Fondi 10 milionë USD, në garë 1012 pronarë

Për fondin e kompensimit të pronave për vitin 2011 do të “konkurrojnë” 1012 pronarë.Agjencia njoftoi, se më datë 27 prill ishte edhe afati i fundit i pranimit të kërkesave për këtë vit. Sipas tabelës, Tirana, Shkodra dhe Korça kanë numrin më të madh të aplikimeve, me respektivisht 377, 168 dhe 140 kërkesa. “Gjatë periudhës në vijim, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të vijojë me procesin e shqyrtimit administrativ të tyre”, thuhet në njoftimin e firmosur nga vetë kreu i Pronave, Elvis Çefa. Sipas të dhënave, parashikohet që periudha e verifikimit të kërkesave të variojë rreth 1 muaj. Kërkesat do të kenë sërish si kriter kualifikimi datën e vendimit për kthimin e pronës. Për vitin 2011, fondi i qeverisë për pronarët është 10 milionë USD. Por, ndryshe nga vitet e tjera, ka ndryshuar formula e sasisë së tokës që do të kompensohet. Qeveria ka vendosur të mos përdorë më kriterin e kompensimit deri në 200 m2, por deri në 600 m2, të ndarë në disa fasha. I vetmi kriter për subjektet, është që të ketë një vendim të njohur për kompensim, ndërsa radha e kompensimit do të bëhet sipas kronologjisë së tij, pra nga vendimi më i vjetër. Vendimi ka përcaktuar vetëm tri kushte, sipas të cilave, asnjë ish-pronar që ka përfituar më parë kompensim financiar, nuk mund të aplikojë.
Sipas formulës së re, për pronat e njohura për kompensim deri në 1500 m2, masa e kompensimit do të jetë 200 m2. Pra, kush ka një pronë mbi 200 metra por deri më 1500 metra do të kompensohet maksimalisht me 200 metra katrorë, kjo e konvertuar në para. Për pronarët që kanë poseduar prona nga 1500-3000 metra katrorë, sasia e tokës që do të kompensohet në të holla është 300 m2. Për pronar nga 3000 metra deri në 5000 metra, sasia e kompensimit do të jetë 400 metra katrorë në para. Për pronat nga 5000-10 mijë metra, sasia e kompensimit në para do të jetë vetëm për 500 metra, ndërsa për pronarët që kanë më shumë se 1 hektar tokë, do të kompensohen për 600 metra katrorë. Më parë, nuk kishe rëndësi sa tokë kishte pronari 1000 apo 100 mijë metra katrorë, kompensimi ishte vetëm për 200 metra katrorë. Ndryshimi i vendimit erdhi pas ankesave të pronarëve dhe rekomandimeve nga BE. Kuptohet që edhe me këtë llogaritje pronarët e mëdhenj nuk janë plotësisht dakord, por të paktën ka një mënyrë më të mirë të vlerësimit të pronarëve nga sasia e dëmit që i është bërë nga regjimi komunist që i ka marrë tokat.
Për këtë vit nuk ka pasur, të paktën deri tani, ndonjë ndryshim në llogaritjen e vlerës së tokës për efekt të kompensimit financiar. Vlera e parave që parashikohet të ndahet është rreth 1 miliard lekë, pasi mbart edhe vlerën e pashpërndarë të vitit të kaluar. Sidoqoftë, ndryshimi i formulës pritet të mos rrisë numrin e përfituesve, pasi më shumë se 90 për qind e aplikuesve kanë më shumë se 200 metra katrorë tokë për t’u kompensuar financiarisht.

Masa e kompensimit

200 m2 kompensim në para
për pronat që kanë deri në 1500 m2 tokë

300 m2 kompensim në para
për pronat që kanë 1500 m2-3000 m2 tokë

400 m2 kompensim në para
për pronat që kanë 3000 m2-5000 m2 tokë

500 m2 kompensim në para
për pronat që kanë 5000 m2-10000 m2 tokë

600 m2 kompensim në para
për pronat që kanë mbi 10000 m2 tokë

200 m2 kompensim në para
ishte maksimumi i tokës që kompensohej me vendimin e vjetër, pavarësisht sasisë së tokës që ishte pronari
http://www.panorama.com.al/ekonomi/fondi-10-milione-usd-ne-gare-1012-pronare

No comments:

Post a Comment