BARISHTET SHQIPTARE KORRIN MILIONA

Shqipëria vazhdon të ruajë një rol lider në tregun botëror të bimëve mjekësore, duke kryesuar tregje në SHBA dhe Gjermani për disa produkte specifike. Por, shpërngulja e popullatës nga zonat malore dhe mangësitë në përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së vëllimeve që eksportohen, krahas mungesës së një mbështetjeje reale ndaj sektorit, janë ndër problemet kryesore në zhvillimin e kësaj industrie, e cila xhiron rreth 25 milionë dollarë eksporte në vit.
Bimët mjekësore mund të mos jenë në qendër të vëmendjes së publikut, kur fjala vjen te bujqësia, zhvillimi rural dhe ulja e varfërisë në zonat e fshatrave të thella të malësisë. Por, realiteti dëshmon se më shumë se për një zanat ad hoc dhe shumë të kufizuar në kohë dhe hapësirë, bëhet fjalë për një industri të vërtetë që qarkullon shuma vjetore prej rreth 25 milionë dollarësh. Aspak keq, nëse merret parasysh se bëhet fjalë për bimë mjekësore e erëza, të cilat në fund të fundit, nga njerëzit që nuk kanë informacion të dedikuar mbi këtë sektor, konsiderohen thjesht “barishte”. Sherebela është e para në listën e këtyre bimëve, duke zotëruar më shumë se 50 për qind të tregut në Shtetet e Bashkuara, ndërsa trumza shqiptare ka pushtuar rreth 70 për qind të tregut gjerman. Gjithashtu rigoni zë një vend të rëndësishëm në listën e eksporteve shqiptare të bimëve aromatike dhe mjekësore, ku bëjnë pjesë rreth 150 ekzemplarë. Këto janë të dhëna të marra nga studimi i qendrës studimore DSA, për sektorin e agrobiznesit në Shqipëri. Sipas këtij studimi, roli i Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të bimëve mjekësore dhe aromatike është i tillë, sa një lëvizje çmimesh nga operatorët shqiptarë do të lëvizte çmimet në nivel botëror.


Barishtet kundër varfërisë
Përtej rrymës financiare që ky treg gjeneron, eksitojnë edhe të dhëna të tjera shumë domethënëse mbi vëllimet dhe dinamikat e produkteve të ndryshme. Sipas studimit, bimët mjekësore dhe aromatike janë të përhapura në të gjithë vendin, por gjenden në sasi më të mëdha në zonat e Malësisë së Madhe, Shkodrës, Skraparit, Elbasanit, Korçës, Beratit, Përmetit dhe Durrësit. Në këto zona, mbledhja dhe sistemi i përpunimit dhe tregtimit të këtyre bimëve është gjithashtu më i organizuar.
Mbledhja e bimëve të egra është një aktivitet i rëndësishëm dhe burim të ardhurash për një shumë familje rurale, dhe pse, në shumicën e rasteve bëhet fjalë për një aktivitet me kohë të pjesshme. Mbledhja e llojeve kryesore të bimëve mjekësore dhe aromatike ndodh kryesisht mes korrikut dhe gushtit, ndërsa numri i njerëzve të përfshirë në këtë industri llogaritet mes 75 mijë dhe 100 mijë, sipas vlerësimeve të OKB, BE dhe vetë operatorëve të këtij sektori. Këto shifra dëshmojnë rëndësinë që ka ky sektor në sigurimin e të ardhurave për familjet e përfshira në këtë aktivitet, të cilat në të shumtën e rasteve përfaqësojnë shtresat më të varfra të popullsisë rurale.
Malësia e Madhe, për shembull, është një ndër ato rajone, ku mbledhja e bimëve aromatike dhe mjekësore është një aktivitet i përhapur për fermerët. Rreth 80 për qind e fermerëve janë përfshirë në korrjen dhe mbledhjen e këtyre kulturave. Sipas intervistave të kryera nga DSA me disa nga sipërmarrësit kryesorë të këtij sektori, familjet e përfshira në aktivitete që lidhen me kullotat malore në këtë rajon, përfitojnë rreth 60 për qind të të ardhurave të tyre totale, pikërisht nga bimët mjekësore dhe aromatike. Në këtë kuptim, roli i këtyre bimëve në zbutjen e varfërisë për disa nga zonat më të thella dhe të varfra në vend, rezulton i pamohueshëm. Por, përkrah këtij fakti, mungon mbështetja nga institucionet publike për konsolidimin e këtij sektori.
“Sektori i bimëve mjekësore në vend ka tipare të veçanta – së pari, është ndër pak sektorë prodhues ku Shqipëria është konkurruese në tregjet ndërkombëtare, në të cilat ka kohë që është e pranishme dhe ka krijuar traditë dhe emër”, thotë Edvin Zhllima, pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës, i angazhuar në realizimin e këtij studimi. Ai shpjegon se gjithashtu, ky është ndër sektorët që ndikon më së shumti në zbutjen e varfërisë, pasi mundëson fermerët në zonat e varfra dhe në mungesë kapitali, të angazhohen në mbledhjen e bimëve të egra ose në kultivimin e tyre. “Ndërkohë, në këto zona, zhvillimi i aktiviteteve alternative është shumë i vështirë si pasojë e distancave të largëta nga tregu dhe kushteve prodhuese”, shpjegon Zhllima. Ai shton se nga ana tjetër, me gjithë rëndësinë dhe përparësinë reale të këtij sektori, mbështetja që ka marrë nga politikëbërja është minimale dhe skemat e zubvencioneve janë drejtuar drejt sektorëve të tjerë. “E vetmja mbështetje reale ka ardhur nga institucionet e huaja”, thekson ai.
Në fakt, mbështetja e këtij sektori është kufizuar në donatorët e huaj, ku veçohen USAID dhe së fundmi OSFA, e cila përmes programit të emergjencës ka mbështetur një projekt për mbjelljen e bimëve mjekësore në zona të varfra malore në Veri të vendit, në bashkëpunim me DSA.

