Aksident, vdesin dy studentë, 5 plagosen

Elbasan, makina me shtatë persona përplaset me trafikndarësen.
Dy studentë të vdekur dhe pesë të tjerë të plagosur është bilanci i një aksidenti të rëndë automobilistik në orët e para të mëngjesit në qytetin e Elbasanit. Një makinë në të cilën udhëtonin 7 persona ka dalë nga rruga duke shkaktuar vdekjen e 2 vetëve si dhe plagosjen e 5 të tjerëve.
Nga të dhënat e para mësohet se aksidenti ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit të së shtunës në aksin nacional Elbasan- Cërrik, pranë vendit të quajtur Valas, kur makina e tipit Benz me targa CF 853RS ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal. Sipas policisë viktimat janë dy studentë nga Elbasani, Shpendi Hysa, drejtuesi i automjetit, Erjola Kurti ndërsa të plagosur janë Leonard Allai, Enea Hysa, Xhemile Toska e Brunilda Kullolli, ndërsa të plagosurit të pestë i dihet vetëm emri Oligert.
Të 7 personat që kanë udhëtuar në makinë kanë kaluar natën së bashku në një nga lokalet e Elbasanit dhe më pas ishin nisur me makinë drejt qytetit të Cërrikut.
Sipas mjekëve të spitalit të Elbasanit gjendja shëndetësore e 4 prej të plagosurve është e rëndë. Një ekip mjekësh për orë të tëra kanë bërë përpjekje për të shpëtuar jetën e të plagosurve, pasi kanë pasur dëmtime të rënda. Ndërsa viktimat janë transportuar në morgun e spitalit. Policia e Elbasanit raportoi se një grup hetimor ka nisur veprimet hetimore për të zbardhur në detaje si ka ndodhur aksidenti tragjik.
(abcnews.al)

No comments:

Post a Comment