Benzina arrin rekordin, 181 lekë për litër



Çmimi i naftës dhe benzinës kanë njohur rritjen tjetër më të madhe gjatë ditëve të fundit duke kaluar të 180 lekët në pika të caktuara të shitjes me pakicë në vend. Përdoruesit e makinave nuk u kanë besuar syve dje kur në tabelat e karburanteve një litër benzinë kushtonte 181 lekë, ndërsa një litër naftë shënonte 175 lekë.




Çmimet aktuale kanë një rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku benzina nuk kushtonte më shumë se 140 lekë, ndërsa nafta vërtitej në rreth 135 lekë. Tashmë, për të marrë të njëjtën sasi benzine, një qytetar duhet të paguajë shumë më shumë para.

Nëse me 1000 lekë, e cila është forma më e përhapur e furnizimit me karburant në vend, blihej rreth 7 litra benzine, tashmë blihet vetëm 5.5 litra. Thuajse e njëjta situatë është edhe me naftën. Në prill 2010, me 1 000 lekë mund të blihej rreth 7.4 litra naftë, ndërsa tani sasia që blihet nuk kalon as 6 litra.

Kjo është e disata herë gjatë muajve të fundit, kur çmimi i karburanteve ka pësuar goditje të fortë. Goditja e parë ishte në dhjetor 2010, kur një litër benzinë kërceu nga 149 lekë në rreth 155 lekë, ndërsa një litër naftë filloi të mos shitej më pak se 150 lekë për litër.

Gjatë muajve shkurt-mars, çmimi i një litri benzinë kërceu në rreth 160 lekë, ndërsa nafta u shit me rreth 155 lekë. Rritja vijoi edhe më tej duke arritur në shifrat e ditës së djeshme, ku një litër benzinë u shit me çmimin rekord prej 180 lekësh. Zakonisht për këtë situatë, importuesit kanë fajësuar zhvillimet në bursat ndërkombëtare si dhe taksat që aplikon vendi mbi karburantet.

No comments:

Post a Comment