Si funksionon sektori?
Janë tre grupe kryesore, të cilat mundësojnë zhvillimin e aktivitetit të bimëve mjekësore dhe aromatike në vend: korrësit dhe kultivuesit; grumbulluesit dhe konsoliduesit; dhe përpunuesit e eksportuesit.
Korrësit, janë njerëz që jetojnë në zonat rurale dhe malore të vendit. Ata korrin bimë të egra në zonat ku jetojnë, i thajnë dhe i ruajnë ato në shtëpitë e tyre, derisa i shesin në grumbulluesin lokal ose te përpunuesit. Grumbulluesit individualë hyjnë në lojë si ndërmjetës ndërmjet grumbulluesve rajonalë dhe korrësve. Ata shpërndajnë informacion mbi çmimet dhe janë personat kyç në rolin e rregulluesve ndërmjet korrësve dhe grumbulluesve të mëdhenj ose të përpunuesve. Por, vetë ata nuk kanë magazina.
Grumbulluesit rajonalë blejnë bimë nga korrësit dhe i ruajnë ato në magazinat veta, por nuk kanë kapacitete përpunuese. Zakonisht bëhet fjalë për ambiente të vjetra magazinimi, të trashëguara nga kooperativat bujqësore, me një sipërfaqe prej të paktën 200 metra katrorë, ku depozitohen nga 20 deri në 150 tonë bimë në vit. Në të gjithë vendin numëron rreth 30 grumbullues të tillë. Shumë syresh kanë investuar me fonde personale në impiante tharëse.
Përpunuesit e vegjël janë një tjetër hallkë e zinxhirit të industrisë shqiptare të bimëve mjekësore, duke qarkulluar sasi prej 150 deri në 500 tonë bimë mjekësore dhe aromatike në vit. Këty bëjnë pjesë edhe kompani që i shesin bimët, si çaji i malit dhe erëzat e gatimit, në tregun vendas.
Përpunuesit e mesëm janë në një shkallë më lart dhe tregojnë nga 500 tonë deri në 1500 tonë bimë në vit, duke numëruar 7-8 kompani të këtij profili. Këto kompani kanë arritur të krijojnë lidhje me blerësit e huaj dhe eksportojnë rregullisht, duke qenë në konkurrencë mes tyre. Këto sipërmarrje kanë investuar në impiante pastrimi dhe të prodhimit të vajrave bazike që nxirren nga një sërë bimësh aromatike dhe mjekësore. Si rrjedhojë, këta aktorë janë liderë në mbështetjen e kultivimit të këtyre bimëve, me qëllim stabilizimin e rezervave. Si rrjedhojë, disa prej tyre kanë inkurajuar fermerët që të mos kufizohen në korrjen e bimëve në natyrë, por dhe t’i kultivojnë ato. Grupi i përpunuesve të mëdhenj tregtojnë sasi nga 1600 tonë në 2500 tonë në vit, por përfshin në fakt, vetëm një kompani. Disponon impiante më të përparuara përpunimi dhe mund të vendosë tarifa më të larta për bimët e përpunuara ndaj blerësve të huaj dhe përpunuesve të tjerë.
Tregjet kryesore për këto biznese janë Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat thithin rreth 60 për qind të totalit të eksporteve shqiptare të bimëve mjekësore dhe aromatike. Tregje të tjera të rëndësishme janë Franca, Turqia dhe Italia. Një pjesë e madhe e këtyre produkteve të importuara nga këto vende, përpunohen dhe rieksportohen. Kjo do të thotë se sektori i këtyre bimëve në Shqipëri ka mangësi serioze në linjat përpunuese, të cilat në pjesën më të madhe të rasteve arrijnë të kryejnë një përpunim fillestar.
Por, me gjithë përpjekjet dhe investimet në rritje për zhvillimin e sektorit të bimëve mjekësore dhe aromatike në Shqipëri, pa një mbështetje strategjike nga institucionet publike, ky sektor ka mundësi të kufizuara për t’u zhvilluar më tej, duke shfrytëzuar në mënyrë optimale kapacitet natyrore dhe burimet njerëzore në dispozicion. Nga ana tjetër, zhvillimi i qëndrueshëm i këtij sektori, do të kontribuonte më tej, në uljen e varfërisë të zonave të thella malore dhe në rritjen e të ardhurave në ekonomi nga eksportet.

No comments:

Post a Comment