“Sekretet” e numrit celular portabël

Çfarë fshihet pas procedurës së ruajtjes së numrit, duke ndryshuar operator?


Shërbimi i portabilitetit të numrit, i shumëpritur nga ana e konsumatorëve shqiptarë është tashmë një realitet i prekshëm. Çdo konsumator që dëshiron të ruajë të gjithë kontaktet e tij dhe të mos humbasë asnjë telefonatë, por dëshiron të ndryshojë operator celular, pa ndryshuar numrin, mund ta realizojë këtë, përmes bartjes së numrit. Tashmë të katër kompanitë celulare në treg ofrojnë shërbimin e portabilitetit të numrit që prej fillimit të këtij muaji. Sipas burimeve në terren, rezulton se në praktikë ky proces është më i komplikuar se ç’duket në pamje të parë.

Shërbimi i bartjes së numrit duke qenë një risi në treg, shfaq në praktikë një sërë problemesh të karakterit procedural dhe teknik. Së pari, ndonëse për të realizuar bartjen e numrit duhet të kontaktohet kompania ku do të transferohet numri, procesi në fakt përfshin tri palë, operatorin marrës (ku numri do të transferohet), operatorin dhënës (që kërkohet të ndryshohet) si dhe pajtimtarin që kërkon të bëjë portabilitetin. Ekzistojnë disa arsye, për shkak të të cilave operatori dhënës mund të refuzojë kërkesat për bartjen e numrit. P.sh: numri që kërkohet të bartet nuk është i saktë; numri që kërkohet të bartet nuk është subjekt i një kontrate aktive; emri, datëlindja ose numri i NIPT (i aplikueshëm në rastin e bizneseve), të vendosur në formularin e kërkesës për bartje, nuk përputhen me informacionin përkatës që disponon operatori dhënës, e të tjerë. Një situatë e tillë mund të jetë e pranishme sidomos për numrat me parapagesë, të cilët në shumë raste janë regjistruar jo nga personi direkt, por nga një i tretë.

Së dyti, pajtimtari që kërkon të kryejë portabilitetin, pas aprovimit të bartjes së numrit do të kalojë një procedurë regjistrimi nga e para me operatorin marrës, sikurse ndodh me një klient të ri, gjë që shton burokracinë e këtij procesi.

Së treti, klienti mund t’i duhet të paguajë një tarifë deri në 600 lekë (me TVSH), e vendosur nga AKEP, tarifë kjo e lartë në krahasim me çmimet e zakonshme për blerjen e një karte SIM tek operatorët celularë.

Së katërti, nga pikëpamja teknike, konsumatorët do të vërejnë se te numrat e portuar, do të dëgjojnë një sinjal akustik të shkurtër bipi, para sinjalit të zakonshëm të ziles, në të gjitha rastet kur kryhen thirrje jashtë rrjetit, e vlefshme kjo për cilëndo bartje, nga të gjitha kompanitë celulare, gjë që mund të krijojë bezdi dhe konfuzion tek abonentët, duke qenë se është diçka e pazakontë. Ndërkohë, që në rastet e refuzimeve të bartjes së numrit, klientët mund të kenë pakënaqësi dhe zhgënjim, ndërkohë që në fakt, përgjegjësia nuk është e kufizuar vetëm tek operatori marrës, por ndahet edhe me palët e tjera operatorin dhënës, por edhe vetë konsumatorin. Rrjedhimisht, shërbimi i bartjes së numrit shënon vërtet një risi me avantazhe për konsumatorin, por nga ana tjetër, hallkat e zbatimit të këtij shërbimi në praktikë shfaqen komplekse, gjë që mund të vështirësojë edhe zbatimin e tij në praktikë.

(www.gazeta-shqip.com/ekonomi/2cabd7e3851df60f9e31dfff080dc2a8.html)

No comments:

Post a Comment