Pages

Topi nuk dekreton ligjin për menaxhimit të mbetjeve

Kreu i shtetit Bamir Topi ka rikthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të presidencës thuhet se rikthimi i ligjit në Kuvend bëhet pasi ka mospërputhje dhe dispozita jashtë objektit të vetë ligjit.
Në argumentimin e kreut të shtetit thuhet se i tërë ligji, përshkohet nga rregullat dhe procedurat për kryerjen e këtij procesi menaxhimi; por, parashikimi i nenit 49, për importin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë, vlerësoj se del jashtë qëllimit të ligjit.

“Në një kohë kur i tërë ligji i është dedikuar marrjes së masave dhe kryerjes së procedurave për menaxhimin mjedisor të mbetjeve në Shqipëri, si një problem i rëndë dhe ende i pazgjidhur i mjedisit shqiptar sot, krijimi i mundësive për import të mbetjeve të vendeve të tjera, duket se bie ndesh me qëllimin e deklaruar për “minimizimin e mbetjeve ose pakësimit të ndikimeve negative nga krijimi dhe menaxhimi i integruar i mbetjeve”, apo “pakësimit të ndikimeve negative të përgjithshme nga përdorimi i burimeve” thekson Topi.

Më tej kreu i shtetit thekson se gjithashtu se neni 49 vjen në kundërshtim edhe me objektin e ligjit, të shprehur në dispozitën parimore të tij, neni 2, pika 1 ku përcakton objektin e ligjit, duke parashikuar se dispozitat e tij zbatohen për menaxhimin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Sipas kreut të shtetit gjithashtu neni 2, pika 2 e ligjit I cili parashikon se “ligji përcakton rregullat e përgjithshme për menaxhimin e integruar të mbetjeve, përfshirë parandalimin ose pakësimin e ndikimeve negative nga krijimi dhe menaxhimi i tyre, përmes pakësimit të përdorimit të burimeve” bie në kundërshtim me pikën e parë të nenit 49.

“E konsideroj se një dispozitë e tillë është në përputhje me objektivin e krijimit të një mjedisi sa më të shëndetshëm; por, neni 49 i ligjit, duke parashikuar dhe lejuar importin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë jo vetëm që nuk ndihmon në arritjen e këtij qëllimi, pra në parandalimin ose pakësimin e ndikimeve negative nga krijimi i mbetjeve, por ai shton edhe përdorimin e burimeve të mbetjeve. Kjo bën që dy dispozitat të bien në kundërshtim me njëra - tjetrën dhe neni 49, gjithashtu, të kufizojë mundësinë e arritjes së objektivit kushtetues për një mjedis të shëndetshëm” ka theksua Topi.

Më tej kreu i shtetit thekson se kthimi i këtij ligji është për t`iu nënshtruar edhe njëherë shqyrtimit dhe synon realizimin sa më të mirë të qëllimit për të cilin është miratuar nga ana e deputetëve , menaxhimin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të njeriut. “Mbetem i mendimit se ligji ka nevojë për përmirësime në drejtimet e mësipërme, por gjykoj se çdo variant i ofruar duhet të jetë në pajtim me objektivat socialë që Kushtetuta ka vendosur, që institucionet dhe shoqëria shqiptare duhet të kenë në raport me jetën tonë dhe brezat e ardhshëm” i është drejtuar Topi deputetëve.
/albeu.com/





No comments:

Post a Comment