Zana Kokomani: Në 2020, problemet mendore në majën e sëmundshmërisë botërore!

Mjekja psikiatre e Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor, Zana Kokomani, ofron shifrat më të fundit të të sëmurëve mendorë që trajtohen pranë kësaj qendre. Shifra që vijnë vazhdimisht në rritjeNë një nga kthinat e zonës së “21 Dhjetorit”, brenda oborrit të një çerdheje fëmijësh, kishte një tjetër hyrje që nuk kishte fare të bënte më këngën në kor, gjithë hare, të korit të fëmijëve që dilte dhunshëm nga dritarja. Në fakt, edhe ata të tjerët që hynin kah derës së çerdhes, kishin po aq nevojë për shërbim sa ata fëmijë që ishin vetëm në vitin e parë a të 2-të të jetës së tyre. Korridori i asaj dere të orientonte më pas një e nga një te të gjitha dhomat e shërbimit për pacientët me probleme mendore. E, në fakt, një atmosferë aspak frymëzuese pritej, përderisa takimi ishte lënë aty pikërisht me mjeken psikiatre të Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor, Zana Kokomani. Vetëm se, trazira që të vjen është e pakontrollueshme, ashtu siç nuk është në dorë të atyre njerëzve që presin radhën e shërbimit në karriget e korridorit, humbja e vetes. Ju ka qëlluar pothuajse të gjithëve që të ndiheni pa motiv të turbulluar gjatë prill-majit e, nëse të gjithë ndiejmë ndonjë shqetësim të çfarëdoshëm, gjendet përherë ndonjë ngushëllim alla gjysheje që të thotë “ndërrohet gjaku po hë…”. Në fakt, kështu mund të jetë, por ja që ka shumë mendje ‘tel’ që nuk mjaftohen vetëm me këtë frazë dhe bien në gjendje të tjera që janë gjithsesi të kurueshme në rast vetëndërgjegjësimi. Pikërisht pse pas këtyre muajve pacientët që kanë nevojë për psikiatër apo neurologë shtohen ndjeshëm, iu drejtuam mjekes psikiatre. Por kujdes, nuk duhet të mendoheni se nëse i kaluat këto dy muaj, ja hodhët. Mjekësia botërore paralajmëron se në vitin 2020 problemet mendore do të jenë në krye të listës së sëmundshmërisë në të gjithë botën. Me ritmet me të cilat po “përparojmë”, nuk bën asnjë çudi!

Doktoreshë, as që e dija që ekzistonte kjo qendër, përpara se t’ju njihja…
Më vjen keq në fakt, sepse janë të shumtë ata që nuk e dinë, pavarësisht se ne i kemi bërë të gjitha përpjekjet për t’i vënë njerëzit në dijeni. Edhe në furrat e bukës kemi çuar fletëpalosje.
Çfarë ka në fokus puna e qendrës suaj?
Të gjithë pacientët kanë vëmendjen e tyre, pavarësisht shkallës së rëndesës psikike apo rastit. Përparësi kanë sidomos pacientët me çrregullime psikotike, ato me çrregullime madhore. Nuk është që thjesht evidentojmë rastin, japim mjekimin dhe e mbyllim punën me kaq, pacienti ndiqet në vazhdimësi, deri në një përmirësim të dukshëm apo shërim, deri sa të jemi njëfarësoj të bindur se nuk do të ketë ripërsëritje të gjendjes.
Si i trajtoni pacientët? Në ç’faza kalon kurimi i tyre?
Domosdo që faza e parë është diagnostikimi, si në çdo rast të sëmuri, më pas vijohet me terapinë, psiko-terapinë, psiko-edukimin, ndërhyrjen në familje, parandalimin e relapsit etj. Po kjo është ndërhyrja jonë vetëm sa i përket aspektit shëndetësor, sepse në faza të tjera bëjmë të mundur edhe rehabilitimin psiko-social, duke u përpjekur për ta integruar pacientin në punë apo në kurse të ndryshme.
Çfarë roli keni ju si mjeke psikiatre në gjithë këtë proces që përfshin një grup të tërë njerëzish, përtej atij profesional?
Psikiatri është përgjegjës për funksionimin e gjithë punës në ekip dhe i mbarëvajtjes së punës së stafit. I diskutojmë së bashku të gjitha rastet. Është psikiatri ai që duhet të bashkëpunojë me autorët e tjerë të ekipit, pra ai që mban punën më voluminoze, sepse zhvillon edhe aktivitete si, vizitat, rikontrollet, konsultat, referon shtrimet në spitale etj.
Më tregoni ritmin e punës që ndiqni me një pacient?
Po ju tregoj për etapat e qendrës sonë, ku pacientët ndiqen rregullisht gjatë seancave të këshillimit dhe ato psiko-terapeutike. Shumica e tyre janë frekuentues të rregullt të qendrës sonë, sepse, siç duket, marrin shërbimet për të cilat kanë nevojë. Trajtimi apo rruga që ndjekim ne në kurimin e secilit prej tyre, varet nga diagnoza e gjithsecilit. Në varësi të problemit që paraqet pacienti, me referencë të mjekut psikiatër, peshë kanë edhe psikologu dhe punonjësi social.

Sëmundshmëria deri më 03.03.2011 Sipas Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor

1. Skizofrenia 364 pacientë
2. Skizo-afektiv 95 pacientë
3. Çrregullim delusional 123 pacientë
4. Çrregullim bipolar 139 pcientë
5. Çrregullim depresiv madhor 190 pacientë
6. Çrregullimet e ankthit 205 pacientë
7. Demencat 140 pacientë
8. Çrregullim personaliteti + abuzim substancash 42 pacientë
9. Prapambetjet mendore 360 pacientë

No comments:

Post a Comment