Vret veten me plumb në kokë ish-kreu i komunës

 
Vret veten me armë zjarri ish-kryetari i komunës së Vaqarrit në Tiranë. Skënder Drita, ish-drejtues i komunës në periferi të Tiranës, u vetëvra mbrëmë me plumb në kokë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në shtëpinë e 55-vjeçarit në Vaqarr.Policia tha se vetëvrasja ndodhi rreth orës 22:30, kur është marrë njoftim për të shtëna arme në shtëpinë e ish-kryekomunarit Skënder Drita, në fshatin Vaqarr të Tiranës. Burime nga Policia thanë se vetëvrasjen 55-vjeçari e ka kryer me pistoletën e punës, që e mbante kur ishte në detyrën e kreut të komunës, të cilën ende nuk e kishte dorëzuar, edhe pas humbjes në zgjedhjet vendore të 8 majit. Policia është lajmëruar për ngjarjen nga familjarët e Skënder Dritës, të cilët ndodheshin në shtëpi në momentin kur ka ndodhur vetëvrasja. Burime nga Komisariati Nr. 6 i kryeqytetit thanë se nuk kanë gjetur ndonjë dëshmi apo provë në lidhje me shkakun e vetëvrasjes. Sipas familjarëve, mësohet se që pas përfundimit të zgjedhjeve, 55-vjeçari ka qenë vazhdimisht i mërzitur për rezultatin negativ. Ende nuk dihet motivi i saktë që e ka detyruar 55-vjeçarin Drita që t’i japë fund jetës.
Skënder Drita ka qenë kryetar i komunës Vaqarr deri më datën 8 maj, kur u zhvilluan zgjedhjet vendore. Ai rikandidonte edhe këtë vit, i mbështetur nga Partia Demokratike, kundër rivalit të tij në zgjedhje, Gentian Myrta, i kandiduar nga Partia Socialiste. Në përfundim të numërimit të votave fitues rezultoi rivali i tij Myrta, me 2427 vota, kundrejt 1582 votave që arriti të grumbullonte Skënder Drita.
VETEVRASJA
Salla Operative e Drejtorisë së Policisë së Tiranës është lajmëruar mbrëmjen e djeshme për vetëvrasjen e 55-vjeçarit Skënder Drita nga familjarët e tij. Drejt vendit të ngjarjes janë nisur forcat e policisë së Komisariatit Nr. 6, të cilët kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe trupi i tij është transportuar drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore. Familjarët e viktimës kanë deklaruar për policinë se pak minuta para se të ndodhte ngjarja, ai ka qenë duke ndenjur në kuzhinë, bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes. Në një moment ai ka dalë nga dhoma dhe vetëm pas pak sekondash nga dhoma e gjumit është dëgjuar një e shtënë arme. Të afërmit kanë nxituar për të parë se çfarë kishte ndodhur dhe në dhomë kanë gjetur të përgjakur kryefamiljarin Drita, pranë trupit të të cilit ndodhej edhe pistoleta që dyshohet se ka kryer vetëvrasjen.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment