Euro sfidon lekun ne fundjave

Në agjencitë e këmbimit valutor në kryeqytet, euro është forcuar ndjeshëm këtë fundjave duke arritur kuotën e 142 lekëve, niveli më i lartë i muajve të fundit, ndërsa dollari ka humbur pikë ndaj lekut, duke u tregtuar 1 usd me 99 lekë, nga 97.30 lekë që ishte në fillim të javës së kaluar.
Monedha Euro është fuqizuar së tepërmi duke vijuar të "sfidojë" lekun si pasojë e kërkesës së lartë në treg për këtë monedhë.

Agjencitë e këmbimit valutor në kryeqytet raportojnë për një euro, që tregtohet prej disa javësh me rreth 142 lekë dhe që nuk po luhatet nga ky nivel. Drejtuesit e agjencive valutore shpjegojnë se shkëmbimet e valutave në vendin tonë po ndjekin ecurinë e bursave ndërkombëtare.
Një euro e fortë penalizon klientët e bankave që kanë marrë kredi në këtë monedhë, pasi ata do të paguajnë më shumë për këstet mujorë.

Gjithashtu, pritet shtrenjtim i importeve, çka përkthehet me rritje të çmimeve në treg. Banka e Shqipërisë ka shprehur shqetësimin lidhur me rreziqet e kursit të këmbimit për sektorin bankar. Sipas BSH-së, një euro e fortë rrit riskun e kredive në euro në kohën kur valuta europiane po shitet shtrenjtë.
Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se janë dhënë nga bankat private rreth 174.8 miliardë lekë kredi në valutë, kur të ardhurat e kreditorëve janë në lekë. Pjesa dërrmuese rreth 90 për qind është dhënë kredi në euro dhe pjesa tjetër në dollarë.

No comments:

Post a Comment