Beteja për Tiranën, Basha në avantazh me 79 vota

Beteja e shifrave për rezultatin e zgjedhjeve vendore në bashkinë e Tiranës vazhdon ende në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Nga numërimi i deritanishëm i votave të hedhura gabim në kutitë e njësisë bashkiake nr. 1 dhe përkatësisht në KZAZ-në 45 janë gjetur 25 vota në favor të kandidatit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha dhe 27 vota të hedhura në favor të kandidatit të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” Edi Rama.

Numërimi nxjerr deri në këto momente në avantazh me 79 vota kandidatin demokrat Lulzim Basha.

Gjatë procesit të numërimit të votave në KQZ përfaqësuesit ligjorë të Partisë Socialiste kanë kundërshtuar disa herë hapjen dhe numërimin e votave në disa kuti ku kodet e hapjes dhe të mbylljes nuk korrespondojnë.

Gjithashtu përfaqësuesit e PS-së kanë kontestuar edhe numërimin e votave të hedhura gabimisht, por të vendosura jashtë zarfeve me fletë të kontestuara.

Kryetari i KQZ-së Arben Ristani ripërsëriti se do të numërohet çdo votë e hedhur gabimisht në kutinë e gabuar, edhe në rast se ajo nuk është e vendosur nga anëtarët e KZAZ-së në zarfin përkatës me fletë të kontestuara.

Ndërkohë numërimi i votave të hedhura gabimisht në kutitë e gabuara po vijon, një proces pas mbylljes sot në orën 24.00 do të vijojë deri në numërimin e votës së fundit të hedhur gabimisht nga zgjedhësit në kutinë e gabuar.

Votat e kontestuara numërohen në të tetë grupet e numërimit, që hapin përkatësisht katër kuti për secilën qendër votimi të thirrur për t’u hapur në bazë të vendimit të Kolegjit Zgjedhor.

Gjatë këtij procesi do të numërohen fletët e kontestuara në 368 qendra votimi, apo plot 1793 kuti votimi.


(noa.al)

No comments:

Post a Comment