Vreeswijk braktis EULEX-in

Kryeprokurori i shumë premtimeve Johannes van Vreeswijk do ta lërë EULEX-in në kohën kur misioni ka filluar “të korrat e të mbjellave” që vetë Vreeswijk i pati proklamuar.

Njeriut, që për një kohë u bë simbol i luftës kundër korrupsionit në Kosovë, për shkak të aksioneve të EULEX-it, për bastisje në prill të vitit të kaluar, po i përfundon kontrata me EULEX-in.

Sipas burimeve të Kohës Ditore, nuk ekziston vullneti i ripërtëritjes së kontratës, as nga zyrtarët e misionit, e as nga vetë Vreeswijk. Holandezi, që premtoi aq shumë dhe u bëri thirrje të korruptuarve të “djersiten”, nuk ka arritur që të ngrejë aktakuzë për asnjë ministër ose ish-ministër në afera të korrupsionit.

Arsyet duke të jenë të shumta. Burimet brenda vetë misionit të EULEX-it flasin për kontroll politik, procedura edhe më burokratike prej emërimit të Xavier Bout de Marnhac si shef i misionit, e edhe për shumë arsye tjera.

Ajo që zyrtarët e këtij misionit nuk e përmendin asnjëherë si arsye për mungesën e aktakuzave, është mungesa e fakteve. Sipas tyre, fakte dhe evidenca ka, ndonëse ka mungesë të bashkëpunimit të dëshmitarëve.

Zëdhënësi i EULEX-it, Nicholas Hawton nuk e sheh problematike largimin e Vreeswijk nga misioni.

“Johannes ka bërë një punë shumë të mirë për misionin. Puna e tij vlerësohet shumë. Por, ai është vetëm pjesë e një ekipi të madh. EULEX-i nuk është i individëve, por i një ekipi të madh që punon së bashku për ta përmirësuar sundimin e ligjit në Kosovë”, ka thënë Hawton.

Sipas zëdhënësit të EULEX-it, rotacionet në pozita brenda misionit janë pjesë normale e EULEX-it. Sipas tij, përveç shefit të prokurorëve, misionin do ta lërë edhe shefi i komponentit të policisë.

“Të dyja pozitat do të zëvendësohen nga njerëz të aftësuar dhe të vendosur. Puna e misionit nuk do të afektohet”, theksoi Hawton.

Johannes van Vreeswijk para një viti pati deklaruar se e ka të qartë se si do ta “pastrojë Kosovën” nga krimi i organizuar dhe se si do ta luftojë krimin në çdo pjesë të vendit, në të gjitha nivelet. 
(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment