Zvicra premton përkrahje në arsim

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja me bashkëpunëtorë, po qëndron në një vizitë pune në Zvicër, ku është pritur nga ministri për Arsim dhe Kulturë i kantonit të Gjenevës, Charles Beer.

Në këtë takim ministri Buja shoqërohej edhe nga ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj.

Ministri Buja e njoftoi ministrin Beer me situatën aktuale dhe zhvillimet në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë. Ndërkaq, ministri zviceran pohoi se Gjeneva dhe Zvicra do të vazhdojnë dhe intensifikojnë bashkëpunimin reciprok arsimor, duke ndihmuar njëra-tjetrën, qoftë me ndërrim të studentëve, apo të kuadrove mësimore dhe shkencore të sferave të ndryshme.

I pari i arsimit të Gjenevës shprehu gatishmërinë që të ndihmojë arsimin në Kosovë, por edhe në këtë kanton, ku mësimet i ndjek një numër i konsiderueshëm i nxënësve nga komuniteti shqiptarë.

Ministrat Buja dhe Beer kanë deklaruar se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Gjenevës do të intensifikohet dhe shumë shpejt edhe ministri Beer do ta vizitojë Kosovën. 

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment