Marrëveshja me Kosovën kusht i BE për Serbinë

BEOGRAD– Serbia nuk do të marrë dritën e gjelbër të BE-së për hapjen e negociatave për anëtarësim përsa kohë që Beogradi zyrtar nuk do të bindë partnerët euopianë për impenjimin e saj në arritjen me sukses të marrëveshjes me Kosovën.

Mediat vendase kosovare të cilat bëjnë publike lajmin bëjnë me dije se Serbia deri në fund të vitit mund të presë vetëm statusin e kandidatit, ndërkohë që përcaktimi i datës për fillimin e negociatave për anëtarësimin e saj në BE dhe të fatit të saj të mëtejshëm duket e largët për arsy se pala serbe dhe ajo shqiptare pas tri raundeve të bisedimeve nuk kanë zgjidhur asnjërën nga çështjet e hapura.

“Zgjerimi është një proces e dialogu proces tjetër, ndërsa detyrimet që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përmbushin është bashkëpunimi i mirë rajonal. Dialogu i Beogradit dhe i Prishtinës për të cilin janë pajtuar të dy palët është pjesë e bashkëpunimit rajonal dhe po qe se negociatat ecin në drejtimin pozitiv, nuk duhet të ketë problem”,- ka deklaruar Maja Kocijançic, zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton.

Mësohet se për herë të parë këtë kusht e ka theksuar ish-kryetari i Qipros Jorgos Vasiliu, duke tërhequr vërejtjen se BE do të fillojë negociatat vetëm pasi Serbia edhe Kosova të arrijnë marrëveshje, ose pasi Brukseli të bindet se do të ketë një marrëveshje të tillë.

No comments:

Post a Comment