Celularët dhe e-mailet do përgjohen për 2 vjet

Pas vëzhgimit me kamera të rrugëve të qyteteve, tani do të përgjohen edhe komunikimet elektronike. AKEP miraton rregulloren, e cila përcakton mënyrën e ruajtjes së komunikimeve për më shumë se 2 vjet. Të gjithë numrat e celularit. SMS, MMS, me të cilat kanë pasur lidhje qytetarët, do të ruhen për 2 vite në serverat e kompanive. Rregullorja për herë të parë vendos “përgjimin” edhe të komunikimeve me e-mail. Adresat me të cilat janë shkëmbyer letrat online, adresat me të cilat është bërë chat, video ose audio, do të ruhen. Cilat janë organet që do të kenë akses në të dhënat individuale dhe llojet e tjera të përgjigjeve elektronike

Ka ardhur momenti që t’i themi lamtumirë privatësisë. Çdo cep i Tiranës që nga marsi i këtij viti ka filluar të survejohet nga kamerat me një projekt që zbatohet nga Ministria e Brendshme.Kompanitë e telefonisë celulare janë të detyruara që të mbajnë të dhënat për çdo klient që kanë për një periudhë dyvjeçare. Së fundmi edhe e-maili e komunikimi në internet nuk do mbetet i paregjistruar. Me rregulloren e fundit që është në konsultim publik nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, të dhënat do të mbahen për përdoruesit e internetit, e-mailet, chatin, videochatin. Rregullorja për “Regjistrimin dhe mbajtjen e të dhënave të krijuara ose të përpunuara nga ofrimi i shërbimeve dhe/ose rrjeteve të komunikimeve elektronike” përfshin në brendësi këto detaje. Përgjimi i e-maileve, chatit, video-chatit të atyre që hyjnë në adresat personale përmes një rrjeti të caktuar do të bëhet vetëm për komunikimin dhe orarin, duke përjashtuar përmbajtjen. Kjo e fundit në mënyrë kategorike nuk mund të mbahet pa u kërkuar nga institucionet e autorizuara. Kryetari i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Pirro Xhixho, sqaroi dje për gazetën se mbajtja e të dhënave nga operatorët që ofrojnë internetin sanksionohet për herë të parë në rregullore. “Operatorët e telefonisë celulare e kanë pasur më herët këtë detyrim, që në momentin që ato i vënë në dispozicion klientit tabulatet e telefonit për kohëzgjatjen e bisedave dhe për detajimin e telefonatave apo mesazheve, kurse për operatorët e internetit kjo po vendoset tani. AKEP po zbaton në rregullore atë që është e përcaktuar me ligj, duke harmonizuar kështu rregulloret dhe legjislacioni me direktivat e BE-së”, tha Xhixho
Kontrolli i e-maileve
Operatorët që ofrojnë shërbimin e internetit për zyra, familje, qendra interneti dhe kudo që kërkohet ky shërbim, janë të detyruar të regjistrojnë edhe të dhënat për komunikimin që bëhet nga adresat e e-mailit. Do të mbahet orari kur fillohet komunikimi dhe orari kur përfundon zona në të cilën është bërë ky komunikim, por nuk do të regjistrohet përmbajtja e komunikimit. Të gjitha këto të dhëna duhet të mbahen për një afat 2–vjeçar dhe më pas të shkatërrohen sipas kërkesave që përcaktohen me ligj. Për të mos pasur probleme edhe me pjesën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale, së fundmi Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka nënshkruar një marrëveshje me Komisionin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale; Tek ky autoritet regjistrohen të gjitha ato subjekte që kanë një database të dhënash. Ndërkaq, sa i përket regjistrimit të komunikimit në internet, asnjë informacion nuk mund të shihet në përmbajtje, nëse kjo nuk është kërkuar ashtu siç edhe përcaktohet me ligj nga organet e autorizuara. “Vetëm me një kërkesë të Prokurorisë, apo institucioneve të tjera të drejtësisë, mund të fillojë përgjimi i e-maileve edhe për përmbajtjen, në asnjë rast tjetër kjo nismë nuk mund të merret nga operatorët. E gjithë kjo praktikë e sanksionuar në rregulloren që ne kemi nxjerrë për konsultim publik në regjistrimin e të dhënave për komunikimet në internet, lidhet me përafrimin e legjislacionit dhe rregulloreve shqiptare të këtij sektori me ato të Bashkimit Europian”, saktësoi Xhixho. Rregullorja, e cila do të qëndrojë për konsultim në afat 30-ditor, do të miratohet duke marrë parasysh vlerësimet e gjithë grupeve të interesit dhe deri më tani, duke qenë se masat që përfshin rregullorja i përmban edhe ligji, duket se nuk do të ketë ndonjë ndryshim thelbësor në përmbajtje.

