duhet pranuar se është shkurtuar nën një efekt katalizues pa të cilin nuk do të bënim dot më. Kanë gjeneruar padyshim një botë paralele me atë reale.
Po cilat janë pikat e forta dhe të dobëta të kësaj platforme të pafundme lundrimi në Shqipëri? Cilat faqet më të klikuara nga shqiptarët? Për të dhënë një panoramë më të saktë, i jemi referuar një prej kompanive kryesore dhe më në zë amerikane, Alexa.com aktiviteti i së cilës është i lidhur specifikisht me auditimin e statistikave që kanë të bëjnë me trafikun në internet kundrejt çdo faqeje të regjistruar.
Gjithmonë sipas Alexa.com, duke zgjedhur opsionin e renditjes sipas vendit, ja se cilat rezultojnë 100 top site-t më të klikuara nga shqiptarët.
Por, përpara se të habiteni (sepse mund të ndodh) me paradokset në pamje të parë të kësaj renditjeje, duam të bëjmë një shpjegim të vogël, më se të kuptueshëm. Ndodh pra të vihesh përballë një liste ku shumë faqe të njohura e të mirënjohura nga të gjithë ne, qëndrojnë shumë më poshtë në rang vizitash krahasimisht me faqe të tjera më pak të dëgjuara. Ky polarizim, nuk shpjegon aspak ndryshimin në popullaritetin e tyre. Gjithçka ndodh sepse në ndryshim nga një faqe interneti shumë e njohur dhe popullore, një tjetër, më pak e tillë, e ka link-un e saj automatikist të lidhur me qindra faqe të tjera. Gjithashtu, webaster-i i saj ka krijuar mundësinë që çdo informacioni të publikuar të mund t’i bëhet “share” në rrjetet sociale famoze, si Facebook etj. Pikërisht për këtë rritet numri i klikimeve nëpër faqet, me vizitorë sporadikë, të diktuar ta vizitojnë atë për pak sekonda tranzit, sepse publikimi i faqes në fjalë është shpërndarë në një rrjet social, siç është dhe Facebook-u.

Në timon
Në vend të parë qëndron google.com. Pa u zgjatur në shpjegime rreth google, sepse të gjithë e njohin, mjafton të themi se ajo është faqja më e klikuar, jo vetëm nga shqiptarët, por, sipas renditjes së Alexa, qëndron në vend të parë në të gjithë botën.
Në një vend të dytë, të padiskutueshëm, faqja më e klikuar nga shqiptarët mbetet Facebook.com. Rrjeti social më popullor në të gjithë botën renditet i dyti në top listën e shqiptarëve. Tashmë e kthyer në një dobi shoqërore që lidh nga kudo njerëzit mes tyre.

