SHISH, hetim për shqiptarin e dëbuar nga Italia për terrorizëm


Sipas vendimit të Italisë, Sokol Hakani mbetet vetëm i dyshuar.

Edhe pse nuk iu vërtetuan asnjëherë lidhjet me terrorizmin, pavarësisht se u dëbua nga Italia për dyshime të tilla, Sokol Hakani tashmë do të jetë edhe objekt hetimi nga shërbimi sekret shqiptar. Sapo ai ka mbërritur në Shqipëri, institucionet shqiptare janë njoftuar nga homologët italianë se ai dyshohej për lidhje të forta me terroristët. Ai jetonte prej vitesh në Itali në mënyrë të rregullt, ku ishte punësuar, pavarësisht se skuadra e hetimeve ka pasur dyshimet për lidhjet e tij me xhihadistë.

Dy ditë më parë, ministri i Brendshëm i Italisë, Roberto Maroni, deklaroi se shqiptari i dyshuar për terrorizëm ishte dëbuar nga Italia dhe menjëherë informacionet në ngarkim të tij i janë dërguar drejtësisë shqiptare. Kështu, Ministria e Brendshme shqiptare ka marrë nga pala italiane informacionet e mbledhura për këtë person, që aktualisht po verifikohen nga Shërbimi Informativ Shtetëror, por edhe struktura të tjera të antiterrorit. Sapo ai ka ardhur në Shqipëri, pavarësisht se ndaj tij nuk ka asnjë akuzë konkrete, është marrë nën vëzhgim nga SHISH-i, që njëkohësisht po kontrollon materialet në ngarkim të tij. Gjithashtu, burime nga SHISH-i janë shprehur se pala italiane nuk ka pasur asnjë informacion të konfirmuar mbi dyshimet e ngritura për terrorizëm, pasi në kushte të tilla do të bëhej arrestimi i tij dhe jo dëbimi.

Ai është dëbuar dy ditë më parë me urdhër të ministrit të Brendshëm të Italisë, Roberto Maroni, pasi, sipas një hetimi të nisur në vitin 2002, ka dyshime të forta për lidhje të tij me xhihadistët. “Pas hetimeve investiguese, rezulton se i huaji, edhe pse është në Itali që nga 10 gushti i vitit 2002, ka qenë në kontakt me eksponentë të radikalizmit islamik në të gjithë botën dhe ka frekuentuar në mënyrë të përhershme site xhihadiste që tregojnë për mënyrat e gjetjes së eksplozivit dhe përgatitjes së bombave artizanale”, thuhet në njoftimin që shoqëron vendimin për largimin nga Italia të Sokol Hakanit. Më tej, njoftimi i ministrisë italiane sqaron se “Hakani është përpjekur që të shkojë në zonat e luftës dhe të luftojë në krah të muxhahedinëve dhe të vinte në zbatim praktikat që kishte marrë gjatë stërvitjeve në disa kampe paraushtarake”.

No comments:

Post a Comment