Rregullorja, çfarë do mbahet e regjistruar

Neni 6
Të dhënat që do të mbahen
6.1 Sipërmarrësit e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike janë të detyruar të mbajnë për pajtimtarët skedarët me të dhënat e poshtëshënuara, që mundësojnë:
a) Identifikimin e pajtimtarëve, duke siguruar marrjen dhe regjistrimin e identitetit të plotë të tyre;
b) Identifikimin e pajisjes fundore, të përdorur gjatë komunikimeve;
c) Përcaktimin e datës, të orës, kohëzgjatjes së komunikimit dhe numrit të thirrur.
6.2 Për rrjetet e telefonisë fikse është e detyrueshme të mbahen të dhënat vijuese:
a) Të dhëna të nevojshme për gjurmimin dhe identifikimin e burimit të komunikimit:
i) Numri i telefonit thirrës;
ii)Emri dhe adresa e pajtimtarit apo përdoruesit të regjistruar për çdo telefon të këtij lloji.
b) Të dhëna të nevojshme për identifikimin e destinacionit të komunikimit:
i) Numri i telefonit të kërkuar dhe, në rastet që përfshijnë shërbime suplementare, si “call forwarding” apo “call transfer”, çdo numër telefonik tek i cili thirrja “forëardohet” apo transferohet.
ii) Emri dhe adresa e pajtimtarit apo përdoruesit të regjistruar të çdo telefoni të këtij lloji.
c) Të dhëna të nevojshme për identifikimin e datës, kohës dhe kohëzgjatjes së një komunikimi:
i) Data dhe koha e fillimit dhe mbarimit të thirrjes.
d) Të dhëna të nevojshme për identifikimin e tipit të komunikimit:
i) Shërbimin telefonik të përdorur.
6.3 Për rrjetet e telefonisë së lëvizshme është e detyrueshme të mbahen të dhënat vijuese:
a) Të dhëna të nevojshme për gjurmimin dhe identifikimin e burimit të komunikimit:
i0 Numri i telefonit thirrës;
ii)Emri dhe adresa e abonentit apo përdoruesit të regjistruar për çdo telefon të këtij lloji.
b) Të dhëna të nevojshme për identifikimin e destinacionit të komunikimit:
i) Numri i telefonit të kërkuar dhe, në rastet që përfshijnë shërbime suplementare, si “call forwarding” apo “call transfer”, çdo numër telefonik, tek i cili thirrja “forwardohet” apo transferohet.
ii) Emri dhe adresa e abonentit apo përdoruesit të regjistruar të çdo telefoni të këtij lloji.
c) Të dhëna të nevojshme për identifikimin e datës, kohës dhe kohëzgjatjes së një komunikimi:
i) Data dhe koha e fillimit e mbarimit të thirrjes.
d) Të dhëna të nevojshme për identifikimin e tipit të komunikimit:
i) Shërbimin telefonik të përdorur.
e) Të dhëna të nevojshme që identifikojnë pajisjen e komunikimit të përdoruesit (ose domethënien e të qenit pajisje e tyre):
i) Identitetin Ndërkombëtar të Abonentit të Lëvizshëm (IMSI) dhe Identitetin Ndërkombëtar të Pajisjes së Lëvizshme (IMEI) të telefonit nga i cili është bërë thirrja telefonike;
ii) IMSI dhe IMEI e telefonit të thirrur;
iii) Në rastin e shërbimeve anonime të para-paguara, data dhe koha e fillimit të aktivizimit të shërbimit dhe ID e celulës nga e cila është aktivizuar shërbimi.
f) Të dhëna të nevojshme për identifikimin e vendndodhjes të pajisjes së komunikimit të lëvizshëm:
i) ID e celulës në fillim të komunikimit;
ii)Të dhëna që identifikojnë vendndodhjen gjeografike të celulave sipas ID të celulës.
6.4 Për aksesin në internet, e-mail në internet ose internet- telefoninë:
a) Të dhëna të nevojshme për gjurmimin dhe identifikimin e burimit të komunikimit:
i) ID e caktuar përdoruesit;
ii) ID e përdoruesit dhe numrin telefonik të caktuar komunikimit që hyn në rrjetin publik telefonik;
iii) Emrin dhe adresën e pajtimtarit ose përdoruesit të regjistruar të cilit i është caktuar një adrese IP, ID përdoruesi ose numër telefonik, në kohën e komunikimit.
b) Të dhëna të nevojshme për identifikimin e destinimit të një komunikimi:
i) Në rastin e internet-telefonisë, ID e përdoruesit ose numri telefonik i marrësit tek i cili drejtohet thirrja;
ii)Në rastin e e-mailit në internet ose internet- telefonisë, emri dhe adresa e pajtimtarit ose përdoruesit të regjistruar dhe ID e përdoruesit të marrësit tek i cili drejtohet komunikimi.
c) Të dhëna të nevojshme për identifikimin e datës, kohës dhe kohëzgjatjes së komunikimit:
i) Në rastin e aksesit në internet:
i.a) Data dhe koha e hyrjes (log in) dhe daljes (log off) nga shërbimi i aksesit në internet, bazuar në një zonë të specifikuar orare.
i.b) Adresën IP, qoftë dinamike apo statike, të caktuar nga ofruesi i aksesit në shërbimin internet për komunikimin, dhe
i.c) ID e përdoruesit të abonentit ose përdoruesit të regjistruar të aksesit në shërbimin internet;
ii) Në rastin e e-mail-it ose internet-telefonisë, data dhe koha e hyrjes (log in) dhe daljes (log off) nga shërbimi e-mail ose telefoni në internet, bazuar në një zonë orare të specifikuar.
d) Të dhëna të nevojshme për identifikimin e llojit të komunikimit:
i) Në rastin e e-mailit në internet ose internet-telefonisë, shërbimi internet i përdorur.
e) Të dhëna të nevojshme për identifikimin e pajisjes së komunikimit të përdoruesit (ose domethënien e të qenit pajisje e tyre):
i) Në rastin e aksesit “dial-up”, numrin telefonik thirrës;
ii)Në çdo rast tjetër, linja dixhitale e abonentit (DSL) ose pikë tjetër fundore e origjinuesit të komunikimit.

No comments:

Post a Comment