Top 10
Po cila është faqja shqiptare më e klikuar nga shqiptarët? Duke lënë pas vendin e parë dhe të dytë, si më sipër, pastaj në vend të tretë Youtube.com, në vend të katërt yahoo.com dhe në vend të pestë Windows Live, e para faqe shqiptare që zgjon interesin e përdoruesve të internetit brenda vendit tonë, sipas statistikave të Alexa.com është top-channel.tv.
E gjashta në listën e më të klikuarave nga Shqipëria, dhe e para faqe shqiptare më e klikuar, Top-channel.tv, nëpërmjet programeve të saj të mirënjohura, mbetet një dritare e cila pasqyron për qytetarët shqiptarë dhe jo vetëm, problemet sociale dhe ekonomike, si të individit ashtu edhe të bashkësisë në tërësi. Burim i përhapjes sa më të shpejtë të informacionit, Top-channel.tv renditet faqja e 11.976 për sa i takon klikimeve në internet në rang global. Vizitorët e kësaj faqeje, shpenzojnë mesatarisht 11 minuta në të, dhe 48 sekonda për çdo klikim të mëtejshëm në publikimet e saj. Në krahasim me popullsinë e përgjithshme të përdoruesve të internetit, përdoruesit e kësaj faqeje kanë tendencën të kenë arsimin pasuniversitar, përgjithësisht nën moshën 35 vjeç. 62.4 për qind e atyre që klikojnë top-channel.tv, e vizitojnë këtë faqe nga vendi ynë, ndërsa pjesa tjetër nga Austria, Italia, Amerika, Luksemburgu, Greqi, Serbia, Gjermania, Kanadaja dhe Maqedonia. Në kurbën e grafikut që paraqet trafikun në këtë faqe për tre muajt e fundit, kulmi i amplitudës së klikimeve shënon ngjarjet që lidhen me datën e 21 janarit e ditëve në vazhdim.
I shtati për nga klikimet e bëra nga Shqipëria, i 15.439 i renditur bazë klikimeve në rang global, vjen balkanweb.com. I klasifikuar në kategorinë “lajme” kjo faqe shumë popullore për mbarë shqiptarët sjell informacione dhe lajme të publikuar për të gjitha drejtimet e aktualitetit shqiptar e më gjerë. Pas Shqipërisë me vendin e 7, vendi nga i cili klikohet më shpesh balkanëeb.com është Austria, e cila e rendit atë në vendin e saj të 966. Ndërkaq, 66.8 për qind e vizitorëve të saj janë nga Shqipëria ndërsa pjesa tjetër nga vende të tjera, dukshëm vende ku jetojnë një masë e shqiptarëve sot. Edhe për balkanweb.com kulmi trafikut të klikimeve në grafik shënon ngjarjet e 21 janarit.
Duke lënë pas enciklopedinë universale të Wikipedia-s, e cila renditet e 8-ta më e klikuar nga Shqipëria, në vendin e nëntë vjen ikub.al. Portali i njohur sjell në shërbim të përdoruesve të tij një gamë të bollshme lajmesh, shtypin e ditës, njoftime për vende të reja pune si dhe shitje e blerje automjetesh etj., dritare argëtimi e të tjera që kanë të bëjnë me zërat e nevojshëm, si numëratori telefonik, harta e vendit, ligje të ndryshme, të dhëna për zhvillimet e fundit financiare, kursin e këmbimit valutor, këshilla nga më të ndryshmet, si dhe mundësin ë për tu bërë aktiv në të duke postuar apo komentuar më tej. Rreth 7% e vizitave në këtë faqe janë të referuara nga motorët e kërkimit. Fjala kyçe më e përdorur muajin e fundit është “makina në shitje”. Në grafikët që paraqesin trafikun e klikimeve për tre mujorin e fundit, ikub.al tregon një rënie drastike të interesit të kilikuesve në datat 1 dhe 2 janar. E renditur në rang global si e 37.561, 91.2 % e kilikuesve të saj janë nga Shqipëria, ndërsa pjesa tjetër nga Greqia dhe Serbia.
E dhjeta për nga listimi i faqeve të internetit më të klikuar nga vendi ynë dhe e 36.143 në rang botëror renditet agjencia e lajmeve NOA. E klasifikuar në kategorinë “lajme” kjo agjenci shqiptare lajmesh transmeton lajme pa pagesë në gjuhën shqipe, si dhe lajme në greqisht, italisht dhe anglisht përmes abonimit me pagesë. Në brendësi të saj vijnë të rifreskuara lajmet më të fundit, opinione e intervista, informacione nga bota e sportit dhe kulturës. Përveç kësaj organizimi i faqes sjell për përdoruesit përmbledhjen e shtypit të ditës, këmbimin valutor, forumin e diskutimeve dhe shumë shërbime të tjera. Deri sot, kjo faqe numëron rreth 5 mijë fansa. 62 % e vizitorëve të NOA-s vijnë nga Shqipëria, pjesa tjetër pasohet nga klikimet nga Italia dhe Austria.

Top 100
Kjo ishte Top-10 e faqeve ndërkombëtare më të klikuara nga Shqipëria. Më tej lista vazhdon e gjatë deri në vendin e 100. E ndërsa google.it, në gjuhën italiane, renditet i 99 më i klikuar për vendin tonë, le të ndalojmë tek pikat e tjera të forta të këtij listomi Top-100.
Shekulli.com.al dhe gazetastart.com renditen përkatësisht në vendet e 14 dhe 15 të faqeve më të klikuara nga Shqipëria, të ndjekura menjëherë nga livescore.com në vendin e 16. Pas faqeve të deri tani renditura që kategorizoheshin kryesisht tek “lajme”, në vend të dytë të interesit të shprehur nga shqiptarët që lundrojnë në internet renditet faqja që publikon në kohë reale pikët e ndeshjeve të futbollit në 100 gjuhë të botës.
Në dhjetëshen e dytë më të klikuar nga Shqipëria vijnë menjëherë gazeta Tema, BBC online dhe MosFli.tv, faqja e njohur shumë së fundmi, nga e cila të gjithë mund të shohin falas e të shkarkojnë filmat më të fundit. Si një trend i ri për shqiptarët, në vendin e 28 renditet faqja e blerjeve online ebay.com
peshkupaujë. com, blogu më iteraktiv i njohur deri më sot mes shqiptarëve që lundrojnë në internet dhe bëhen pjesë e forumeve masive ku diskutohen dhe rrihen opinione për tema nga më të ndryshmet, rreth aktualitetit shqiptar e jo vetëm, të iniciuara kryesisht nga lajmet e marra nga faqet zyrtare të mediave në vend, është renditur në klasifikimin e aleja.com, në vendin e 74, duke lënë pas faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, madje dhe duapune.com, e cila publikon vazhdimisht njoftime për vende të reja pune në Shqipëri.
Linku më pak i klikuar nga shqiptarët, në vendin e 100, është renditur ai i Albania online travel agency.

Epilog
Baste sportive, filma dhe pornografi, këto janë çfarë ju intereson më shumë shqiptarëve nga interneti. Po t´i besohet alexa .com, shqiptarët, pas lajmeve, ndjekin më së shumti, bastet sportive, shkarkimin falas i filmave dhe pornografinë. Në vend të tretë...? Nuk ka të tillë. Ka ca vende bosh, pastaj vijnë komunitetet e chat-it dhe blerjet e veshmbathjeve online.

No comments:

Post a Comment